Nje banor duke transportuar ushqimet me kalin e tij ne kalimash te Kukesit, zone e bllokuar prej disa ditesh nga debora Has, nuk mbijeton dot punëtori i antenave, rëndë kushëriri.
U gjet i ngrirë në mal pas 24 orësh, vdes në spital.
Për shpëtimin e dy burrave u angazhuan dhjetëra banorë e policë.
Nuk ia ka dalë dot punëtori i një kompanie celulare që u gjet i ngrirë me kushëririn e tij 24 orë pasi u bllokuan në majë të malit. Isa Qarri, 45 vjeç, nga fshati Qarr i komunës Golaj të Hasit, ndërroi jetë pak kohë pasi mbërriti në urgjencën e spitalit të Krumës. Kushëriri i tij 35-vjeçar, Myrteza Qarri, shpresohet të ketë kapërcyer gjendjen kritike për jetën. Dy kushërinjtë, njëkohësisht punonjës të kompanisë private, ishin nisur pasditen e së premtes në drejtim të kodrës së Oplasit, sipër fshatit Perollaj në Has. Qëllimi ishte për të riparuar një defekt në antenat ku është vënë sinjali i internetit. Familjarët e tyre thonë se deri në orën 22:00 kanë pasur lidhje me dy kushërinjtë, por më pas komunikimi është ndërprerë. Të shqetësuar ata kanë lajmëruar policinë, e cila është vënë menjëherë në gatishmëri, bashkë me pushtetin vendor e banorë të zonës. Nisur nga temperaturat disa gradë nën zero, ata u pushtuan nga alarmi nëse do t’i gjenin dot në jetë dy burrat, pasi dëbora ka kaluar 2 metra në zonat e thella të Hasit. Banorë të zonës, forca policie dhe prefekti i Kukësit, Elez Maçi, janë nisur në drejtim të malit. Pas shumë vështirësish e kërkimesh, kanë arritur t’i gjejnë dy punëtorët rreth orës 16:00 të ditës së djeshme, të futur në një bunker ushtrie, në gjendje të ngrirë. Dy personat janë gjetur pranë njëri-tjetrit, pa ndjenja dhe të bërë kallkan. Dhjetëra burra i kanë mbajtur në krahë për t’i transportuar në spitalin e Krumës. Pjesën më të madhe të rrugës e kanë bërë në këmbë, ndërsa vetëm pak u ka ardhur në ndihmë makina, pasi çdo pjesë e zonës është mbuluar nga bora. Nga burimet në aksionin e shpëtimit të dy punëtorëve u tha se herë pas herë ata ishin përmendur, duke u dhënë shpresa se nuk kishin rrezik për jetën. Vetëm në orët e mbrëmjes, ndërsa ora shënonte 21:00, dy kushërinjtë Qarri mbërritën në urgjencën e spitalit të Krumës. Mjekët janë vënë në gatishmëri për t’u dhënë ndihmën e parë, me qëllim që trupi të arrinte ngrohtësinë normale. Por, për Isa Qarrin nuk ka qenë asgjë e mundur për ta mbajtur në jetë. Mjekët konstatuan vdekjen e tij pas rreth 1 ore, kur zemra i pushoi së rrahuri. Nga ana tjetër, po qëndrohet në gatishmëri për të shpëtuar jetën e personit të dytë të gjetur në mal. Në kushtet e errësirës dhe stuhisë së borës dhe transportimi në një spital më të specializuar është i pamundur.
KUKES
Qyteti i Kukesit dje i mbuluar nga bora
Rajoni i Kukësit drejt një kolapsi të plotë nga reshjet e dëborës që nuk janë parë këtu e 27 vite më parë, në dimrin e jashtëzakonshëm të vitit 1985. Të 27 komunat dhe afro 150 fshatrat që ka qarku dje janë izoluar totalisht. Dëborë e re ka rënë në Kukës dhe në zonat e thella në mbi 1 metër, e në Valbonë në 3 metra.
TROPOJË
Gjendja është mjaft e rëndë edhe në Tropojë. Të gjitha rrugët nacionale dhe ato rurale janë të bllokuara. Situata më e rëndë është në komunën Margegaj në luginën e Valbonës. Rexhë Biberaj, kryetar i komunës, apelon te të gjitha strukturat shtetërore për të ndërhyrë energjitikisht, për të shpëtuar jetën e njerëzve dhe për t’i nxjerrë nga izolimi banorët e kërcënuar nga dimri.
NDIHMAT Për shkak të shiut dhe erës së fuqishme, asnjë helikopter nuk ka mundur dot të niset nga pika e Farkës në Tiranë në drejtim të zonave të izoluara. Banorët e zonave të thella të vendit kërkojnë ndihma në ushqime dhe në ilaçe, por veç ndihmave të shpërndara nga ajri gjatë së premtes, moti i keq nuk ka favorizuar asnjë ngritje në ajër për furnizimin me ushqime të familjeve në nevojë. HAS/JONUZ HALLAÇI
Pukë, bllokohet nga bora edhe drejtori i rrugëve Nesti Kiri Nesti Kiri: Ju tregoj gjendjen
I bllokuar në aksin rrugor Pukë-Fushë-Arrës ka mbetur edhe vetë drejtori i Rrugëve Rajonale të qarkut Shkodër, Nesti Kiri, i cili ka qenë vetë në krye të operacioneve për zhbllokimin e akseve rrugore nacionale. Ja si e shpjegon gjendjen konkrete të rrethit të Pukës Nesti Kiri Z. Kiri, si paraqitet situata në rrethin e Pukës?
Për hir të së vërtetës situata është tejet e vështirë. Në momentin që ne flasim, bashkë me nënprefektin e Pukës ndodhemi në Fushë-Arrës së bashku me Shtabin e Emergjencave të këtij rrethi. Problemi i parë është në aksin Fushë-Arrës – Gjegjan, ku një borëpastruese dhe një fadromë kanë mbetur të bllokuara prej kohësh. Po gjendja e rrugëve si është?
Për momentin të gjitha akset rrugore janë të bllokuara. Madje edhe aksi rrugor Qafë-Çelë – Pukë edhe pse është hapur në orët e para të mëngjesit të së shtunës, disa orë më vonë ai është bllokuar sërish nga erërat e forta që kanë fryrë gjatë gjithë ditës, së bashku me reshjet e dëborës. I vetmi aks rrugor i hapur në këtë rreth është ai Pukë – Fushë-Arrës, ku fadromat dhe borëpastrueset po punojnë 24 orë pa pushim. Trashësia e dëborës në aksin rrugor nga Puka në drejtim të Fushë-Arrësit i kalon 1 m. Përveç mjeteve që ju përmendët, a ka automjete të tjera të bllokuara në akset rrugore të Pukës?
Fatmirësisht, asnjë mjet tjetër nuk është i bllokuar në këto akse rrugore. Siç duket, drejtuesit e mjeteve, të ndërgjegjshëm për situatën, nuk kanë preferuar të lëvizin nëpër një mot të tillë. Të vetmet mjete të bllokuara janë ato të Drejtorisë Rajonale të Rrugëve. Kur themi që janë bllokuar borëpastrueset e fadromat, imagjinoni se çfarë do të kishte ndodhur po të kishin qarkulluar automjetet e tjera pastaj. r.d
Stuhia e borës dhe era kthejnë ortekët Stuhia e erës ka tronditur dëborën që ka kaluar 2 metra lartësi, duke rrezikuar jetën e banorëve dhe të punëtorëve që po tentojnë të hapin rrugët në zonat e bllokuara. Pasagjerët e dy furgonëve që po kalonin në aksin Kukës-Topojë-Shishtavec, pranë Grykës së Vanave, kanë shpëtuar për një fije peri nga tragjedia e sigurt. Një ortek bore është shkëputur nga maja e malit, duke rënë vetëm pak metra para mjeteve me udhëtarë. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat të policisë e të ushtrisë dhe pushtetit vendor dhe kanë nisur punën për të larguar sa të mundnin borën nga rruga. Në Valbonë të Tropojës, 5 familje kanë shpëtuar për pak nga një ortek i rënë në fshatin Kçyr të zonës. Kryekomunari Rexhë Biberaj thotë në telefon për gazetën se vetëm fati ka qenë me anëtarët e këtyre familjeve. Nga orteku kanë ngordhur 30 kokë dhi dhe është rrëzuar një shtyllë elektrike, duke ndërprerë furnizimin me energji për 150 shtëpi. Bora ka paralizuar dhe punën e mjeteve të ndërmarrjes së rrugëve, të vëna në dispozicion për të hapur rrugët që lidhin Pukën me komunat dhe rrethet e tjera. Një ortek u rrëzua mbi borëpastruesen që sapo kishte hapur aksin rrugor Hadroj–Qafë-Benë. Dy fadroma të tjera, sipas shtabit të emergjencave të Pukës, janë bllokuar nga ortekët në fshatin Mzi, në aksin rrugor Qafë-Mali – Fierzë.
Ministri nga Kukësi: Jemi në gatishmëri Vasili: Edhe slitat në ndihmë të banorëve
Ministri Vasili dje në Kukës
KUKES – Për të parë nga afër situatën, në Kukës dje kanë qenë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, zv.ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahia dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Xhemal Gjunkshi. Për ministrin Vasili, i cili mbërriti në Kukës mes shumë vështirësive të rrugës, situata është në pikën më kritike të saj dhe më e rënda në këtë dimër. Ai u ka kërkuar vartësve të tij të qëndrojnë në punë 24 orë, për t’u shërbyer njerëzve atu ku mund të jepet ndihma e parë, edhe pa mbërritur në spital. “Misionet nga ajri sot, edhe për urgjenca, janë të pamundura për shkak të vështirësive të motit, prandaj ne duhet të jemi në punë me orar e pa orar. Nuk dimë sa vazhdon kjo situatë. Duhet të përdorim mjetet tona, ato private, slitat, barelat e ç’të mundim për t’u dhënë ndihmën e parë njerëzve”. j.h
Korçë, bllokohet në mëngjes rruga e Ersekës
Reshjet e shumta të borës kanë bllokuar disa nga rrugët kryesore të qarkut juglindor duke thelluar edhe më tej izolimin e banorëve. Aksi më problematik ka qenë Korçë-Ersekë dhe Ersekë -Leskovik i cili prej mëngjesit të së shtunës është gdhirë i bllokuar duke qenë kështu i pamundur kalimi i mjeteve në Qafën e Qarrit, qoftë edhe me zinxhirë. Të bllokuara kanë qenë edhe dy fshatrat turistikë të Dardhës dhe Voskopojës e së bashku me to edhe rruga që shkon drejt Liqenasit. Pavarësisht se prej mëngjesit kanë nisur ndërhyrjet në këto segmente, ka qenë i pamundur kalimi, pasi reshjet e borës kanë qenë të vijueshme. Më e mirë ka qenë situata në aksin Korçë-Qafthanë dhe Korçë-Kapshticë, ku lëvizja e mjeteve është kryer me zinxhirë.
Rruga e bllokuar, shtatzëna lind në shtëpi Dy nëna kanë sjellë në jetë fëmijët e tyre në kushtet ekstreme të shkaktuara si pasojë e motit të vështirë. Një nënë është sjellë në shtëpinë e lindjes në Korçë me një prej automjeteve të mirëmbajtjes së rrugës duke bërë kështu që Haxhiana Shanolli të udhëtojë nga fshati Kamenicë në drejtim të Korçës me një automjet të madh për të vijuar më tej sjelljen në jetë të fëmijës. Sakaq, sjellja në jetë e foshnjës ka qenë më e vështirë për një nënë të re nga fshati Orman i komunës së Pojanit, ku për shkak të bllokimit të rrugës ajo është detyruar të lindë në kushte shtëpie. Sipas të dhënave, dy nënat dhe fëmijët e tyre ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore edhe pse janë përballur me vështirësi të shumta si pasojë kushteve tepër të këqija të motit.
Shkodër, prefektja: Qeveria të shpallë Emergjencë Civile
“Gjendje alarmante nga bora në Pukë, Dukagjin e Vermosh” “Do i kërkojmë qeverisë shpalljen e gjendjes së emergjencave civile për disa zona në qarkun e Shkodrës, Pukë, Dukagjin dhe Vermosh”.Kjo është kërkuar dje nga prefektja e qarkut Shkodër, në cilësinë e kryetares së Shtabit të Emergjencave, Voltana Ademi. Iniciativa e Shtabit të Emergjencave është kushtëzuar nga situata tejet e vështirë që po kalon ky qark nga rikthimi i reshjeve të dëborës, me intensitet edhe më të lartë. Nën drejtimin e prefektes së Shkodrës, Voltana Ademi, u mbajt mbledhja e Shtabit të Emergjencave ku ishin të pranishëm edhe deputetët Astrit Bushati, Arenca Trashani, Gjokë Uldedaj dhe Ramiz Çobaj. Prefektja e Shkodrës, Ademi, u shpreh se situata është më e rëndë se ditët e kaluara. Rrethi i Pukës, komunat në zonën e Dukagjinit dhe komuna e Kelmendit në rrethin e Malësisë së Madhe janë të izoluara plotësisht, prandaj edhe është kërkuar nga ana e Shtabit të Emergjencave që qeveria duhet të ketë një shtim të vëmendjes ndaj zonave që janë të bllokuara për të menaxhuar më mirë situatën. Në fjalën e saj gjatë kësaj mbledhjeje, Ademi ka pohuar se urgjente duhet të jetë ndërhyrja në rrethin e Pukës, ku të gjitha akset nacionale të këtij rrethi janë të bllokuara, e aq më tepër akset e zonave rurale. Të bllokuara kanë mbetur disa mjete borëpastruese dhe fadroma që kanë punuar 24 orë pa ndërprerje si në segmentin Fusha-Arrës – Pukë, ashtu edhe në atë Qafë-Mali – Fierzë. Madje, po rrezikohen seriozisht edhe jetët e vetë punonjësve të këtyre mjeteve, të cilët kanë mbetur në mes të zonave të vështira e të mbuluara nga bora. Rikthimi i reshjeve të dëborës gjatë natës së të premtes në gjithë territorin e qarkut Shkodër ka bërë që situata të jetë tejet e vështirë. Trashësia e dëborës në qytetin e Shkodrës ka arritur në rreth 30 cm, ndërsa më e rëndë paraqitet situata në rrethin e Pukës, ku vetëm në qytetin e Pukës dëbora i ka kaluar 1 m lartësi. Aktualisht, të bllokuara janë komunat e zonës së Dukagjinit, Shalë, Shosh, Pult, Shllak dhe Temal në rrethin e Shkodrës, ku krahas lartësisë së madhe të borës, banorët e këtyre zonave kanë vështirësi në komunikim. Për rrugë tokësore as që bëhet fjalë, ndërkohë që edhe komunikimi me telefon është vështirësuar së tepërmi, pasi sinjalet e telefonive celulare kanë problem në këto zona. Në rrethin e Pukës vazhdojnë të jenë të bllokuara të gjitha komunat dhe të gjitha akset rrugore, duke bërë që gjendja të jetë ndër më alarmantet në vend. Duke u nisur nga kjo situatë, Shtabi i Emergjencave të rrethit Pukë i ka kërkuar prefektes së Shkodrës që në cilësinë e kryetares së Shtabit të Emergjencave t’i kërkojë qeverisë që për rrethin e Pukës të shpallet gjendja e emergjencave civile, pasi njerëzit, krahas ushqimeve dhe ilaçeve, kanë nevojë edhe të lëvizin dhe të komunikojnë me njëri-tjetrin. Me shpalljen e Emergjencës Civile, në terren pritet të zbresin forcat e ushtrisë me mjetet e tyre, për të mundësuar hapjen e rrugëve dhe ndarjen e ushqimeve dhe ndihmave në zonat e bllokuara.
Kufiri
Në rrethin e Malësisë së Madhe, fshatrat Selcë, Gropa Selcë, Lëpushë, Qafë-Brodoleci dhe Vermosh janë të bllokuara plotësisht. Kjo për faktin që edhe e vetmja rrugë që ata banorë kanë përdorur për komunikim Vermosh-pika e kalimit kufitar me Malin e Zi, ajo e Gërçarit nga krahu i Plavës dhe Gucisë, është bllokuar nga dëbora. Janë rreth 8 kilometra rrugë që lidhin këtë zonë me pjesën tjetër të kufirit, ku trashësia e dëborës varijon nga 2 metra deri në 5 metra, kanë pohuar disa nga banorët e kësaj zone.
Romët
Bashkë me rikthimin e dëborës, janë rikthyer edhe shqetësimet e komunitetit rom në qytetin e Shkodrës. Ata kanë dalë dje në një reagim publik, duke kërkuar ushqime dhe veshmbathje. “Nuk po kërkojmë strehim, por të paktën dikush duhet të na sigurojë ndonjë ndihmë në ushqim”, shprehen përfaqësuesit e tyre. Ata thonë se zakonisht e fitojnë bukën e gojës duke lypur apo duke grumbulluar hekur për shitje. Por këto ditë, kur në qytet bora ka arritur 40 cm, lëvizjet e qytetarëve janë të kufizuara, ashtu si dhe të ardhurat për romët, të cilët detyrohen të kërkojnë ndihmë. SHKODER/ RITVAN DIBRA
Dibër, 2 të sëmurë transport me krahë
Kryekomunarët: Jemi pa mjekë e pa ushqime. Ilaçet e ruajtura na kanë skaduar Çahet bora me lopata për të çuar në spital fëmijën e shtatzënën
Rruga nacionale Burrel-Peshkopi e bllokuar nga bora
Situatë e pazakontë në qarkun e Dibrës. Shtabet e emergjencave civile kanë njoftuar për emergjenca shëndetësore, izolim total të disa komunave e fshatrave, bllokime të vazhdueshme të rrugës nacionale e deri tek dëmtime të ujësjellësit të Peshkopisë etj. Vetëm tre nga 12 kryetarët e njësive vendore të rrethit Dibër kanë mundur të jenë dje paradite në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave, ku ishin të pranishëm deputetët e qarkut dhe ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Për kryetarët e komunave Tomin, Maqellarë e Melan nuk ka qenë e vështirë të ishin pjesëmarrës në mbledhje, ndërkaq kryetarët e njësive të tjera kanë komunikuar vetëm me telefon, duke u shprehur se në njësitë ku ata drejtojnë situata është e pazakontë. Reshjeve të mëparshme të borës u janë shtuar dje nga 30-40 cm të tjera, si në qytetin e Peshkopisë, ashtu edhe në fshatrat e rrethit. Mbi 80 për qind e banorëve të qytetit e sigurojnë ujin e pijshëm duke shkrirë borën, pasi ujësjellësi është dëmtuar seriozisht për shkak të ngricave. Ajo që vendorët kanë raportuar me shqetësim janë dy raste të emergjencave shëndetësore. Një fëmijë 12-vjeçar nga Llodomerica e Ostrenit të Madh është transportuar me krahë për afro 10 kilometra dhe më pastaj një makinë e Ndërmarrjes së Rrugëve e ka dërguar atë në spitalin e Bulqizës në gjendje të rëndë shëndetësore. Rasti më i rëndë ishte transportimi nga banorët e fshatit Dushaj në rrethin e Bulqizës i një gruaje shtatzënë. Janë dashur më shumë se 6-7 orë që banorët të çajnë borën që arrinte mbi 1.5 metra, madje në një terren të vështirë. Fadroma e dërguar për të hapur rrugën e ka pasur të pamundur të nxjerrë fshatin rrëzë malit nga izolimi. Kryetarët e komunave Zallë-Reç, Trebisht, Sllovë, Ostren kanë informuar Shtabin e Emergjencave Civile se medikamentet po mbarojnë dhe se pjesa e mbetur është e skaduar. Ata kanë deklaruar se as mjekët nuk janë në krye të detyrës dhe se disa prej tyre punojnë sikur të jenë privatë. Në Lurë, Kala e Dodës, Ostren, Trebisht, Martanesh dhe Selishtë trashësia e borës arrin deri në 2 metra, çka e bën mjaft të vështirë hapjen e rrugëve, transportimin e të sëmurëve dhe dërgimin e ushqimeve. Megjithëse me komunën e Lurës është ndërprerë çdo komunikim, edhe ai telefonik, mësohet se atje mungon energjia elektrike prej 10 ditësh. Një çoban nga fshati Lishan ka kërkuar ndihmën e autoriteteve vendore për të shpëtuar 150 bagëti që janë izoluar në malin e Pratit. Veç mungesës në ushqime, bllokimit të rrugëve, mungesës së energjisë elektrike, medikamenteve etj, banorët e zonave të thella janë përfshirë nga paniku, sepse nga momenti në moment çatitë e shtëpive të tyre mund të shemben. DIBER/ HASAN PASHA
Imami në Librazhd
Bllokimi i disa fshatrave malore në rrethin e Librazhdit ka mbledhur Shtabin e Emergjencave Civile, ku ka qenë i pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Arben Imami. Krerët e komunave të thella kanë kërkuar mjekë dhe karburant për mjetet borëpastruese, pasi sipas tyre nuk kanë para për të blerë. Ministri ka urdhëruar që mjekët të strehohen në banesat e banorëve në këtë periudhë të vështirë ose një pjesë e tyre të zëvendësohen me personel vendës. Ai ka deklaruar se duhet bashkëpunim të të gjithë sektorëve në këto momente. “Nuk duam që jetët e njerëzve të vihen në rrezik prej motit të keq që ka mbërthyer vendin”, ka shtuar ai.
Ksera në Gjirokastër
Deputetët e maxhorancës në Gjirokastër, Spiro Ksera dhe Genc Ruli, kanë drejtuar dje mbledhjen e Shtabit të Emergjencave Civile në qark. Kjo mbledhje synonte evidentimin e zonave me probleme në kushtet ekstreme të motit që ka përfshirë krejt vendin. Kryetari e komunë Antigone, Ylli Muho dhe Bujar Kapllani i komunës Buz në rrethin e Tepelenës, kanë ngritur me shqetësim problemin që lidhet me mungesën e energjisë elektrike. Sipas kreut të komunës Buz, energjia elektrike mungon prej një jave, ndërsa kjo situatë nuk mundet kurrsesi të justifikohet me bllokimin e rrugëve nga dëbora, duke ia vënë fajin neglizhencës së treguar nga ana e punonjësve të CEZ-it.
Librazhd, at e bir ngelin 1 javë në mal Kryekomunari: Nuk shkon dot as fadroma
LIBRAZHD – Dy barinj babë e bir kanë shtatë ditë që kanë ngecur në mal në stanin e tyre, bashkë me 120 krerë bagëti. Shkak është bërë dëbora, e cila ka arritur trashësinë e rreth 1.7 metrave në malin Guri i Pishkashit, rreth 100 km larg fshatit Qukës të Librazhdit. Sefer Skura, bariu i cili aktualisht ndodhet në stan bashkë me djalin e tij, tha në telefon se kishte parashikuar që të qëndronte 3 ditë, por bora e bllokoi me të birin në mal. Kryetari i komunës së Qukësit, Fatmir Terziu, ka deklaruar se është njohur me situatën dhe është përpjekur të nisë një fadromë, por mjeti nuk e çan dot dëborën. “Duhet vetëm ndërhyrja me helikopter për dy barinjtë”, thotë Terziu. Sipas Skurës, “ka më shumë se pesë vjet që nuk bie kjo dëborë dhe nuk kishim marrë masat bashkë me djalin tim për situatën që na ndodhi”. m.s
Vlorë, deti 7 ballë, trageti 4 orë vonesë VLORE – Moti i keq në Vlorë ka shkaktuar vonesa në ardhjen e trageteve, ndërsa janë përmbytur disa zona të qytetit si pasojë e reshjeve të dendura gjatë 24 orëve të fundit. Për shkak të dallgëve të detit, të cilat mbërrinin deri në 7 ballë, trageti i linjës me Brindizin vonoi për më shumë se 4 orë. Ankorimi i tij është bërë me mjaft vështirësi, pasi rrezikonte të përplasej me një tjetër traget që ndodhej në mol. Edhe anijet tregtare e ndërprenë përpunimin dhe dolën në det të hapur për të evituar përplasjen me molin apo me anijet e tjera. Moti i keq la dje në errësirë për më shumë se tri orë qytetin, ndërsa u shkaktuan edhe dëme të tjera në disa tabela reklamash, xhama lokalesh në qytet, sidomos përgjatë vijës bregdetare. q.b
Janine : Del nga rruga autobusi me shqiptarë Autobusi i linjës Athinë-Tiranë pëson aksident, duke shkaktuar lëndimin e 7 personave. Aksidenti ka ndodhur në km 23 në aksin ndërkombëtar Janinë-Kozani, në vendin e quajtur Negraves. Autobusi, i cili i përkiste një kompanie tiranase të udhëtimit të pasagjerëve, u gjend në vështirësi në momentin e manovrimit të një kthese të pjerrët. Sipas autoriteteve policore greke, mjeti ka dalë nga rruga është përmbysur në krahun e majtë dhe për pasojë ka pësuar dëmtime fizike te shtatë pasagjerë. Në autobus, udhëtonin 35 pasagjerë nga kryeqyteti grek në drejtim të Tiranës. Mendohet se shkaku i aksidentit ka qenë terreni i akullt i asfaltit në zonën ku ka kaluar autobusi.