Stina e nxehtë që na pret

Jun 22, 2011 | 11:09

ILIR KALEMAJ

Zgjatja ad infinitum e krizës politike të radhës është vetëm pengmarrja e radhës që klasa politike u bën fateve të demokratizimit, mirëqenies dhe integrimit të vendit. Loja me ndërkombëtarët, ku ata bëjnë sikur na këshillojnë, ne sikur zbatojmë porositë dhe prapë ngelemi në klasë në provimin e radhës, duket se iu lipset të dy kaheve të vektorëve politikë, ani pse bëjnë qokën e radhës me vizitat periodike selive të Brukselit apo Strasburgut. Në një kohë ku administrata është e nderur, në pritje të Godosë (rregullit institucional), që duket se ka harruar të vijë, plagët ekonomike dhe sociale vijojnë të mahisen.  Rënia me dy të tretat e investimeve të huaja direkte, remitancat në rënie të lirë, eksportet e pakta që nuk arrijnë të balancojnë sadopak deficitin tregtar dhe gjendja gati apokaliptike financiare e Greqisë fqinje, janë kambana që duket se nuk po dëgjohen siç duhet nga klasa politike në tërësi. Shumë reforma që kërkojnë konsensus bipartizan (shumicë të cilësuar në sallën e Kuvendit), janë lënë në sirtarët e pluhurosur të politikës shqiptare që si kaherë ka nxjerrë shpatat nga milli në përleshjet sifiziane që për veshët e diplomatëve perëndimorë ngjajnë si zukama acaruese mizash në një pasditeje vere.
Nga ana tjetër, ku kazani ballkanik zien me deklarata të përsëritura të Tadiçit, që rreket të avokatojë axhendën “shqiptare” të “Shqipërisë së Madhe”, duke anashkaluar tërësisht Prishtinën zyrtare me të cilën po negocion zyrtarisht (asnjë reagim nga Tirana në lidhje me këtë) dhe FYROM-i ngre përmendoren arkaike të Lekës së Madh (duke nervozuar në maksimum fqinjët grekë dhe bullgarë), Shqipëria, si gjithnjë është e zënë me punët e saj të vogla, të cilat nuk sosin kurrë. Duket se “ballkanizimi” si fenomen ka gjetur terrenin më fertil ndër shqiptarët, se ndryshe nuk ka si të shpjegohet kërpudhëzimi i aktorëve dhe faktorëve që rreken të bëhen protagonistë anembanë trevave shqiptare.
Nga ana tjetër, dobësia e institucioneve, nëpërkëmbja e tyre, moszbatimi i ligjit dhe mungesa e besimit institucional, shoqëruar me mungesën kapilare të rrjeteve shoqërore dhe lëvizjeve sociale të organizuara, janë kthyer në një sindromë të qëndrueshme që duket se jep dhe fotografinë më të qartë të stadit institucional ku ndodhemi. Mungesa e aktorëve të pavarur mbi palët që të kryejnë rolin e arbitrit për të zgjidhur krizat rëndom të përsëritura, është kthyer njëherazi në shkak dhe pasojë të mungesës së “rregullave të lojës” që garantojnë mbarëvajtjen e proceseve demokratizuese. Partitë në vetvete janë kthyer në taborë spikerësh që flasin me një gjuhë, përdorin të njëjtat argumente, i bien një borie dhe merren vesh veç me tarafet e tyre respektivë. Dialogu është kthyer në monolog dhe duket se as Brukseli nuk po arrin të dëgjohet në shurdhërinë politike të Tiranës.
Interesit personal të palëve për të qenë fitues me çdo kusht, madje me fitore absolute që kërkonte të hidhte knock-out kundërshtarin, iu dha knock-downi i duhur nga qytetarët, të cilët me votën e tyre treguan se ishin për balancim pushtetesh, limitim fuqie të aktorëve respektivë politikë dhe për ndryshim, natyrisht, brenda kufijve që iu lejuan. Në kushtet ku garat reale brendapërbrenda partive mungojnë, ku emërimi ka zëvendësuar prej kohësh ballafaqimin e programeve, ideve dhe projekteve, ballafaqimi antagonist ku kundërshtari shënjohet si “armik”, është transponuar në skenën kombëtare, e cila shpesh të ngjan me një arenë gladiatorësh. Të shpresojmë që përgjegjshmëria e diktuar nga lart (ndërkombëtarët, veçanërisht BE-ja) me tërheqjen/pezullimin e “karotës” së integrimit dhe “kërbaçit” të instrumenteve financiarë dhe me presion nga poshtë (qytetarët që nuk pranojnë të merren peng nga vullneti personal i aksh liderit partiak), të japë frytet e duhura në këtë stinë të nxehtë vere të saponisur.

© Panorama.al

Te lidhura