Statusi, Fyle do të flasë në Kuvend

Apr 29, 2012 | 12:05
Stefan Fyle

Komisioneri për Zgjerimin do të vijë në Tiranë të enjten e ardhshme. Vizita, pak muaj para progres-raportit.

Në axhendë, takime me Topin, Topallin dhe Berishën.

Vizita e lajmëruar në Shqipëri e komisionerit për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fyle, në datën 3 maj, ka vënë në lëvizje Protokollin e Shtetit dhe institucionet e tjera, për përgatitjen e axhendës.
Përveç takimeve që do të zhvillojë me krerët e lartë të shtetit, fillimisht me Presidentin e Republikës, Kryeministrin dhe kryetaren e Kuvendit, mësohet se vizita komisionerit Stefan Fyle do të kulmojë me një fjalim në Parlamentin e Shqipërisë. Burime nga Kuvendi bënë të ditur se tashmë është konfirmuar në axhendë fjalimi i zotit Fyle para deputetëve të dy forcave politike, ngjarje që zhvillohet për herë të parë në seancë plenare. Kjo edhe për faktin se data 3 maj korrespondon me ditën e enjte, ku Parlamenti zhvillon rregullisht mbledhjet javore. Pritet që pikërisht në foltoren e Kuvendit, komisioneri Fyle të vlerësojë arritjet e deritanishme të klasës politike në miratimin e një sërë ligjesh, që kërkonin shumicë të cilësuar votash, gjithashtu dhe inkurajim për të për përfunduar sa më parë reformën zgjedhore dhe atë parlamentare. Ashtu siç deklaroi dhe ambasadori i Bashkimit Europian, Etore Sekui, ditë më parë, Shqipëria duhet të fitojë kohën e humbur, duke e shndërruar integrimin në axhendë kombëtare.
Lajmërimi
Vizita e komisionerit Fyle është konfirmuar ditë më parë nga ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Etore Sekui, i cili ka bërë apel ndaj klasës politike që të përdorë të gjitha kapacitetet e saj për të mundësuar integrimin e vendit. Shqipëria nuk duhet të humbasë më kohë, duhet të përdorë kapacitetet e saj të plota për të dhënë rezultate të rëndësishme në procesin e integrimit”, deklaroi ambasadori Sekui. Ai vlerësoi se raporti i hartuar nga pala shqiptare nxjerr në pah shumë arritje dhe progres. Por, brenda pak ditëve që kanë mbetur, politika duhet të përmbyllë reformën zgjedhore dhe atë parlamentare. “Konsultimi ynë vjen në kohën e duhur, sepse bëhet para vizitës së komisionerit Fyle në Tiranë, më 3 maj. Ky konsultim duhet të shënojë arritjet e deritanishme të planifikuara deri në fund të prillit. Është e rëndësishme të evidentohen rezultate dhe të tregohet se gjerat po ecin në drejtimin e duhur. Megjithatë, duhet shumë për të bërë, derisa Komisioni të paraqesë progres-raportin në vjeshtën e këtij viti”, vijoi Sekui. Ndërkohë, më 15 maj do të mblidhet edhe Këshilli për Stabilizim-Asociimin. “Është koha të plotësohet zbatimi i marrëveshjes politike të nëntorit. Arritjet duhet të përfshijnë konkludimin e shpejtë të reformës elektorale dhe të rishikimit të Rregullores së Parlamentit, çka do të hapë rrugë për progres në fusha të tjera”, deklaroi ambasadori Sekui .

Majlinda Bregu
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, do të raportojë ditën e hënë në Komisionin Parlamentar të Integrimit lidhur me raportin e hartuar për Planin e Veprimit. Seanca është vendosur në axhendën e Kuvendit dhe vjen disa ditë para vizitës zyrtare të komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle. Ministrja Bregu do të paraqesë para deputetëve raportin përfundimtar të hartuar edhe me konsensusin e opozitës.

Apeli i zv.kryetarit të PE, Jelko Kacin
“Presidenti konsensual, provë për integrimin”
Zëvendëskryetari i Delegacionit Parlamentar për Europën Juglindore, Jelko Kacin, ka deklaruar dje se zgjedhja e Presidentit me konsensus politik do të jetë një mesazh shumë domethënës për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Në një interviste për “AS”, Kacin i konsideron politikanët shqiptarë me një mentalitet të vjetër në rast se edhe këtë herë nuk gjejnë konsensus për emrin e ri të Presidentit, dhe sipas tij, ata do të dëmtojnë imazhin e tyre dhe të Shqipërisë. “Presidenti i ardhshëm i Shqipërisë duhet të zgjidhet me konsensus dhe kjo jo vetëm për shkak të gjetjes së një personaliteti. Mesazhet për proces konsensual do të ishin shumë domethënëse për shqiptarët dhe ndërkombëtarët”, deklaroi Kacin.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura