Ndryshimet në projektligjin për statusin e invalidëve dhe të verbërve u miratuan dje pa votat e opozitës. Mbledhja e Komisionit të Shëndetësisë dhe Çështjeve sociale u shoqërua me debate mes përfaqësuesve të dy forcave politike. Opozita ka kërkuar që të pranishëm të ishin edhe përfaqësues të CEZ-it dhe Shërbimit social, ndërsa nuk ishin dakord me ndryshimet. Ata kanë kërkuar sqarime për mënyrën si shpenzohen rreth 30 milionë dollarët e fondeve që akordohen për këto kategori. Një tjetër kërkesë ishte që ligji të miratohet pasi të identifikohen abuzimet. “Duhet një databazë që ata mund të kenë për individët me aftësi të kufizuar dhe të bëhen ballafaqime për të verifikuar përse nuk ka përputhje numrash. Ministria ka një listë me 140 mijë emra të personave me aftësi të kufizuar”, ka deklaruar Eglantina Gjermeni, deputete e PS. Duke iu referuar akuzave të përfaqësuesve të personave me aftësi të kufizuar për fryrje artificiale të listave të përfituesve, vetë titullarët e Shërbimit social dhe Ministrisë së Punës pranuan se ka abuzime në shuma të mëdha. “Ka rezultuar se ne i kemi miliona lekë borxh CEZ-it. Këto lista po hartohen me emra e mbiemra nga persona përgjegjës, që zotërojnë librezën dhe abuzojnë”, ka deklaruar përfaqësuesja Denada Seferi. Ish-ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, ndonëse konfirmon që ka abuzime nga kompanitë e transportit, u shpreh se projektligji duhet të miratohet: “Ta kalojmë siç është, nen për nen, këtë ndryshim dhe t’i japim vëmendjen e duhur hartimit të një ligji integral që të na shërbejë të gjithëve. Unë e di nivelin e abuzimit që bëhet nga transportuesit dhe CEZ-i”, deklaroi Kosta Barka, deputet i PBDNj. Pas debateve, deputetët e opozitës kanë braktisur mbledhjen e Komisionit, duke mos pranuar ndryshimet. Ato përfshijnë transportin, kompensimin e energjisë dhe telefonin. Në axhendë ishte parashikuar miratimi nen për nen i projektligjit.











