Stuhia pas qetësisë

Aug 6, 2011 | 11:30

MICHEL ROCARD

A mund të përsëritet kriza financiare e viteve 2007- 2008? Qëkur shpërtheu kriza nuk kanë munguar mundësitë – në formën e konstatimeve joadekuate dhe vendimeve nga zyrtarët – për ta shtuar shqetësimin e njerëzve rreth një qasjeje të tillë. Përgjatë tre samiteve të G20-s, të mbajtura që nga fillimi i krizës, liderët botërorë janë pajtuar që ta përforcojnë rregullimin financiar, mirëpo vetëm për bankat, duke i lënë të lirë agjentët tjerë të tregut. Ashtu si para krizës, askush nuk është duke përcjellë tregun pothuajse të pakufishëm “virtual”, derisa paratë qarkullojnë lirshëm, pa rregulla zyrtare apo kontakt me ekonominë reale. Po ashtu, agjentët e mëdhenj ekonomikë kanë mjaft para me të cilat mund të spekulojnë, posaçërisht duke e pasur parasysh vendimin e Rezervës Federale amerikane për të lëshuar në qarkullim një det parash. Rezultat i këtij vendimi nuk ka qenë investimi në asete produktive, të cilat do ta rrisnin numrin e të punësuarve në SHBA, siç synoi Rezerva Federale, por vetëm ngritja e çmimeve globale të mallrave dhe shtimi i pasigurisë në tregjet e patundshmërisë së shteteve kryesore në rritje. Thënë troç, nuk ka frerë që mund ta pengojnë zhytjen e ekonomisë globale në një krizë të re financiare. Mundësitë për ikjen nga tatimet mbesin të shumta, derisa rregullimi i tyre është anarkik. Zbatimi i masave të ndërmarra për rregullimin e bankave pas krizës është vetëm një pikë uji në oqean. Qeveritë kanë refuzuar që ta vënë një mur ndarjeje midis bankave komerciale dhe atyre të investimeve. Është e vërtetë se qeveritë parandaluan një shkatërrim të sistemit financiar më 2008, duke e transformuar borxhin e keq privat në borxh publik. Një vendim e tillë funksionoi atëbotë, mirëpo tani kjo nuk bën më punë, kryesisht për shkak se i kontribuon një krize të re në tregjet financiare, si rezultat i borxheve të rritura publike të shteteve. Qeveritë tona nuk e bartin tërë fajin për krizën e sotme. Për më shumë se 20 vjet, ekonomitë më të mëdha kapitaliste të botës janë nxitur që të huazojnë shuma të mëdha, kryesisht në bazë të një rregulli të ri, të miratuar në tërë botën në vitet ’70-‘80 që lidhte politikën monetare me kufijtë e rritjes së çmimit. Kjo ide e rrezikshme – e propozuar në Francë nga Jacques Rueff më 1958 dhe e miratuar nga tërë Evropa gjatë njëzet viteve në vijim, duke përfshirë edhe Bankën Qendrore Europiane – synonte ta kufizonte tendencën në ekonomitë kapitaliste për rritje inflacioni, posa të arrihej punësimi i plotë. Mirëpo, rezultat i tmerrshëm i këtij rregulli ishte obligimi i shteteve për të huazuar nga bankat private me çmime tregu, për ta garantuar integritetin e thesarit të tyre. Një gjë e tillë ngriti barriera të mëdha për investimet publike, derisa shpenzimet qeveritare u shndërruan në përfitime të mëdha për bankat dhe aksionerët e tyre. Me përjashtim të katër shteteve skandinave, asnjë shoqëri me ekonomi tregu nuk e ka gjetur dhe as që e ka synuar ekuilibrin midis shtetit dhe tregut, të domosdoshëm për ta mbajtur një nivel të mjaftueshëm të shërbimeve publike. Madje edhe shtrëngimet e institucionalizuara monetare nuk i kanë ndalur nivelet e borxheve shtetërore publike që të arrijnë në 50-100 për qind të GDP-së në Evropë (më të larta në Greqi dhe Itali) dhe ta tejkalojnë 100 për qindëshin në SHBA. Natyrisht që reagimi zyrtar ndaj krizës së vitit 2008 ishte i dëmshëm në të gjitha nivelet. Për më tepër, të 17 shtetet evropiane që e përdorin aktualisht euron, nuk mund ta zhvlerësojnë valutën e tyre në mënyrë të njëanshme. Euro është një hap i rëndësishëm kolektiv dhe për ta siguruar kredibilitetin e saj si një valutë njëmend e përbashkët, ajo duhet të trajtohet si mishërim i solidaritetit të vërtetë. Qeveria gjermane ende nuk e pranon këtë fakt. Greqia, anëtare e Eurozonës, tani është në një pozitë të paqëndrueshme. Po qe se Greqia falimenton, spekulimet do të shtohen. Në të vërtetë, tregjet financiare ka pak gjasa që ta bëjnë dallimin midis borxhit grek dhe ekonomive tjera me borxhe të mëdha, si Portugalisë, Irlandës, Spanjës e madje edhe Italisë. Një gjë e tillë mund të krijojë një tërmet financiar me dëme prej miliarda dollarësh, dhe kjo e sqaron energjinë e shpenzuar nga Banka Qendrore Europiane dhe presidenti i saj, Jean-Claude Trichet, për t’iu shmangur më së keqes. Britania e Madhe, Belgjika dhe Franca janë në nivele borxhesh që nuk lënë për të shpresuar se do t’ia dalin pa u prekur. Ndërkohë, SHBA-të nuk mund t’i kryejë pagesat po qe se Kongresi dhe Presidenti nuk arrijnë marrëveshje për ngritjen e kufirit të borxhit. Pasojat e një falimentimi amerikan janë përshkruar me shqetësim të madh, derisa rreziku po shtohet. E tërë kjo gjendje mund të rregullohet. Mirëpo, masat e domosdoshme financiare nuk mund të zbatohen duke respektuar sovranitetin e plotë të shteteve. SHBA-të duhet të heqin dorë nga imperializmi i dollarit dhe Gjermania duhet ta lërë ëndrrën e saj për një “deutscheuro”. Stuhia që po afrohet dhe masat që duhet të ndërmerren për ta tejkaluar atë, do të sjellin ndryshime të mëdha.

*Ish-kryeministër i Francës dhe udhëheqës i Partisë Socialiste

© Panorama.al

Te lidhura