Stevens: Po mësoj shqip dhe hipizëm për Skënderbeun

Jun 13, 2012 | 15:50
Tenori Roy Stevens gjatë provave në Teatrin Kombëtar të Operës e Baletit

Ai do të jetë një Skënderbe tek të 50-at, trupmadh, me zë të fuqishëm, me mjekër, përkrenare e shpatë në dorë, bash si e kemi imagjinuar gjithnjë Heroin Kombëtar. Vetëm se Skënderbeu që do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit nuk do të jetë aspak shqiptar, por amerikan. Quhet Roy Stevens dhe vjen nga Kalifornia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Arsyeja që këtë rol do ta interpretojë pikërisht ai, lidhet me zërin e  veçantë, që ngjason me atë të Xhoni Athanas, për të cilin është krijuar roli, por edhe me dhuntinë për të mësuar gjuhë të huaja. Shqipja është gjuha e 13-të në të cilën interpreton. Stevens, i cili tashmë ka kënduar në 20 vende të ndryshme të botës dhe në skena të mëdha si La Scala, Metropolitan etj., e ka marrë me shumë qejf interpretimin e rolit të Skënderbeut. Ka bërë kërkime rreth figurës së tij dhe i mëshon idesë që ta sjellë atë jo vetëm si një hero, por edhe si një njeri me personalitet të fortë e një diplomat. Përveçse do të këndojë në gjuhën shqipe, Stevens do të duhet të hyjë në skenë mbi kalë. Kështu që këto ditë këngëtari po merr edhe mësime hipizmi, por jo siç mund ta bëjnë të gjithë, por sipas “shkollës së vjetër”, vetëm me një dorë, pasi me tjetrën do të duhet të mbajë shpatën. Në një intervistë, Roy Stevens na tregon për eksperiencën e tij shqiptare.
Një këngëtar amerikan që vjen në Shqipëri për të interpretuar Heroin Kombëtar, ç’menduat kur jua propozuan këtë rol?

Tenori amerikan, Roy Stevens

M’u kërkua që të vija të luaja Skënderbeun. Kam qenë këtu tre vjet më parë në vitin 2009 për operën “Salome” dhe ishte një rast shumë i mirë për të debutuar në Shqipëri. Kam kënduar në shumë vende të botës dhe Shqipëria ishte një eksperiencë e re, një vend i ri, një gjuhë e re, njerëz të rinj për të takuar dhe kjo më pëlqen shumë. Të them të drejtën, më pëlqeu ideja që të vija këtu për “Salomenë”. Një eksperiencë dhe një botë e re për mua, kështu që kur isha këtu në tetorin e vitit 2009, maestro Ciko më tregoi idenë e tij për vënien në skenë të “Skënderbeut”. Meqenëse presidenti Willson ka ndihmuar krijimin e shtetit shqiptar në vitin 1912, do të ishte interesante të ishte një amerikan që të luante rolin e Skënderbeut. Aq më tepër që ky rol ishte luajtur nga Xhoni Athanas, i cili kishte një zë shumë të ngjashëm me timin, që është një zë i rrallë dhe gjithashtu jeton në Amerikë. Kam kontaktuar me të përmes vajzës së tij Mirela Athanas, përmes Facebookut, madje dje mora një mesazh nga maestro Athanas. Pra, mbajmë kontakte të vazhdueshme. Më pëlqen shumë ideja për të luajtur Skënderbeun, një figurë me një rëndësi të madhe historike, politike, globale dhe ky rol është shumë më tepër se të kënduarit.
Përpara se të vinit në Shqipëri, keni bërë kërkime mbi historinë tonë, mbi Skënderbeun, në mënyrë që të hynit në karakterin e tij?
Që përpara se të vija për “Salomenë”, kreva shumë kërkime mbi Shqipërinë, kështu që e njihja edhe Skënderbeun qysh atëherë. Madje me gjithë artistët e “Salomesë” udhëtuam për në Kalanë e Krujës, ku pashë muzeun e Skënderbeut dhe statujën e tij. Pasi mora këtë rol, nisa të kërkoja shumë më tepër mbi historinë dhe tashmë di shumë për Skënderbeun dhe historinë tuaj, ndoshta më shumë se dhe shumë shqiptarë. Sepse teksa rritesh me historinë, ndoshta nuk mendon shumë për të, kurse unë, duke qenë i jashtëm, doja të dija më shumë. Kështu ka ndodhur edhe me regjisorin Caelo Saleti, i cili është shumë i interesuar për historinë e Shqipërisë dhe Heroin tuaj Kombëtar gjithashtu, pasi është duke përgatitur “Skënderbeun” e Vivaldit në muajin nëntor. Pra ka kryer shumë investigime. Qëllimi ynë është që ta japim figurën e Skënderbeut më shumë se një hero, edhe si një njeri shumë karizmatik dhe me një personalitet shumë të fortë, që sigurisht ka qenë edhe një lider shumë i mirë që ka drejtuar vendin dhe ka krijuar marrëdhënie diplomatike me vende të tjera. Të gjitha këto ne duam t’i shfaqim në opera dhe mendoj se maestro Saleti do sjellë një spektakël shumë interesant.
Do të këndoni në gjuhën shqipe, ju është dukur e vështirë?
Është e vështirë të këndosh në cilëndo gjuhë të botës, madje edhe në gjuhën tënde, pasi aty e merr rolin lehtë, pasi ti e di se përse bëhet fjalë, si duhet të tingëllojë etj. Ndërsa kur duhet të këndosh në gjuhën e dikujt tjetër, duhet të përpiqesh shumë që të arrish një artikulim të mirë, të drejtë, që për shqiptarët, italianët, apo për këdo qoftë, të mos jetë fyes apo i mërzitshëm artikulimi im, aq më tepër në një rol si ky. Se në fund të fundit kushdo mund të thotë se pse duhet të vijë një i huaj për të luajtur Heroin tonë Kombëtar, me një theks të keq, që dallohet që është amerikan…?!
Kush ju ndihmon?
Kur isha këtu tre vjet më parë, maestro Ciko më tregoi muzikën dhe pas finales së “Salomesë” i kërkova kolegut tim Erlind Zeraliu që të mund të shqiptonte të gjitha fjalët për mua. Më duhej të kisha të artikuluar dhe të përkthyer çdo fjalë dhe çdo skenë. Kështu që, kur u ktheva në shtëpi, kam mësuar shqiptimin e fjalëve përmes një shqiptari të lindur. Kam punuar shumë me aparatin e gojës, me muskujt e mi, stilin tim, si të mund t’i thosha fjalët në mënyrë të drejtë. Kjo është gjuha ime e 13-të, kam kënduar në 12 të tjera më parë në 20 vende të ndryshme në 5 kontinente dhe kjo është një lloj dhuntie imja. Unë nuk jam një këngëtar i madh, jam një këngëtar i mirë, jam një aktor i mirë dhe ajo çka më bën të veçantë, është se mund t’i bëj bashkë të tria këto gjëra. Mendoj se arrij të artikuloj mirë. Kur kam ardhur këtu, mundet që shumë artistë të kenë menduar se përse duhet një amerikan për të luajtur Skënderbeun, pasi shqiptimi do të jetë i tmerrshëm, nuk ka arritur asnjë artist të këndojë shqip më parë dhe përse duhet ky që ta realizojë… Por qysh kur më kanë dëgjuar në fillim, kanë thënë: uau, ju keni një shqiptim normal shqiptar. Kam lexuar dialogët, që për këngëtarët shqiptarë mund të jetë e vështirë, sepse janë në dialekt, kurse për mua është njëlloj, pasi kam mësuar fjalët që janë atje. Ndoshta nuk do të jem perfekt, por besoj se do të shkojë mirë.
Kemi mësuar se do t’ju duhet të hyni në skenë mbi kalë, është kjo një eksperiencë e njohur për ju?
Nuk e kam bërë kurrë këtë gjë më parë. Kam ngarë kuaj për qejfin tim në Kaliforni. Është shumë e vështirë të fusësh kuaj në skenë, sepse gjithnjë do të ketë probleme. Unë vij nga një vend që njihet si Modesto dhe aty pranë është një vend që e quan veten kryeqendrën botërore të kaubojve, kështu që në ato anë ka shumë kuaj dhe mund t’i ngasësh për qejf. Por kësaj here bëhet fjalë për tjetër gjë. Më duhet të marr mësime kalërimi dhe këtë po e bëj në kompleksin “Panto” në Mullet. Bashkë me mjeshtër Izetin po mësoj të kalëroj një kalë të ardhur nga Anglia, shumë i bukur. Tashmë jam duke mësuar që të kalëroj jo me të dyja duart, por me metodën e vjetër, me një dorë, sepse dorën tjetër duhet ta kem të lirë për shpatën. Ndërkohë që do të jem i shoqëruar nga dy kalorës të tjerë profesionistë, të cilët do të kontrollojnë gjithçka. Ndërkaq më duhet që edhe të këndoj mbi kalë.
Keni kënduar në skena të mëdha si në La Scala, Metropolitan, si ju duket teatri ynë, aq më tepër që tashmë jeni familjarizuar me të?
Nuk ka asnjë teatër që të jetë perfekt. Edhe në teatro të mëdhenj si në La Scala, i cili ka para, madje shumë para, çka është e mrekullueshme, jo gjithnjë vihen opera të mira. Shumë para, shumë diva, shumë ego, shumë probleme. Ndodh që në vende ku nuk ka shumë para, mund të ketë shumë interes për të bërë një punë të mirë. Mendoj se ju keni sinqeritetin dhe dashurinë e pastër për teatrin dhe për ta bërë ëndrrën e vërtetë me çdo mënyrë. Sigurisht që ky teatër nuk është perfekt, ka shumë probleme, por njëkohësisht është vërtet i mirë, sepse arrin që entuziazmin e jashtëm ta kthejë në një entuziazëm të brendshëm, për të punuar së bashku dhe për të bërë diçka të veçantë. Opera mund të duket si diçka budallaqe, sepse njerëzit nuk ecin të rrugë dhe përshëndesin njerëzit duke kënduar: Përshëndetje, si po ia kaloni? (këndon) Kurse në opera mundemi. Aty gjejmë zërat më të bukur njerëzorë që këndojnë, duke i shtuar orkestrën, baletin, skenografinë, shumë gjëra. Dikur kam parë dy opera në publik dhe kam qarë gjatë gjithë shfaqjes. Kjo është opera për mua. Ndaj edhe unë merrem me opera, sepse është e mrekullueshme.
Nga ky mallëngjim ka lindur dhe dëshira për operën?
Unë nuk e kam filluar me zërin tim natyral. Shpesh dëgjojmë një zë të bukur dhe themi: “Ti duhet të bëhesh një këngëtar lirik”. Unë nuk kisha një zë të mirë, por kam qenë një aktor i mirë. Kam marrë pjesë nëpër muzikale kur isha adoleshent. Me kohë kuptova se një mësues i mirë mund të “ndreqte” muskujt e mi dhe zëri im mund të ndërtohej. Kështu që unë kam një zë të ndërtuar, jo natyral. Duke iu kthyer pyetjes suaj, unë merrem me opera, sepse e quaj atë një sfidë. Të këndosh opera është gjëja më e vështirë që mund të bësh me zërin tënd. Por edhe e dua operën, gjithashtu. Dhe kjo mundësi që më jepet që të këndoj në shqip dhe të bëj një rol të tillë përtej operës, është një sfidë e madhe.
Pas Skënderbeut, do të luani ndonjë hero tjetër?
Ime shoqe është gjithashtu një këngëtare lirike dhe së bashku kemi ngritur një aktivitet të veçantë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që ka në thelb edukimin e fëmijëve, adoleshentëve, të rinjve mbi operën, gjuhët, kulturat e tjera. Në Amerikë shumë njerëz nuk dinë asgjë për vendet përtej territorit të tyre. Kështu që ne i mësojmë ata mbi Shqipërinë, Italinë, vende të tjera, u tregojmë se sa është ndikuar kultura amerikane nga kulturat e tjera, se sa të lidhur jemi. Kjo është shumë e rëndësishme për ne. Kur nuk kam ndonjë rol interesant për të bërë, unë merrem me këtë punë, që ka të bëjë me forcimin e brezave të ardhshëm. Unë e kam ndërtuar karrierën time dhe tashmë nuk më intereson. Nëse ka diçka të mirë për mua, atëherë unë e bëj. Unë e di se çfarë dua dhe ku.

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura