
Takimi me gazetarët në Bruksel: S’ka notë kaluese pa plotësuar standardet.
“Zgjedhja e Presidentit, jo kusht i 13-të, por garanci”
Shqipëria do ta ketë të vështirë të përmbushë 12 kushtet e vendosura nga Brukseli deri në tetor të këtij viti, kur do të jepet rekomandimi për marrjen ose jo të statusit të vendit kandidat në BE.
Pavarësisht klimës optimiste të përcjellë ditët e fundit, pas vizitës së komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle, në Tiranë, një pjesë e zyrtarëve në departamentet që merren me monitorimin e zbatimit të hapave që po ndjek Shqipëria, mbeten skeptikë. Publikisht deklarohet se ata shpresojnë që të përmbushen 12 përparësitë kyçe, që na ndezin dritën jeshile për të marrë statusin. Ndërsa ajo që u la të kuptohej nga bisedat informale, gjatë vizitës së një grupi gazetarësh shqiptarë, pak ditë më parë në departamentin e Zgjerimit të Komisionit Europian, ishte se në muajt që kanë mbetur rezultatet e reformave për të përparuar drejt BE-së nuk janë mision i lehtë. Kjo, sipas teknicienëve të Brukselit, për disa arsye. Së pari, vendet anëtare duket se do të mendohen dy herë përpara se të intensifikojnë politikën e zgjerimit. Dy shtetet e reja që iu bashkuan familjes evropiane, Rumania e Bullgaria, sollën jo pak probleme sipas tyre, ndaj pranimi i vendeve të tjera është një proces që do të monitorohet imtësisht. “Ne jemi në krahun tuaj, por nuk mund të vëmë notë kaluese nëse ju nuk plotësoni standardet”, thanë zyrtarët gjatë takimeve me gazetarët. Nga ana tjetër, për shkak të krizës ekonomike që ka përfshirë Bashkimin Europian, zgjerimi me anëtarë të rinj është zhvendosur, duke mos qenë më prioritet. Pavarësisht se ky fakt nuk pranohet hapur. Komisioni Europian gjatë monitorimit që po i bën vendit tonë, për momentin vëmendjen e ka të fokusuar në dy çështje të mprehta, si ajo e reformës zgjedhore dhe parlamentare. “Shqipëria i ka të hapura dyert për në Bashkimin Europian, por përparimi i saj në këtë rrugë varet nga vullneti i vetë shtetit tuaj. Ne shpresojmë që marrëveshja e nëntorit mes partive politike, si një nga kushtet prioritare, të finalizohet, në mënyrë që Shqipëria të shënojë progres”, tha Pierre Mirel, drejtor për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Europian për Zgjerimin.
Zgjedhja e Presidentit garanci, jo kusht i 13-të
Ndërkaq, nga sa deklaruan zyrtarët e Brukselit, zgjedhja e Presidentit në përputhje me Kushtetutën nuk është një kusht i 13-të që duhet të plotësojë Shqipëria, por në këndvështrimin e tyre mbetet një element me rëndësi madhore, si tregues i reformave të ndërmarra për t’iu qasur axhendës europiane të zgjerimit. “Viti 2012, që përkon edhe me 100-vjetorin e pavarësisë, është viti i mundësive për Shqipërinë. Zgjedhja e Presidentit sipas një procedure që i përmbahet Kushtetutës, nuk është një shtesë në 12 prioritetet kyçe të vendosura për t’u plotësuar, por është domethënës për t’u dhënë atyre garanci. Kjo do të krijojë mundësinë për të demonstruar funksionimin e mirë të institucioneve demokratike”, tha Bert Kuby, zyrtar në tryezën politike të bisedimeve për Shqipërinë në Komisionin Europian. Sipas tij, është vendimtare që koha që ka mbetur në raportin e progresit të Komisionit, i cili do prezantohet në tetor, të përdoret si duhet për të treguar vullnetin e duhur politik në integrimin e mëtejshëm europian. Gjithashtu, Kuby nënvizoi nevojën për përqasjen e axhendës integrimit në BE-së në axhendë kombëtare si proces gjithëpërfshirës, mes qeverisë, opozitës dhe shoqërisë civile.
Analiza për fqinjët
Gjatë një përmbledhjeje që u bëri rezultateve të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor, Pierre Mirel vlerësoi pozitivisht hapat e ndërmarra nga Mali i Zi pas marrjes së statusit. Ai theksoi se në qershor do të nisin negociatat e anëtarësimit me këtë shtet. Në Maqedoni, sipas Mirel, çështja e emrit mbetet pengesa kryesore, ndërsa Serbia pas marrjes së statusit po monitorohet për përmbushjen e kritereve të anëtarësimit. Bosnja ka ende mjaft probleme në funksionimin e shtetit, duke dëmtuar axhendën e reformave të integrimit.Kosova, duhet konsensus për anëtarësimin
Perspektiva europiane e Kosovës varet para së gjithash nga konsensusi i vendeve anëtare për ta pranuar si pjesë e axhendës së integrimit. Sipas zyrtarëve në Bruksel, për zbatimin e çfarëdolloj politike të zgjerimit, duhet konsensus, çka mungon momentalisht, pasi vetëm 22 nga 27 vendet anëtare e kanë njohur si shtet të pavarur. Megjithatë, dialogu i nisur me Kosovën në kuadër të garantimit të shtetit të së drejtës dhe procesit të liberalizimit të vizave do të vazhdojnë. Nga sa pohuan zyrtarët e Brukselit, aplikimi i reformave që kanë ndikim në forcimin e shtetit demokratik dhe normalizimi i mëtejshëm marrëdhënieve me Serbinë. Por, sipas zyrtarëve në Bruksel, anëtarësimi i saj mund të shkaktonte probleme, duke gjeneruar një rritje të emigracionit.
Nga Brukseli ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











