Substancë misterioze nga qielli

Aug 8, 2011 | 10:10

Një substancë e çuditshme portokalli ka zbritur nga qielli në formë shiu, duke lënë fshatarët në një nga zonat më të largëta të botës të hutuar. “Substanca pushtuese” u gjet në Kivalina, një komunitet eskimez në Alaskë. Ngjyra e saj u përshkrua nga banorët si portokalli fosforeshente. Lajmi tërhoqi të gjithë banorët e qytetit, të “etur” për të parë nga afër dukurinë që mbulonte pjesën më të madhe të portit dhe më pas doli në breg. Të enjten ra shi dhe banorët gjetën materien portokalli që lundronte në kovat e tyre të shiut, që ata i përdorin për të mbledhur ujin e pijshëm. Ajo u gjet edhe në një çati, duke i bërë ata të besonin se materia kishte ardhur nga lart. Nga e premtja, substanca portokalli ka dalë nga deti në tokë ku është tharë dhe ka marrë pamjen e një substance pluhuri. Ekspertët kanë nisur analizat.

© Panorama.al

Te lidhura