Strakosha “fryn” korçarët në Qipro

Jun 29, 2011 | 11:50

Foto Strakosha “fryn” Skënderbeun në Qipro. Në një deklaratë për mediat e vendit ishullor, ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, i cili ka qenë pjesë e stafit teknik të Apoelit para dy sezoneve, ka paralajmëruar qipriotët se nuk do ta kenë të lehtë në Korçë. Ai ka theksuar se ambienti në stadiumin e Skënderbeut është shumë entuziast dhe Apoeli nuk e ka të sigurt marrjen e një rezultati pozitiv në ndeshjen e parë. Strakosha e ka nisur prononcimin në gazetat qipriote me elozhe për presidentin Zeqo. “Ai që drejton Skënderbeun është një biznesmen energjik, i cili e mori ekipin kur ishte duke zbritur nga kategoria dhe më pas e shpalli kampion. Në Shqipëri është diçka shumë e madhe që të fitojë titullin një skuadër jashtë kryeqytetit. Skënderbeu ka lënë pas ekipe me traditë, si Tirana, Vllaznia apo Dinamo. Mendoj se Apoeli nuk do ta ketë të lehtë, kështu që e këshilloj trajnerin Jovanoviç të mbajë në tonus skuadrën. Do të ketë përballë 11lojtarë të uritur për fitore. Për ta është hera e parë që marrin pjesë në Ligën e Kampioneve. Skënderbeu kërkon të bëjë një paraqitje të mirë për tifozët e zjarrtë që ka”,- deklaroi Strakosha. Në Qipro duan të dinë gjithçka për Skënderbeun. Edhe për vetë trajnerin Ivan Jovanoviç, skuadra korçare është një e panjohur e madhe dhe kësaj serbi i pankinës i druhet. Ndërkohë, Strakosha është pyetur edhe për një krahasim mes Skënderbeut dhe Pelisterit të Maqedonisë, skuadra me të cilën tri vite më parë Apoeli është përballur në turin e parë paraeliminator të Ligës së Kampioneve. “Jo, nuk ka lidhje. Skënderbeu është skuadër shumë më e mirë se Pelisteri”,- përgjigjet direkt Strakosha, duke vlerësuar korçarët. Megjithatë, ish-portieri kuqezi tregohet realist kur thotë se Apoeli është sigurisht favorit për të kaluar turin. “Është normale të them se Apoeli ka më shumë shanse. Megjithatë, unë ju paralajmëroj, sepse entuziazmi në stadiumin e Korçës dhe etja për të fituar e Skënderbeut është e madhe, kështu që duhet ta vlerësoni seriozisht ndeshjen. Në Korçë janë të uritur për futboll dhe tifozët e mbushin stadiumin në çdo ndeshje”,- ka përfunduar Strakosha.

Ekipi ne Austri, miqesore me Shahtjorin

Skënderbeu është nisur sot në orën 07:00 nga aeroporti “Nënë Tereza” me destinacion Mynihun e Gjermanisë dhe më pas Salcburgun e Austrisë. Pas mbërritjes në tokën gjermane me avion, ekipi korçar ka udhëtuar rreth 150 kilometra me autobus, për të shkuar në vendin ku do të grumbullohet. Pritet që sot pasdite trajneri Duro të aplikojë një stërvitje të lehtë. Ndërkohë, nesër është parashikuar të luhet miqësorja me Shahtjor Donjeckun. Më pas, korçarët do të përballen edhe me gjermanët e Ingloshtadit. Gjithashtu, në datat 4 dhe 7 korrik luajnë me Timishoarën dhe Astra Ploeshtin, dy ekipet rumune që po kryejnë fazën në Austri.

Dos Santos firmos per Skenderbeun

Marko Dos Santos mund të quhet lojtari i ri i Skënderbeut. Sulmuesi brazilian që mbylli sezonin me Besën, arriti dje akordin me drejtuesit e klubit korçar. Ka mjaftuar një telefonatë e lojtarit me trajnerin Shpëtim Duro, që të bëhet fakt i kryer kalimi i tij te bardhekuqtë. Ishte pikërisht Duro ai që solli brazilianin te Besa në sezonin e kaluar dhe tashmë e afron sërish në skuadrën e tij. “Kemi rënë dakord dhe Dos Santos do të udhëtojë sot drejt Austrisë me ekipin”,- konfirmoi trajneri Duro. Lojtari, i shoqëruar nga menaxheri i tij, Kosta Grillo, firmosi kontratën dje
pasdite në Durrës.

© Panorama.al

Te lidhura