Drejtori Ibro: Furnizimi po bëhet me linjën e Rashbulllit. Ja problemet
Defekti, dje në mbrëmje në linjën e Elbasanit, OST: Shkak era
Stuhia që ka përfshirë dje vendin tonë, ka dhënë efekt direkt në linjat e transmetimit apo të shpërndarjes së energjisë, duke sjellë kufizime për disa qytete. CEZ Shpërndarje fillimisht lajmëroi për mungesë të energjisë në zona, si Fieri, Vlora, Gjirokastra për shkak të defektit në linjën e OST-së. Kjo në fakt u konfirmua edhe nga vetë drejtori i OST, Arben Ibro, i cili u shpreh se defekti ka ndodhur në kilometrin e 81 të linjës së Elbasanit dhe kjo ka shkaktuar një kufizim të energjisë për disa zona, në një hark prej 45 minutash, ndërkohë që për kufizimet e tjera Ibro u shpreh se nuk janë përgjegjësi e Operatorit të Sistemit të Transmetimit. “Kemi pasur një defekt në linjën që vjen nga Elbasani dhe që furnizon zonën e Fierit, Gjirokastrës, Vlorës dhe për këto zona patën një kufizim për rreth 45 minuta të energjisë. Mendojmë që defekti do të rregullohet po sot, pasi kemi identifikuar problemin në linjë, që erdhi si rezultat i erës. Aktualisht, zonat po furnizohen me linjën e Rashbullit”, u shpreh Ibro. Problemet e derimëtanishme me energjinë më së shumti kanë ardhur nga ngarkesat në linjë apo nga remontet që janë dashur të bëhen në nënstacione apo linja problematike, por duket se këtë herë moti është futur si problem shtesë. Në fakt, probleme nga moti ka pasur në të gjithë rajonin për shkak të mbërritjes së stuhisë siberiane, e cila po shoqërohet me temperatura të ulëta dhe stuhi. Përkundër situatës së vështirë të motit, vendin tonë nuk e favorizon as rrjeti. Jo në pak raste operatorët janë ankuar për rrjetin tejet të amortizuar, i cili ndikohet direkt nga kushtet e papërshtatshme të motit. Pak ditë më parë, CEZ i parapriu situatës së mundshme me kufizime për shkak të problemeve që mund të shfaqen në rrjet dhe kjo, në një kohë kur këto pritet të jenë disa nga ditët më të ftohta të këtij dimri. Në vend, konsumi i energjisë është rritur ndjeshëm gjatë këtyre ditëve, për shkak se shërben si burim i parë për ngrohje. Në shifra, konsumi është luhatur mes 24-26 milionë kilovat orë energji në ditë, ndërkohë që një pjesë e mirë e saj importohet, pasi prodhimi në vend është relativisht i kufizuar për shkak të mungesës së shirave.











