
Nënkryetarja e KQZ: Anëtarët e PD të mos sillen si deri më sot.
“Mund ta kundërshtojmë mënyrën si do aplikohet në terren”
Megjithëse maxhoranca dhe opozita në Komisionin e Reformës Zgjedhore kanë rënë dakord që numërimi në zgjedhjet e vitit të ardhshëm të jetë elektronik, kjo nuk do të thotë që në këtë drejtim ka përfunduar gjithçka. Nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dëshira Subashi, përfaqësuese e Partisë Socialiste, thotë se verdiktin final do ta japin shtatë anëtarët e këtij institucioni. Sipas saj, përdorimi i teknologjisë kërkon shumicë të cilësuar votash në KQZ dhe vota e opozitës do të kondicionohet nga mënyra se si do të aplikohet ajo. “Do të uroj të ketë vullnet politik për ta zbatuar këtë dispozitë. Mund të ndodhë edhe ndryshe në mënyrën se si do të aplikohet dhe në mënyrën se si do të vihet në funksionim ky sistem elektronik. Bazuar në aktet e KQZ-së, mund të bëjë kundërshti në aspekte të të funksionuarit, çka do të thotë që ekziston një mundësi që të mos bihet dakord për mënyrat se si do të funksionojë ky sistem elektronik”, tha Subashi. Një tjetër pikë e marrëveshjes në kapitullin e numërimit elektronik është ajo sipas të cilës Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendos vetë se cilën prej kompanive do të kontraktojë për të sjellë elektronikën në procesin e numërimit. Sipas Subashit, KQZ-ja duhet të veprojë në mënyrë të përgjegjshme, dhe jo siç ka vepruar deri tani me vendime të njëanshme. “Uroj që kjo përgjegjësi të ushtrohet në mënyrë të përgjegjshme sipas ligjit, jo ashtu siç po ndodh sot në KQZ. Një përgjegjësi madhore për fatet e institucionit është më e vogël se sa për një ecuri të procesit i cili është me pasoja për gjithë vendin. Kërkon përgjegjshmëri në zgjedhjen e kompanisë, monitorimin e kompanisë”, u shpreh më tej nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
© Panorama.alOsmani
Sipas përfaqësuesit të PD-së në KQZ, Hysen Osmani, opozita nuk ka arsye pse të dyshojë për rolin që do të ketë ky institucion në numërimin elektronik. “Nuk ka arsye mos ta japin një votë cilësore. Ne përcaktojmë termat e referencës sipas Kodit Zgjedhor dhe kompania që e merr përsipër, nuk kemi ne, si anëtarë të KQZ, pse të kemi dyshime. Aktorët dhe faktorët kryesorë në hartimin e miratimin e Kodit kanë qenë forcat politike, kanë pasur një vullnet politik bashkëpunimi dhe besoj se kjo frymë do të jetë gjithandej”, thotë Osmani.











