Strehimi në Kombinat, romët ruhen me policë

May 9, 2012 | 14:57

Familjet Rome gjatë strehimit në ambientet e ish-repartit ushtarak në Kombinat

Romët: Kemi frikë. Familjet e zonës: Ikni vetë më mirë.

Përleshja me banorët, shoqërohen në rajon 5 persona.

Ish-reparti ushtarak në Kombinat u kthye dje në shesh beteje. Banorët e zonës nuk kanë pranuar strehimin e 8 familjeve rome në ambientet e përshtatura për ta nga Ministria e Punës.
Këta të fundit gjatë gjithë paradites qëndruan në zyrat e Avokatit të Popullit, duke kërkuar vendstrehimin e premtuar. Pas transportimit pasdite për në ambientet e ish-repartit ushtarak, banorët e zonës bllokuan hyrjen, duke mos i lejuar të hynin, me pretendimin se toka është e tyre.
Menjëherë kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat patën përplasje të forta me banorët, përplasje që u përshkallëzua në dhunë. Pesë persona u shoqëruan në Rajonin Nr.6 të Tiranës për t’u lëshuar në mbrëmje vonë. Situata pas më shumë se një ore tensioni u qetësua dhe policia mundësoi futjen në ambientet e ish-repartit ushtarak e të gjithë pjesëtarëve të komunitetit rom. Këta të fundit gjithashtu nuk duan të jetojnë me frikë në strehët që Ministria ka përgatitur për ta. Forcat speciale do të survejojnë repartin gjatë gjithë natës, pasi banorët e zonës kanë kërcënuar se do t’i përzënë sërish familjet rome.
Romët e trembur, banorë të irrituar

Forcat e policisë duke ruajtur familjet rome.

“Nuk duam të rrimë me frikë këtu. Na kanë sjellë me zor. Na hipën në makinë e na sollën. Sa pamë sherrin ne donim të largoheshin, por nga rruga deri këtu lart na ngjiti policia. Po ju themi edhe njëherë se po na mbajnë me zor. Nëse banorët e zonës nuk na pranojmë, ne do ikim. U nisëm që qëparë, po na sollën prapë me presion. Nuk dimë ç’të bëjmë. Këtu nuk ka as drita dhe as ujë”, thanë disa prej përfaqësuesve të komunitetit rom. Ata pohuan se nuk duan të kenë asnjë konflikt me banorët.
Këta të fundit duket se nuk i shqetëson aspak komuniteti rom, por duan tokën e ish-repartit, duke pretenduar se është e tyrja. ”Nuk kemi asgjë me romët. Toka është e jona. Ata na thanë vetë se duan të ikin, por policia i solli me zor. Na kanë dhunuar familjet. Mirë që rrahën burrat, por nuk u ndalën as me gratë”, tha njëra prej banoreve, duke treguar shenjat në krahë. Madje, ajo nuk ngurroi as të futej brenda repartit duke i thënë fare hapur familjeve rome se nuk do t’i linin të qëndronin aty më shumë se dy ditë. ”Policia maksimumi dy ditë ju ruan. Po jua themi që tani. Më mirë ikni vetë. Këtë tokë ma ka blerë im atë me flori”, tha ajo. Gratë rome nga ana e tyre pohonin se donin të largoheshin. ”Po të jetë për ne, ikim që tani. Po s’na lë policia. Ne s’duam t’ju hapim probleme juve”, tha njëra prej tyre.
Forcat e policisë thanë se gra, fëmijë e pleq ishin pajisur me shkopinj e gurë. ”Edhe pas thirrjes që u bëmë për qetësim, vazhduan në protestën e tyre. Nuk u përdor dhunë, vetëm se forcat e policisë u përpoqën të shpërndanin turmën e mbledhur”, tha njëri prej efektivëve blu. Ai pranoi se ishin shoqëruar disa prej familjarëve, duke shtuar se lirimi i tyre pritej të bëhej disa orë më vonë. ”Sot do të qëndrojmë këtu gjatë gjithë natës. Këtë urdhër kemi marrë”, tha ai.
Përfaqësuesit e Ministrisë së Punës kishin deklaruar më herët se ky konflikt do të zgjidhej shumë shpejt dhe toka është shtetërore. ”Banorët protestojnë pa asnjë arsye, pasi toka është shtetërore. Bëhet fjalë për një ish-repart ushtarak që nuk mund të jetë në pronësi të askujt tjetër, veçse të shtetit”, thanë ata.

Rikthimi te avokati i popullit
Tre muaj më parë, familjet rome ngritën për disa ditë çadra pranë institucionit të Avokatit të Popullit. Ata mbërritën aty pas djegies së strehimeve të tyre dhe në pamundësi për të gjetur vend tjetërkund. Avokati i popullit u bë ndërmjetës, ndërkohë që institucionet kryesore ndërkombëtare u tërhoqën vëmendjen strukturave qeveritare për mënyrën si po trajtohej ky komunitet. Pavarësisht konferencave të organizuara deri tani dhe më shumë se 5 milionë euro fondesh të akorduara nga BE-ja, situata me strehimin e romëve mbetet problematike.

Kapanonet pa drita
Ndonëse problemi më i vogël pas situatës së krijuar dje, ambientet e reja të përshtatura për komunitetin rom dukeshin qartë që linin për të dëshiruar. Nuk kishin as ujë dhe as drita. Brenda dhomave ishin vendosur 6 deri në 8 shtretër marinarësh me dyshekë të vjetër. Vetë përfaqësuesit e familjeve rome thanë për gazetën se këto kushte janë të papërshtatshme. ”Me gjithë ato para që janë dhënë për ne, këtu s’ka as ujë, as drita. Shihini vetë në çfarë kushtesh do jetojmë. Ky është diskriminim. Nga njëra anë kemi frikë nga banorët, nga ana tjetër vetë shteti na trajton si mos më keq”, thanë përfaqësuesit e familjeve rome.

Kalvari i strehimit
Rreth 52 anëtarët e familjeve rome prej kohësh kanë jetuar në një kopsht në Kinostudio. Kontrata e qëndrimit në kopsht ka qenë deri më 29 prill, ndërsa pas kësaj ata i janë drejtuar për ndihmë Avokatit të Popullit. Në zyrat e këtij institucioni romët qëndruan për rreth dy javë, derisa institucionet shtetërore u garantuan se do t’i dërgonin te ish-reparti ushtarak në Kombinat. Ministria e Punës kishte premtuar që brenda muajit prill do të përfundonte rehabilitimi i reparteve dhe përshtatja e tyre për banim. Komuniteti rom ka mbetur pa strehë që pas djegies së çadrave të tyre muaj më parë te Stacioni i Trenit.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura