Strategjia e Kuzhesë: Do ta rinovoj Kombëtaren

Jun 28, 2011 | 11:58

Një revolucion i vogël, por mjaft i rëndësishëm në Kombëtare. Bakaj në vend të Skelës, ndërsa mund të jenë pjesë e pandarë e skuadrës edhe Muzaka, Vila dhe Veliu.Kjo është pak a shumë ajo që ka theksuar trajneri i ekipit tonë përfaqësues, Josip Kuzhe, në një intervistë për “Panorama Sport”. Kroati u është rikthyer duke u bërë një rezyme deri në detaj dy ndeshjeve të muajit qershor ndaj Bosnjës dhe Argjentinës, duke sqaruar përfundimisht edhe qëndrimin e tij ndaj Erjon Bogdanit. Ndërkaq, në fund edhe një refleksion për kontratën e tij me FSHF-në, të cilën e shikon si aspak problematike dhe tejet në varësi të skuadrës që do të ketë në dispozicion dhe objektivave për edicionin e kualifikimeve për Botërorin e 2014-s.
Mister, dy ndeshje në muajin qershor, dy humbje, shumë polemika në media, por edhe nga ana e lojtarëve, cili është reagimi juaj?
Shikoni, ishin dy ndeshje shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Ndaj Bosnjës unë u nisa me një strategji për të marrë më shumë se një barazim, pra, edhe për ta fituar ndeshjen. E dija që ishte shumë e vështirë, pasi luanim në “Zenica”, në një stadium me tifozëri dhe që për boshnjakët ishte mjaft deçizive. Mund të them se bëmë një lojë të mirë në pjesën e parë atje dhe, po të mos kishim pësuar gol në minutën e 60-të për atë ofsajd të munguar nga ana e Vangjelit, mbase do të kishim dalë të paktën me një barazim.
Fajësoni Vangjelin për golin e parë të pësuar?
Jo, unë nuk e kam zakon të fajësoj asnjë lojtar në veçanti, pasi në fushë luan një skuadër, dhe jo vetëm një lojtar, por po them se nëse Vangjeli në atë sulm mjaft të shpejtë dhe të befasishëm nuk do të ishte gjendur në atë vend, atëherë lojtari i Bosnjës do të kishte qenë jashtë loje dhe ndeshja mund të kishte marrë tjetër rrjedhë.
Mister, a menduat pas 45 minutave të para se mund ta fitonit ndeshjen?
Sigurisht, prandaj bëra edhe lëvizjen e Bogdanit. Shikoni, në fraksionin e parë të lojës unë pashë që mbrojtja e tyre rrinte shumë lart, gati në mesfushë, aq sa edhe mbrojtësit bënin mesfushorin, ndaj gjykova se me një lojtar zone, si Salihi, mund të përfitoja mjaft. Ndërkaq, kthehuni pak në kohë, me Bjellorusinë për shembull ne luajtëm shumë mirë edhe në momentin kur në fushë nuk ishte Bogdani. Pra, lëvizja që unë bëra ishte për të forcuar mesfushën, me idenë se vetëm ashtu mund ta fitoja ndeshjen. Sot që e rishikoj atë takim, gjykoj se kam gabuar, por edhe kur shikoj ndeshjen me Bjellorusinë ose të tjera takime që ne kemi fituar, unë gjej mjaft gabime të skuadrës sonë, por këtë herë gjërat na shkuan për keq dhe kaq.
Dakord, por Bogdani pas takimit pati deklaruar se do të rishikonte vendin e tij në Kombëtare, nëse ju do të vazhdoni ta zëvendësoni vazhdimisht…
Çdo lojtar, në rastin konkret Bogdani, ka të drejtë të thotë atë që mendon, por unë e them me bindje se zëvendësimi i tij ka qenë thjesht taktik dhe asgjë më shumë. Bogdanin e respektoj shumë si futbollist dhe e them me plot gojën se Kombëtarja ka nevojë për të, ndaj nuk duhet që për zgjidhje taktike gjithkush të zëmërohet. Unë e shikoj skuadrën në total dhe asnjëherë duke u mbështetur vetëm te një apo disa lojtarë.
Po për ndeshjen me Argjentinën?
Ishte një takim që më vlejti për të parë disa lojtarë të rinj. Them se tani e kam të qartë se cilët do të grumbulloj edhe në të ardhmen.
Për kë e keni fjalën?
Bakaj për shembull është një lojtar tashmë i fituar, që i vlen kësaj skuadre. Por, nuk mbeten pas Muzaka, Vila dhe Veliu, lojtarë këta të cilët me lojën e tyre, paçka se përballë kishin një superskuadër si Argjentina, treguan cilësi, ndaj gjykoj se janë tashmë në planet e Kombëtares për të ardhmen.
Gjykoni se Bakaj mund të jetë lojtari që mund të zëvendësojë Skelën?
Nuk e di ekzaktësisht. Bakaj është disi më ofensiv se Skela, por në tërësi duke pasur parasysh të gjithë lojtarët që kam pasur në dispozicion, ai është i vetmi që i përafrohet lojës së Skelës. Pra, me më shumë punë mund të jetë ai zëvendësuesi i Skelës, por kjo natyrisht do të shihet me kalimin e kohës.
Pas ndeshjes me Argje-ntinën thatë se do të mbani mend mirë ata që nuk pranuan të vinin në Kombëtare, duke kërcënuar, të paktën kështu u kuptua nga “senatorët”…
Jo, nuk ka qenë tamam kështu. Unë thashë se po të kisha të gjithë lojtarët, ndoshta do të kishim bërë një ndeshje tjetër. Ndërkaq, isha koshient që një pjesë të mirë të lojtarëve nuk mund t’i kisha, pasi klubet ku ata luanin nuk i lejonin që të vinin në Kombëtare, për faktin se nuk ishte një miqësore në një datë zyrtare. Edhe ata pak lojtarë që mora, që luajnë jashtë, jua them me bindje se ndërhymë disa herë në klubet ku ata luanin, me qëllim që të na i lejonin. Gjithsesi, kjo u dha një shans më shumë lojtarëve të rinj që nuk kishin luajtur më parë me Kombëtaren, për të treguar nëse vlenin, ose jo dhe në këtë kontekst them se miqësorja ia vlejti edhe pa skuadrën më të mirë në dispozicion.
Jemi në kohë merkatoje dhe disa lojtarë janë duke kërkuar skuadra të tjera, ndërsa Hyka e Lila tashmë kanë lëvizur jashtë Shqipërisë, si i shikoni këto lëvizje?
Më bëhet shumë qejfi për Lilën dhe Hykën. Shikoni, unë u kam thënë gjithnjë lojtarëve që të luajnë jashtë Shqipërisë, natyrisht në kampionate më të forta, ndaj kampionati grek në rastin konkret është më i fortë se ai shqiptar, ku lëvizjen e Lilës e shikoj në radhë të parë në të mirë të tij, por edhe të ekipit Kombëtar. Të njëjtën gjë mund të them edhe për Hykën dhe lojtarë të tjerë që mund të bëjnë lëvizjet e tyre gjatë kësaj vere.
Jeni në fund të kontratës suaj në drejtim të ekipit Kombëtar, a keni folur me presidentin e Federatës për rinovimin?
Jo, nuk kam folur ende. Kam edhe 6 muaj kohë dhe mendoj se më vonë do të rishikoj kontratën time me Federatën.
Kjo do të thotë që edhe mund të largoheni?
Kontrata për mua nuk ka qenë dhe nuk ka për të qenë asnjëherë problem. Çdo gjë unë e shikoj në varësi të punës dhe se çfarë mund të bëj në drejtim të skuadrës. Natyrisht e them pa modesti që më pëlqen të punoj në Shqipëri, pasi tani jam ambientuar, por ju them me bindje se në muajt në vazhdim pikë së pari do të shikoj se deri ku mund të arrij me ekipin Kombëtar. Jemi në fund të një edicioni kualifikimesh dhe unë dua të shikoj nëse realisht do të kem një skuadër të fortë që të bëjë një edicion kualifikimesh për Botërorin e 2014-s shumë herë më të mirë. Vetëm pasi të kem bërë këtë analizë me veten time, do të shikoj për vazhdimësinë. Ndërsa kontrata, kur të gjitha gjërat janë të qarta, firmoset edhe për dy minuta, ndaj ajo s’ka qenë dhe s’ka për të qenë problem për mua.

19 ndeshje
ka zhvilluar Kuzhe në drejtim të ekipit tonë përfaqësues, me një bilanc prej 7 fitoresh, 6 barazimesh dhe 6 humbjesh. Golavarazhi: 19 gola të shënuar dhe 21 të pësuar.

 

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura