
Ankesa nga katër paditës për pronat e konfiskuara nga regjimi komunist.
Rreth 2 milionë euro është ndëshkimi financiar që Gjykata e Strasburgut ka vendosur në dëm të Shqipërisë bazuar në ankesën e 20 familjeve, të cilave u është shkelur e drejta e kthimit dhe kompensimit të pronës. Në një deklaratë të shpërndarë dje nga Gjykata, thuhet se ky rast përbën një gjykim pilot në lidhje me moszbatimin e vendimeve administrative që kanë të bëjnë me dhënien e kompensimit për prona të konfiskuara gjatë regjimit komunist në Shqipëri. “Çështja ka të bëjë me ankesat e 20 shqiptarëve, të cilëve u është njohur e drejta e trashëgimisë mbi parcelat e tokës nga autoritetet, por nuk janë ekzekutuar vendimet përfundimtare administrative që u japin atyre të drejtën e kompensimit si një nga mënyrat e parashikuara nga ligji i kthimit të pronës në vend”, thekson Gjykata. Sipas saj, aktualisht janë 80 raste të ngjashme që presin të shqyrtohen nga Gjykata. Duke vënë në dukje se këto ankesa reflektojnë një problem të përhapur në Shqipëri për një numër të madh njerëzish, Gjykata vendosi të aplikojë procedurën e gjykimit pilot. Ajo vlerësoi se Shqipëria duhej të merrte masat e përgjithshme për të garantuar të drejtën e kompensimit brenda 18 muajve, duke nisur nga data në të cilën vendimi hyn në fuqi.
Faktet kryesore
Gjykata rendit se ankuesit janë 20 shtetas shqiptarë, të cilët janë ish-pronarë ose trashëgimtarë të ish-pronarëve të tokave të konfiskuara nga ish-regjimi komunist në Shqipëri. Sipas vendimit, e drejta e tyre e pronësisë për parcelat e tokave, që kanë një sipërfaqe afërsisht ndërmjet 600 dhe 5000 m2 është njohur gjatë viteve 1994-1996 nga komisionet përgjegjëse për kthimin dhe kompensimin e pronave, bazuar në Aktin e Pronësisë të 1993-it. Paditësit u ankuan se, megjithëse e drejta e tyre e pronësisë mbi parcelat e tokave është njohur nga autoritetet, vendimet përfundimtare administrative për kompensimin e tyre (në pamundësi kthimi) nuk kanë hyrë kurrë në fuqi. Ata mbështeten në nenin 6/1, në nenin 13 të Konventës dhe në nenin 1 të Protokollit të Konventës. Ankesat janë paraqitur pranë Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut respektivisht më 16 nëntor 2006, 4 tetor 2007, 9 tetor 2007 dhe 18 qershor 2009. Gjykata vendosi të bashkohej me ata duke qenë se ata shtronin të njëjtin problem dhe kishin të bënin me të njëjtën çështje. Vendimi u dha nga një dhomë prej shtatë gjyqtarësh.
Gjoba
– 1.000.000 euro (EUR) për dëmin financiar dhe jo financiar
– 1.000 euro për kostot dhe shpenzimet e paditësve (rasti Manushaqe Puto kundër Shqipërisë)
– 280.000 euro për dëmin financiar dhe jo financiar, si dhe 1.000 euro për kostot dhe shpenzimet e paditësve (rasti Dani kundër Shqipërisë)
– 352.400 euro për dëmin financiar dhe jo financiar, si dhe 1.000 euro për kostot dhe shpenzimet e paditësve (në rastin Ahmatas dhe të tjerët kundër Shqipërisë)
– 1.360.000 euro për dëmin financiar dhe jo financiar (në rastin Muka kundër Shqipërisë)
TRAZHGIM SOKOLAJ
© Panorama.al











