Subashi: Vendim i paligjshëm i Kolegjit, do hapen 1500 kuti

Jun 15, 2011 | 10:53

Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, e cilëson të paligjshëm vendimin e Kolegjit Zgjedhor, pasi, sipas saj, ai bie ndesh me dispozita të Kodit Zgjedhor. Sipas nënkryetares së KQZ-së, Kolegji dha një vendim për një çështje që nuk ishte kërkuar nga Partia Socialiste, por për të legjitimuar numërimin e votave të hedhura gabim në 117 kuti.

Zonja Subashi, ju jeni njohur me vendimin e fundit të Kolegjit Zgjedhor ndaj kërkesës së fundit të Partisë Socialiste. Si e lexoni ju këtë vendim?
Së pari, më duhet të them se vendimi i Kolegjit ka kapërcyer kërkesat që ka bërë subjekti i interesuar për konfliktin që lidhet me rezultatin zgjedhor. Në dijeninë time janë kundërshtuar vendimet e KQZ-së në lidhje me vendimin që kjo e fundit mori për miratimin e tabelave të rezultateve zgjedhore dhe shpalljen e kandidatit fitues dhe ku KQZ, siç dihet tashmë nga të gjithë, e kishte publikuar vendimin e saj, që në tabelat e rezultateve përfshiu dhe 117 qendra votimi, të cilat përmbanin votat për kryetarin e Bashkisë dhe nuk gjendeshin në kutinë e votimit të kryetarit të Bashkisë. Pra gjendeshin në kutinë e gabuar. Pra pikërisht ky ishte thelbi i ankimit të PS, por edhe PD, e cila nuk mori kuorumin lidhur me ankimimin që i paraqiti KQZ-së lidhur me rivlerësimin e 24 qendrave të votimit të votave të kontestuara në përmbajtjen e ankimit kërkohej nga KQZ që të përfshiheshin në rezultat pikërisht 24 qendrat që KQZ në procesin postzgjedhor i numëroi si vota të kontestuara në favor të kandidatëve për kryetar Bashkie të Tiranës. Siç jam vënë në dijeni nga mediat, mbase një vendim i arsyetuar i Kolegjit ende nuk është i gatshëm, rezulton që Kolegji i ka dhënë zgjidhje një çështjeje tjetër, të pakërkuar nga palët, që ka të bëjë me hapjen e të gjitha kutive të votimit, përjashtuar 117 kutitë e vlerësuara nga KQZ paraprakisht, para se të dilte rezultati i Tiranës, dhe të gjejë votat e kontestuara, t’i vlerësojë dhe t’i përfshijë në rezultatin final. Ky vendim, jo vetëm nuk i përgjigjet objektit të padisë që përbën parimin kushtetues të një gjykate, por nuk i përgjigjet as dispozitave të Kodit Zgjedhor.
Me cilat dispozita të Kodit Zgjedhor bie ndesh ky vendim, sipas jush?
Në Kodin Zgjedhor, në nenet 122 e 123 të tij, thuhet që KQZ ka detyrimin të hartojë tabelën përmbledhëse të rezultateve për Bashkinë e Tiranës, duke përfshirë në të 11-të tabelat e zonave zgjedhore të Tiranës, duke bërë shumatoren e tyre dhe nga kjo shumatore të nxirrte fituesin. Me këtë vendim, Kolegji nuk ka respektuar këtë dispozitë të Kodit Zgjedhor. Përsa i takon faktit të kryer, që KQZ, në kundërshtim me këtë dispozitë të Kodit Zgjedhor, përfshiu në tabelat e rezultateve qendrat e votimit që thashë, me sa duket, Kolegji Zgjedhor, duke mos dashur të thotë se hapur është shkelur Kodi Zgjedhor, ka thënë ‘mos e bëni në mënyrë selektive këtë shkelje vetëm për 117 kutitë, siç e bëtë, por përfshini të gjitha votat e kontestuara’, çka për hir të së vërtetës, është një proces që mund të bëhej vetëm në procesin postzgjedhor e jo në këtë moment apo fazë të procesit zgjedhor, pa u shpallur rezultati paraprak nga KQZ sipas dispozitës 123 të Kodit Zgjedhor. Në këtë mënyrë, ky vendim gjeti një zgjidhje më të mirën e së keqes, duke qenë se etapat e ankimimit u dogjën nga KQZ, u dogjën dhe nuk mund të aplikoheshin në këtë fazë ku erdhi procesi, me sa duket Kolegji Zgjedhor ka preferuar t’i japë një zgjidhje më të gjerë se ligjore. Por, duke shkelur ligjin, të japë të drejtën e votës, por e drejta e votës jepet gjithmonë dhe vetëm në përputhje me ligjin.
Ka dy nocione që Kolegji përdor në vendimin e tij. Flitet për “rivlerësim dhe rinumërim të votave të kontestuara në kutitë e pahapura të materialeve zgjedhore” dhe “vota të hedhura në kutitë jorespektive”. Ka një ngërç, që i mbetet KQZ-së të debatojë dhe të gjejë se cilat vota do të rivlerësojë dhe rinumërojë?
Sigurisht që me atë që media ka publikuar si një lexim të Kolegjit është një mendim paksa konfuz dhe për këtë duhet të pritet që të zbardhet vendimi i Kolegjit për të parë realisht se ç’ka dashur të thotë Kolegji me këtë urdhërim që ka bërë. Por, urdhërimi në këtë rast është i detyrueshëm të zbatohet nga KQZ dhe ne do të gjejmë votat që janë në të gjitha kutitë që janë përdorur në Tiranë, t’i grumbullojmë, besoj, në kutitë respektive dhe të nxjerrim rezultatin respektiv. Ky proces, në këtë mënyrë i ndërtuar, ka cenuar haptazi strukturat e tjera zgjedhore siç janë KZAZ-të, të cilat kanë nxjerrë një rezultat përfundimtar dhe kanë shpallur një fitues në këtë garë. Këto tabela, sipas Kodit Zgjedhor, nuk mund të cenohen pa një ankim të një subjekti zgjedhor. Urdhërimi i Kolegjit Zgjedhor jo vetëm është e pakërkuar, por ka cenuar edhe vendime që janë të formës së prerë nga KZAZ-të, pa pasur një të drejtë për t’u cenuar sipas Kodit. Kolegji Zgjedhor ka vendosur të ndërhyhet në këto tabela pa pasur një ankimim për këtë çështje. Vendimi i KQZ-së, por edhe vendimi i Kolegjit, nuk përbëjnë një proces të rregullt ligjor. Çfarë do të thotë proces i rregullt ligjor? Do të thotë që etapat e zbatimit të ligjit nuk mund të kapërcehen. Pikërisht në vendimmarrjen për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, me hapjen paraprake, pa ankimim, të kutive të votimit për të gjetur fletët në kutinë e gabuar, sigurisht që është prishur procesi i rregullt ligjor, që përbën një precedent të parë në Shqipëri. Çdo ankimim në Gjykatën Kushtetuese apo në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut, në gjykimin tim, do ta cenonte këtë proces të rezultatit zgjedhor të Tiranës.
Sipas gjykimit tuaj, ky vlerësim i votave të kontestuara do të çojë në fund në rakordimin e votave në kuti me numrin e zgjedhësve?
Këtë nuk mund ta them paraprakisht. Mënyra urdhëruese e vendimit të Kolegjit Zgjedhor, në pamje të parë synon këtë gjë, por nëse do të bëhet apo jo një rakordim, kjo do të varet nga ajo që do të gjendet në kutitë e votimit.
Do të vlerësohen ato fletë për të cilat do të ketë indicio, pra kontestim nga palët në grupet e numërimit?
Sipas këtij vendimi të Kolegjit, nuk kërkohet indicio sepse në vendimin e tij thuhet të hapen 368 qendrat e votimit.
Nga sa kuti për qendër do të hapen?
Nga katër kuti për çdo qendër.
Sa fletë votimi parashikohet të ketë të kontestuara?
Këtë do ta shohim kur të hapen kutitë. Por, për të gjitha fletët ka një vendim dhe kjo është shkelja e Kolegjit, pasi rivlerësimi duhej bërë në periudhën postzgjedhore, pasi të kishte dalë tabela e rezultatit mbi bazën e tabelave të 11 KZAZ-ve të Tiranës.
Nëse ky proces nuk sjell rakordimin e votave në kutitë e votimit me numrin e votuesve, që ka qenë një kërkesë e PS, ka hapësira të tjera ankimimi?
Sigurisht, kjo është një çështje për t’u parë në proces. Bëhet fjalë për tabelën e rezultateve dhe sa kohë kjo tabelë vjen në KQZ për t’u bërë një vendimmarrje tjetër, çdo vendimmarrje e KQZ-së është objekt ankimimi brenda afateve ligjore.
Në përvojën tuaj, sa kohë do të duhet për të përmbushur këtë urdhërim të Kolegjit nga ana e KQZ-së?
Është hera e parë që KQZ-së i duhet të hapë rreth 1500 kuti. Është një ndërmarrje e vështirë për efektin kohë. Dhe kur për 117 kuti na u deshën rreth 10 ditë kohë, uroj që ne të punojmë për ta bërë këtë detyrim në një kohë sa më të shpejtë. Po kalon një muaj e gjysmë dhe ne akoma nuk kemi një rezultat, ndërkohë që bëhen zgjedhje ngjitur me Shqipërinë dhe rezultati del menjëherë brenda 48 orëve.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura