Një nga folëset në podiumin e protestës së mijëra shqiptarëve ditën e sotme ishte edhe një stomatologe që tha se ndihej e revoltuar nga situata që po përjeton vendi përballë vështirësive social-ekonomike dhe skandaleve qeveritare.
Ajo nënvizoi se ata janë populli, ata e ngritën Ramën dhe vetëm ata mund ta rrëzonin të bashkuar dhe të pa ndalur.
“Jam nënë, jam e revoltuar këtu në këtë podium, për shumë e shumë arsye, për shumë përballje në dyert e spitaleve, që janë të gjithë të korruptuar, pa përjashtim”, tha ajo teksa recitoi edhe disa vargje të aktorit të ndjerë Mirush Kabashi: “Jam shqiptar”.
Më tej vijoi duke apeluar për protesta të pandalshme deri në rrëzimin e qeverisë.
“Le të ngrihemi të gjithë, sot më shumë e nesër më shumë. Ky vend drejtohet vetëm nga ne, ne e ngritëm këtë njeri dhe vetëm ne mund ta ulim këtë njeri”, tha ajo.
Në fund stomatologia renditi edhe arsyet përse shumica e shqiptarëve largohen nga vendi.
“Ftoj të gjithë të rinjtë, të gjitha nënat të cilat për arsye shumë e më shumë bredhin dyerve e presin fëmijët e tyre, që nga 2016 që janë larguar të gjithë jashtë, të gjitha koleget e mia. Për çfarë arsye, për pagat, se nuk paguhemi. Nuk mund të na mbajnë peng, nuk duhet të dorëzohemi, sot më shumë, nesër më shumë, pasnesër edhe më shumë”, përfundoi ajo.
© Panorama.al












