Stresi e depresioni, 340 të shtruar në psikiatri në qershor dhe korrik

Jul 21, 2011 | 10:09

Vetëm për muajin qershor dhe dy javët e para të korrikut janë paraqitur në urgjencë rreth 341 persona. Bëhet fjalë për psikiatrinë. Mjekët ngrenë alarmin se stresi, ankthi dhe depresioni po shqetësojnë gjithnjë e më tepër shqiptarët. Sipas specialistëve, burimi i këtyre sëmundjeve kanë qenë problemet sociale. Nga sa bën me dije Organizata Botërore e Shëndetësisë, të sëmurët me probleme të shëndetit mendor po shtohen në mënyrë të frikshme, aq sa mendohet se në 2020-n do të zënë vendin e dytë pas sëmundjeve kardiovaskulare.
Por shqetësimi më i madh për mjekët është stigma e cila ndalon shumë të sëmurë të kurojnë sëmundjen, duke lejuar kështu agravimin e saj deri në rastet më të rënda.
Më herët, Organizata Botërore e Shëndetësisë në një studim të saj ka konkluduar se nga 500 të intervistuar prej qyteteah të ndryshme të Shqipërisë, vetëm 8% kanë pranuar se kanë kaluar probleme të shëndetit mendor, ndërkohë që 75% e tyre janë shprehur për gjendje stresi, ankthi e depresioni. Ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare të raportuara nga mjekët psikiatër, 1 në 4 shqiptarë të paktën një herë gjatë jetës së tyre kalojnë probleme të depresionit mendor. Stresi, vështirësitë ekonomike, por edhe frustrimi nga prindërit apo shoqëria mbeten sipas specialistëve shkaqet kryesore. Nga të dhënat rezulton se 20% e adoleshentëve, nën moshën 18-vjeçare, vuajnë nga probleme të zhvillimit ose sjelljes dhe 1 në 8 ka një sëmundje mendore. Shkalla e depresionit rritet me kalimin e moshës dhe prek 1/3 e popullatës mbi 50 vjeç.

© Panorama.al

Te lidhura