Stilistet: Femrat në modë, joshëse e që mendojnë si burra

Jul 17, 2011 | 13:18

Për të sugjeruar femrën si duhet të jetë, nuk mjafton një javë e vetme mode. Por për një pasarelë ku shkel femra me hap të sigurt, sensuale në linja dhe mendje të pushtetshme, stilistet me karrierë Anila Konomi dhe Mirela Cici zbulojnë sekretet e femrës në modë. Ato tregojnë se ka ardhur koha e femrës së butë, të egër dhe njëkohësisht sfiduese e meshkujve

Anila Konomi dhe Mirela Cici modelojnë femrën me trup sensual dhe mendje mashkulli

ANILA KONOMI: Një mesogrua është në kulmin e sensualitetit të saj

Femra që ajo sugjeron është sensuale, por që mendon si mashkull. Një veshje në stilin androgjen, dhe një mesogrua në kulmin e joshjes. Ja çfarë shpjegon stilistja Konomi:
Çfarë lloj femre na sugjeron me veshjet e tua për këtë vit?
Prej pothuajse tre vjet, idetë e mia si krijuese kanë qenë disi të çuditshme, pasi kam tradhtuar linjën time klasike. Kjo ndodh ngaqë me pëlqen të eksperimentoj e të guxoj, por edhe duke ndier që vitet e mia të jetës po kalojnë e që tashmë jam një mesogrua, mendoj t’i dedikohem sensualitetit të saj të shprehur.
Po thoni që një mesogrua është më sensuale sesa një femër e re?
Sigurisht që po. Unë mendoj se sensualiteti i një mesogruaje zhvillohet shumë dhe ndaj kam menduar për stilin e saj të veshjes. Një mesogrua është më seksi dhe ky fakt më ka ngacmuar të realizoj veshje sensuale me intrigë të fshehur. Mosha 30-45 vjeçare i bën femrat më tërheqëse dhe kjo tregohet nëpërmjet stilit të tyre të veshjes. Këtë kam dashur të nxjerr në pah me veshjet e mia…
Do të jemi në gjendje ta njohim një femër nga veshja e saj? Çfarë ke parasysh kur modelon për femër?
Veshja natyrisht zbërthen mendimin e saj dhe, në momentin që e ndërthur bukur, patjetër që veshja mund të deshifrojë mendimet e një gruaje. Duke pasur parasysh problemet sociale të kohërave të fundit, telashet e një bote maskile si këtu në Shqipëri unë kam sugjeruar një femër ndryshe, ajo është sensuale, por që mendon si mashkull. Është pak a shumë një sfidë që i shpallet mashkullit me trupin tonë, për t’i treguar se jemi të forta dhe ne si ata. Unë sugjeroj një femër të stilit androgjen, që ka forcën e një mashkulli në mendim, por që josh me finesë trupore.
E përkthyer kjo ide në veshje konkrete, cilat do të ishin ato?
Janë pantallonat e shkurtra me bel lartë, vatë që tregon potencë, fraku, getat rrjetë, kapelat, bastuni dhe patjetër që nuk mungon linja sensuale. Duke përdoruar materialet saten e mëndafsh dhe dantellën me shumë masë, edhe në sfilatë iu përmbajtja stilit të rafinuar. Kësaj here kam bërë një tradhti me ngjyrat e ndezura, ndërsa ruajta me fanatizëm stilin e prerjes.
Në aspektin e joshjes mendon se ky është shekulli i meshkujve, pra janë ata në qendër të vëmendjes më shumë se femrat?
Në fakt, ka shumë njerëz që s’mund t’i udhëheqësh nga orientimi seksual. E në këto veshje e kam kapur këtë ide, duke e konsideruar si një pikë të fortë të krijimeve të mia, pasi dua ta lë modelen të ndihet edhe si femër, edhe si mashkull në të njëjtën kohë, duke pasur parasysh këtë që thoni. Nuk e di sa është përkthyer nga publiku stili androgjen i veshjeve të mia në koleksionin tim të ri, të cilave u përshtatej fytyra e patinuar mirë me make up, vetulla e trashë që jep idenë e një femre maskile.
Duket se të brendshmet kanë dalë jashtë mode. U shkon femrave sot të veshin vetëm një fustan në një festë?
Patjetër që  po, pasi ideja ngacmon vetë imagjinatën e femrës, vetëm se duhet të respektohet orari i veshjes së tillë. Nëse femra frekuenton një club dhe ka menduar të jetë sensuale, pse jo?! E sugjeroj mospërdorimin e tyre në një mbrëmje gala, ashtu si në botë femrat e bëjnë me kohë.
Po mashkullin si e sheh në Shqipëri dhe si do e sugjeroje të ishte?
Vitin tjetër do të shikoni nga unë një koleksion meshkujsh për këtë do studioj karakterin e tyre fare mirë për të sjellë mashkullin si duhet të jetë. Mashkulli në Shqipëri është maskilist dhe patriarkal. Gjithashtu është e vështirë t’i lexosh mendimet e tyre, pasi kanë armë të forta kostumin dhe kravatën, pas të cilave fshehin gjërat që bëjnë. Kanë personalitet të dyfishtë dhe femrës i duhet shumë mençuri për t’u hequr maskën.

MIRELA CICI: Intriga e të brendshmeve nuk duhet zhdukur

Kishte 29 modele që sfiluan në pasarelë. Me një koleksion të brendshmesh me klas, stilistja Cici provokon fantazinë e të gjithëve me femrën e paturpshme, ndërsa shfaqet vetëm me të brendshme.
Një koleksion vetëm me të brendshme, pse kjo ide?
Ideja më lindi ngaqë kisha vërë re se stilistët tanë nuk e praktikojnë modelimin e biankerisë, pasi çdo gjë është e importuar. E mendova si ide fillestare një femër të veshur me të brendshme dantellë e organcë për ta kaluar pastaj me fustanet lëkurë të të gjitha ngjyrave për të transmetuar një lloj pozitiviteti në jetën tonë. Duke menduar që materiali lëkurë në këtë periudhë është tendencë me zinxhirin që është veçanti e veshjeve të mia, vendosa ta sjell sërish, pasi e tregon femrën njëkohësisht sensuale, praktike dhe të egër. Gjithashtu, në një konceptim të tillë nuk mungojnë getat rrjetë dhe fjongot.
Ndërkohë flasim për linjën e të brendshmeve, çfarë fsheh një femër e veshur kështu?
Është një lloj femre që në pamje të parë duket sensuale, e ngrohtë apo “hot”, por për të ruajtur klasin jam përpjekur që të sjell femrën që edhe pse është e zhveshur, ajo të duket e veshur me dantellën dhe organcën, materialet e holla fine, ëmbëlsinë dhe sensualitetin. Kam bërë një miksim që m’u duk interesant nëpërmjet të ëmblës dhe egërsisë. Nuk e kisha parë diku tjetër dhe thashë pse të mos e realizoj unë. Dhe sigurisht me veshjet e mia shes idenë për veshjet skenike apo këngëtarët që duan t’i përdorin në videoklipe.
Ky lloj stili që servir e pranon flokun e gjatë apo floku del jashtë mode në këtë rast?
Në fakt, veshjeve të tilla u shkon ideja e flokut të mbledhur sipër. Në rastet kur veshjet janë me supe dhe jakë, koka duhet të jetë shumë e pastër, me modelimin e një topuzi të mbledhur lart. Ndërsa i kuqi i buzëve shkon në ngjyrën vishnje ose një nuancë neutrale.
Duket sikur vjen me një koleksion të tillë jo në momentin e duhur, pasi vëmë re tendencën në botë për t’i nxjerrë jashtë loje të brendshmet. Je për asgjësimin e tyre nga gardëroba e veshjeve të mbrëmjes?
Absolutisht jo, megjithëse kjo pyetje u duhet bërë meshkujve. Unë personalisht e shoh femrën shumë herë më të bukur dhe eksituese të veshur me të brendshme, sesa nudo. Ndërsa nëse bëhet fjalë për pasarelën, ajo është vizion që i sugjeron audiencës stilin e vet të veshjes. Pasarela është thjesht një ekspozitë pasioni dhe jo nudoje apo pornografi dhe, nëse do e bëja një gjë të tillë, do hiqja dorë nga krijimtaria si stiliste.
Meqenëse veshja na përfaqëson në një farë mënyre, cila është femra që me stilin e saj pëlqehet nga të gjithë tipat e meshkujve?
Veshja është një lloj pasaporte jona. Një mashkull duhet të jetë më afër shijes së një femre që është e zhveshur dhe duket si e veshur (nëse bëhet fjalë për të brendshmet). Ndërsa për veshjen e përditshme mjafton një fustan me dekolte normale, me gjatësi mbi gju e takë që i shkon dhe do të pëlqehet nga të gjithë tipat e meshkujve.

 

KLOTILDA HARKA

© Panorama.al

Te lidhura