Studiot korrigjojnë projektet, ja ndryshimet e bulevardit

May 15, 2012 | 13:54

Maketi i studios “Grimshaw”

Fituesja shpallet të mërkurën. Sot pyetjet teknike dhe nga qytetarët.

Basha: Projekti më i rëndësishëm për 50 vjetët e ardhshme.

Për tri ditë maketet do të qëndrojnë të ekspozuara për qytetarët në Galerinë e Akademisë së Arteve. Të mërkurën do të mësohet se cila nga 2 studiot finaliste do të vërë në jetë projektin për zgjatimin e bulevardit të Tiranës. “Grimshaw” dhe “Dar” prezantuan dje maketet finale. E para u jep prioritet këmbësorëve dhe ka shtuar një element të ri për t’i dhënë zgjidhje trafikut. Bëhet fjalë për ndërtesat me kate, ku mund të parkojnë makinat. Parashikohet që përgjatë bulevardit të jenë 3 sheshe. Sipas projektit të ri të kësaj studioje, gjerësia e tij do të jetë 60 metra. Studioja “DAR”, me kërkesë të Bashkisë së Tiranës, ka reduktuar koston nga 41 milionë, në 23 milionë euro, si pasojë e ngushtimit të bulevardit. Gjerësia e bulevardit, me ndryshimet që i janë bërë projektit, do të vazhdojë nga 170 metra në 100 metra. Kjo studio ka

Maketi i studios “DAR”

zhvendosur kullat në të dyja anët e bulevardit, duke bërë që të mos ketë ndërprerje të tij, si në projektin e parë. Shumica e parkimeve janë nën tokë. Makinat do të kalojnë pas vijës së parë të ndërtimeve, gjithashtu parashikohet ngritja e një kampusi universitar. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, e ka konsideruar këtë javë si mjaft të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të kryeqytetit shqiptar, javë e cila nis me përzgjedhjen e fituesit të bulevardit dhe përfundon me draft-planin e përgjithshëm rregullues të Tiranës. “Projekti i Bulevardit të ri dhe lumit të Tiranës është pa dyshim projekti më madhor që qyteti po harton për veten e tij në këto 80 vitet e fundit dhe për nga problemet me të cilat kërkon të ndeshet, sfidat që kërkon të kapërcejë dhe vizionin që do të lerë, është pa dyshim edhe projekti më i rëndësishëm, të paktën për 50 vitet e ardhshme. Ndaj para ngutjes, ne zgjodhëm durimin, zgjodhëm informimin e të gjitha palëve të interesuara, zgjodhëm t’i lemë kohë më të mirës, që të dalë në pah”, u shpreh kryebashkiaku Basha. Sipas tij, paralelisht me konsultimet, dëgjimin e sugjerimeve të ekspertëve më të mirë dhe të qytetarëve, për të arritur në përzgjedhjen e projektit më të mirë për bulevardin dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës, është ecur me përgatitjet në terren, për të nisur pa humbur kohë me punimet, kur të finalizohet projekti i detajuar.

Basha në prezantimin e djeshëm

“Kemi diskutuar me botën e biznesit, impaktin e menjëhershëm që implementimi i projektit do të ketë në hapjen e mijëra vendeve të punës për qytetarët e Tiranës dhe impaktin afatgjatë në krijimin e një impulsi të ri dhe një poli të ri zhvillimi ekonomik për Tiranën, për Shqipërinë dhe në fakt për të gjithë rajonin”, tha Basha. Në ditën e dytë të këtij konkursi, të dyja studiot do u përgjigjen pyetjeve që do të vijnë nga anëtarët e grupit teknik dhe strategjik të Planit Urbanistik, si dhe pyetjeve të bëra nga qytetarët, ndërkohë që të mërkurën pritet të shpallet dhe fituesi i këtij konkursi.

Projektet finale
Studio Grimshaw

Gjerësia e bulevardit, 60 m
Tre sheshe në bulevard:
Sheshi i Drejtësisë (pallati i drejtësisë)
Sheshi Komercial (qendra tregtare)
Sheshi i Kulturës (Institucione kulturore)
Makinat qarkullojnë në mes të bulevardit

DAR studio
Bulevardi është ngushtuar në 100m
(ishte 170)
Kostoja është reduktuar me
17 milionë euro
Janë zhvendosur kullat në të dyja anët e bulevardit
Bulevardi nuk do të ketë ndërprerje
Parkimet janë nën tokë

Dalipi: Duam interpelancë me Bashën
Këshilltarët socialistë thërrasin për raport kreun e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, lidhur me blerjen e HEC-it të Lanabregasit, nga Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve. “Ne si këshilltarë të opozitës jemi thellësisht të shqetësuar, kur gjendemi përballë faktit të kryer, ndërsa mbi 15 milionë euro trajtohen si pronë private. Mbi çfarë baze e procedure ligjore është bërë marrëveshja e blerjes së këtij hidrocentrali? Kërkojmë sa më parë një seancë të posaçme, ku zoti Basha t’u përgjigjet qytetarëve të kryeqytetit”, tha Aldrin Dalipi, kryetar i grupit të këshilltarëve socialistë. Ndërkohë, burime zyrtare nga Bashkia theksuan se kjo seancë nuk do të kryhet, pasi Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve ende nuk ka kaluar në kompetencë të Bashkisë, pavarësisht vendimit të Këshillit. “Nuk ka firmosur kryebashkiaku marrëveshjen për blerjen e HEC-it, është jashtë kompetencës, ndaj kjo seancë nuk do të bëhet”, thanë burimet.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura