Studimi/ Kanabisi mund të shkatërrojë qelizat e kancerit të lëkurës! Ja çfarë zbuluan shkencëtarët

Apr 1, 2024 | 20:11
SHPËRNDAJE

Studiuesit australianë po bëjnë eksperimente laboratorike për të parë nëse kanabisi mund të përdoret për trajtimin e kancerit të lëkurës. Ata thonë se më pak se 15% të pacientëve arrijnë të mbijetojnë më shumë se tre vjet pas prekjes nga melanoma. Por, sipas studiuesve australianë, provat e reja laboratorike tregojnë se kanabisi mund të ndihmojë në trajtimin e këtij lloji të kancerit.

shkencetar

Leigh Raaschou ka luftuar me kancerin për disa dekada.

Ai nuk ka mbrojtur veten prej djegies nga dielli dhe thotë se pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar nën rrezet e diellit.

Melanoma iu shfaq fillimisht në lëkurën e kokës dhe më pas u përhap deri në kockë. Mjekët u detyruan t’i hiqnin një pjesë të kafkës.

“Mjekët janë detyruar të heqin mbi 100 copa kanceroze të lëkurës në atë kohë, ndoshta afër 200”, thotë zoti Raaschou.

Që nga viti 1998, zoti Raaschou është prekur katër herë nga melanoma. Për herë të fundit ai u prek nga kjo sëmundje vitin e kaluar.

“Asnjëherë nuk kam mbajtur kapele, nuk kam përdorur kurrë krem për mbrojtjen e lëkurës nga rrezet e dëmshme të diellit. Dhe ky është rezultati”, thotë ai.

Terapia me rrezatim për të shkatërruar qelizat kanceroze i ka dëmtuar dëgjimin dhe shikimin.

“U jam nënshtruar trajtimeve me rrezatim në çdo zonë të kokës. Dhe mjekët më kanë thënë se nuk ka mbetur asnjë zonë pa u trajtuar. Bashkëshortja ime është e shqetësuar për gjendjen time”, thotë zoti Raaschou.

Në shumicën e rasteve, melanoma trajtohet përmes ndërhyrjeve kirurgjike ose terapive me rrezatim.

Por studiuesit në Universitetin Charles Darwin dhe Institutin Mbretëror të Teknologjisë në Melburn po hulumtojnë përdorimin e kanabisit, si një mundësi për trajtimin e kësaj sëmundjeje në të ardhmen.

Studimi është në fazat e tij fillestare, por ata zbuluan kur vendosën një ekstrakt specifik nga bima e kanabisit sativa, të quajtur PHEC-66, në një epruvetë, se ajo u bashkëngjitet receptorëve në sipërfaqen e qelizave kanceroze dhe ndërpreu rritjen e tyre.

“Bëhet fjalë për melanomën malinje, një lloj fatal i kancerit të lëkurës”, thotë Dr. Nazim Nassar nga Universiteti Charles Darwin.

Dr. Nassar është bashkautor i një studimi mbi këtë hulumtim, të botuar në revistën “Cells”.

Studiuesit tani shpresojnë të fillojnë provat me kafshët.

Kjo mund të marrë vite dhe rezultatet do të duhet të jenë të suksesshme përpara se të fillojnë provat klinike me njerëz, por zoti Nassar është i inkurajuar nga rezultatet e deritanishme.

“Kjo metodë e detyron qelizën kanceroze të kalojë në atë që ne e quajmë vdekje të programuar qelizore ose apoptozë. Dhe për ne ky studim fillestar i kryer në laborator është një rezultat i shkëlqyer”, thotë ai.

Për njerëzit që jetojnë me kancer si zoti Raaschou, çdo alternativë ndaj operacionit është një opsion i mirëpritur.

“Do të isha shumë i kënaqur nëse nuk do të më duhej të hiqja kancerin me operacion. Do të dëshiroja ta dija këtë gjë 10 vjet më parë”, thotë zoti Raaschou./VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura