Statusi i Invalidit, opozita: Ka 10 mijë abuzues, të ndryshojë ligji

Feb 14, 2012 | 10:51
Komisioni i Ekonomisë

Opozita dhe maxhoranca janë ndalur gjatë dje në diskutimin e dy projektligjeve që lidheshin me statusin e invalidit dhe atë të të verbrit. Shkak është bërë deklarata e kreut të shoqatës që përfaqëson këto dy komunitete, Sinan Tafaj, i cili u shpreh se nga 25 mijë qytetarë që rezultojnë në lista si përfitues nga skema, rreth 10 mijë prej tyre janë abuzues. Si referencë ai ka marrë kompensimin e energjisë, ku te CEZ Shpërndarje rezultojnë 25 mijë përfitues. Pikërisht kësaj deklarate i janë referuar deputetët e Partisë Socialiste, të cilët kanë kërkuar që të ndryshohet ligji në kuadër të përmirësimit të procedurave dhe monitorimit. Deputeti Ilir Bejtja propozoi që komisioni që jep statusin e invalidit apo të të verbrit të jetë një komision miks i palëve. Për deputetin Erjon Braçe, shqetësim nuk përbën masa e përfitimit, por mënyra sesi menaxhohen procedurat. Ai kërkoi madje që Prokuroria të jetë e vëmendshme për këtë aspekt. Braçe nuk nguroi që të hidhte dyshime se në listën që thuhet se janë 25 mijë invalidë që përfitojnë mund të ketë dhe emra fals që mbulojnë ndonjë biznes. Për deputetin Arben Malaj, skema nga e cila përfitojnë invalidët dhe të verbrit që kompenson një pjesë të energjisë, transportit apo telefonisë duhet të menaxhohet më mirë, pasi keqmenaxhimi krijon gropë në buxhet. Në këtë pikë ai kujtoi pagesat e prapambetura ndaj kompanive që ka buxheti, të cilat kanë efekt zinxhir. Deputeti i PD-së, Sherefedin Shehu, kërkoi që të ndërtohet një bazë elektronike të dhënash dhe të menaxhohet nga një institucion në mënyrë që të mos ketë abuzime.

© Panorama.al

Te lidhura