Studentët, trafik droge nga Lazarati

Jun 13, 2011 | 10:11
Droga e sekuestruar nga policia

Studentët e Universitetit të Gjirokastrës kapen teksa po tentonin të trafikonin jashtë kufirit drogën e kultivuar në Lazarat.Policia bëri të ditur se, pasi sekuestroi 70 kg marijuanë, arrestoi dy transportuesit e saj, ndërsa dy të tjerë u shpallën në kërkim, pasi arritën të largohen në drejtim të paditur. Sipas Policisë, sasia e marijuanës është siguruar në Lazarat, ndërsa në mbrëmjen e së shtunës, ajo u nis në drejtim të shtetit fqinj për t’u trafikuar. Transportues të saj ishin katër të rinj, dy prej të cilëve studentë në Universitetin “Eqrem Çabej” në Gjirokastër. Njëri prej tyre u prangos, ndërsa i dyti arriti t’i shpëtonte arrestimit. Burime të Policisë bënë të ditur se u arrestuan shtetasit Aleksandër Veshi, 28 vjeç nga Gjirokastra, dhe Gazmend Demushi, 20 vjeç nga Tropoja, student i vitit të parë në degën e Anglishtes në Universitetin e Gjirokastrës. Arrestimi i dy të rinjve ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës, nga ana e shërbimeve të Policisë Kufitare, të cilat patrullonin kufirin e gjelbër mes dy shteteve. Mësohet se rreth orës 23:00 të së shtunës, shërbimet kufitare zbuluan përmes mjeteve moderne logjistike lëvizjen e katër shtetasve në drejtim të Juglindjes së kufirit me Greqinë. Më saktësisht, personat janë vëzhguar në Grykën e Bogazit mes Radatit dhe fshatit Peshkëpi, fare pranë kufirit që ndan Shqipërinë me Greqinë. Të katër personat, përmes aparaturave kundërnate vëzhguese, mbanin mbi shpinë çanta të mëdha, të cilat dyshoheshin se kishin brenda marijuanë. Menjëherë shërbimet e Policisë Kufitare, u vunë në ndjekje të tyre. Por, kur ata pikasën policinë, hodhën çantat dhe u larguan me shpejtësi. Gazmend Demushi, studentin tropojan, i cili nuk e njihte as zonën, ishte i pari që u arrestua. Pas kapjes së tij, blutë gjetën tri çanta të mëdha shpine, brenda të cilave kishte pako të mbushura me marijuanë. Ndërkaq, poshtë fshatit Peshkëpi e Sipërme u gjet edhe një automjet i braktisur tip “Rover”, me targa italiane AC 723 PX. Në vendin e ngjarjes mbërritën edhe forca të Policisë së Gjirokastrës, të cilët u vunë në ndjekje të autorëve të tjerë. Në afërsi të përroit të Manastirit, pranë Grykës së Bogazit, u kap edhe Aleksandër Veshi, i cili ishte edhe drejtues i mjetit që u gjet i braktisur. Grupi Hetimor konstatoi se në të tria çantat ishin 70 pako, secila me nga 1 kg me marijuanë të mbështjella me letër ngjitëse. Policia ndërkohë ka shpallur në kërkim dy personat e tjerë të përfshirë në këtë trafik, të cilët dyshohet të jenë studentë në Universitetin e Gjirokastrës.

BERAT

Polica e Beratit asgjësoi 150 rrënjë kanabis sativa, ndërsa ka shpallur në kërkim kultivuesit e saj. Mësohet se blutë zbuluan në rrugë operative bimën e mbjellë në zonën e Tërpanit. Burime të Policisë bënë të ditur se bima ishte mbjellë në një pjesë toke në pyll dhe pa pronar. Pasi asgjësuan lëndën narkotike, blutë e Beratit janë duke hetuar për identifikimin dhe arrestimin e personave që e kanë kultivuar atë.

 

GJIROKASTER/ PIRO NASE

© Panorama.al

Te lidhura