SARANDE/ I ati shpreh habi, lihet i lirë. Në pranga 18-vjeçarja për trafik.
Kapet studentja në kufi me armë zjarri, arrestohet në praninë e babait të saj. Policia e Sarandës bëri të ditur se 18-vjeçarja A. Thomas akuzohet për “trafik ndërkombëtar të armëve”. Mësohet se ndalimi i saj është bërë rreth orës 04:30 të së dielës, kur në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Botës është paraqitur automjeti tip “Mitsubishi L2000”, me targa greke YXX 93 12, më qëllim që të futej në territorin e Igumenicës. Burime nga Policia bënë të ditur se në automjet ndodheshin dy persona, Stavros dhe A. Thomas, përkatësisht 39 dhe 18 vjeç, lindur në Levan të Fierit dhe rezidentë në Greqi. Edhe pse me dokumentacion të rregullt, policët kufitarë kanë kërkuar një kontroll më të imtësishëm të makinës dhe dy udhëtarëve. “Nga shërbimet e stacionit të Policisë Kufitare në Qafë-Botë, gjatë zbatimit të procedurave të analizës së riskut për kontrollin e automjeteve dhe personave gjatë daljes nga territori ynë, është ushtruar kontroll në automjetin tip ‘Mitsubishi L 2000’, me targa YXX9312, me drejtues shtetasin Stavros Thomas, 39 vjeç, nga Levani i Fierit. Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë automjet, në çantën e shtetases A. Thomas është gjetur një armë zjarri tip pistoletë, model 57”, bëri të ditur Policia.
Sipas burimeve të Policisë, kontrolli nuk është kundërshtuar nga Stavros Thomas, i cili ishte edhe drejtuesi i mjetit. Kontrolli i imtësishëm ka përfshirë edhe çantën personale të 18-vjeçares. Mes sendeve kozmetike, policia ka gjetur të fshehur një armë zjarri pistoletë “TT”, model 57, e prodhimit jugosllav. Arma është sekuestruar, ndërsa dy të dyshuarit janë shoqëruar në Komisariatin e Sarandës. Mësohet se Stavros Thomas ka shprehur habi për armën e zjarrit të gjetur në çantën e së bijës. Ai u ka thënë hetuesve se nuk dinte asgjë. “Kemi 17 vjet në Greqi si emigrantë. U kthyem para disa ditësh në Levan për çështje familjare. Nuk kam qenë asnjëherë i përzier me punë të pista. Nuk di asgjë për pistoletën. Vajza është studente në Greqi, por unë nuk jam në dijeni që ajo të jetë e implikuar në trafik, aq më tepër të armëve”, është shprehur ai. Ndërkohë, 18-vjeçarja ka pranuar autorësinë e armës, por është shprehur se e kishte gjetur në plehra dhe se e kishte marrë kot me vete për ta çuar në Greqi, pa ndonjë plan të paramenduar. “Nuk kam lidhje me trafikun e armëve, e mora pasi e gjeta te plehrat”, është shprehur 18 – vjeçarja. Pasi janë marrë në pyetje babë e bijë, policia ka prerë fletë-arrestin vetëm për 18-vjeçaren Thomas, ndërkohë që çështja i kaloi Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë, për “trafik të armëve”. Burimet policore bëjnë të ditur se arma do t’i nënshtrohet një ekspertize balistike, nëse është përdorur në ngjarje kriminale.
SARANDE/ SHPRESA DINE











