Mund të ketë shumë arsye, të cilat mund të bëhen mal i madh për të na zënë dyert e BE-së. Por, pa dyshim, arsyet që duhet të marrim statusin janë më të rëndësishme jo vetëm për ne shqiptarët, por për të gjithë ata të qytetëruar të këtij kontinenti që ka mundur të jetë për kombet më shumë se sa gjykues, një promotor për të përçuar aleancën dhe solidaritetin.
Shqiptarët në këto 20 vite kanë treguar se janë populli më pro-europian i rajonit. Kanë qenë faktor paqeje dhe të gjitha qëndrimet kanë qenë kundër urrejtjes ndaj të tjerëve, duke shmangur përplasje që zakonisht në Ballkan kanë qenë lehtësisht të realizueshme në çdo kohë. Ndërkaq, çka është edhe më interesantja, ndërsa gjatë këtyre viteve në mbarë botën flitet për beteja mes qytetërimeve, shqiptarët kanë shekuj që tregojnë se të gjitha besimet fetare mund të bashkëjetojnë pa kurrfarë konflikti, madje duke shërbyer si ura lidhëse, si një frymëzim për dorëdhënien mes njëri-tjetrit.
Por, në të njëjtën kohë, Europës nuk i duhet assesi të harrojë së shqiptarët kanë ende të freskët në jetët e tyre shenjat e diktaturës më të egër, të pakrahasueshme me asnjë diktaturë tjetër në Europë. Kjo e kaluar në jo pak raste ka nxjerrë kokën duke tentuar të mbysë hapat e hedhur në drejtim të të qenit pjesë e Bashkimit Europian, pjesë e një shteti ku zotëron ligji dhe vlerat. Kjo e kaluar vijon të ketë shenjat e veta në marrëdhëniet sociale, në ekonomi, në shkolla. Kjo e kaluar shihet te marrëdhëniet qytetar-shtet, ku ende të gjitha zgjidhjet shihen tek qeveria, e jo tek aftësia për të ndryshuar apo vetëndryshuar, për të kërkuar llogari apo për të dhënë shembullin e zbatimit të ligjit, siç ndodh rëndom në vendet europiane, duke nisur që nga vendet fqinje, që shqiptarët i njohin goxha mirë.
Por, shumica e shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë sot në mbarë Europën kanë treguar aftësi të jashtëzakonshme integrimi, duke hapur një dritare të re për gjykimin e bashkatdhetarëve të tyre, që mund të jenë nesër qytetarë të denjë, si të gjithë qytetarët e Europës.
Pikërisht për të inkurajuar ndjesinë e njeriut të ligjit, e njeriut që ka mundësinë të ndryshojë, BE duhet të hapë dyert. Ne, duam apo nuk duam, jemi qytetarë të Europës, bashkudhëtues në shekuj e shpesh edhe bashkëviktima apo bashkëfitues të betejave. Historia ishte ajo që për disa dekada e veçoi këtë vend, duke e lënë jashtë vrapit që bënë shumë vende të tjera që dolën nga Lufta e Dytë Botërore mes rrënojave. Por shqiptarët janë dëshmitarët se rrënoja që lë diktatura është ndoshta rrënoja më e pariparueshme, pasi lufta të plagos, ndërsa diktatura ka procesin e antinjeriut, dukë sjellë shpërfytyrimin, një shpërfytyrim që ende ka vulën e vet në jetën e shumë shqiptarëve.
Bashkimi Europian, në emër të vlerave, ka mundësinë t’ua hapë derën shqiptarëve. Më pas, duhet edhe të jetë një gjykues i rreptë i hapave tanë, por ama, nga dera që duhet hapur për të shkuar drejt tyre. Ndoshta edhe duke inkurajuar debatin e hapur se si e mendojnë sot shqiptarët të qenit qytetar i BE-së, i marrëdhënieve kulturore, sociale, e sidomos të konceptit të marrëdhënieve mes qytetarit dhe institucioneve. Por, një “provim” i tillë është nëse na pranojnë në “klasën e tyre”.
Ndaj, për të mos shkuar aspak drejt peshores të asaj që kemi bërë dhe asaj që nuk kemi bërë, por drejt asaj që mundet të na bëjë më të mirë, kjo dorë e BE-së duhet të shtrihet drejt shqiptarëve. Madje, asnjë shqiptar nuk meriton të ndëshkohet nëse klasa politike nuk ka arritur të bëjë mirë detyrat e veta.
Ndaj, duke besuar tek ajo që dëshirojnë shqiptarët e, për më tepër, për atë që mund të sjellë mes shqiptarëve fitimi i statusit si vend kandidat për në BE, kjo derë duhet të qëndrojë hapur.
© Panorama.al












