Starton Premier Liga, të gjithë kundër “djajve”

Aug 13, 2011 | 12:41

Do të nisë sot pavarësisht trazirave në Londër (është shtyrë vetëm Totenhem-Everton) ai që është përkufizuar si kampionati më i bukur i botës: Premier Liga. Në javën e parë të kampionatit, kampionët në fuqi të Mançester Junajtid do të vizitojnë Bromuiçin, ndërsa kushërinjtë e Sitit do të presin debutantët e Suonseas. Liverpuli i rinovuar i Keni Dalglishit do të sfidojë Sandërlendin në “Anfield”, ndërsa Çelsi i Vilas Boasit udhëton drejt Stokut. Për të kompletuar tablonë e më të mëdhave, Arsenali debuton në Njukasëll. Shanset më të mëdha për t’u shpallur kampion i kanë edhe një herë “djajtë e kuq”. Djemtë e Fergusonit, të cilët janë edhe finalistët e Champions-it të sezonit të shkuar, do të tentojnë të mbrojnë titullin e 19-të. Pavarësisht tërheqjeve të Van der Sarit, Skollist dhe Nevilit, por dhe largimeve të O’Shisë dhe Braunit, i pavdekshmi Sër Aleks Ferguson ka siguruar shërbimet e të rinjve plot talent dhe gati për të bërë histori në “Teatrin e Ëndrrave”. Kampionët kanë shpenzuar 60 milionë euro për t’u rikonfirmuar, por nuk do jetë kurrsesi e lehtë, sepse konkurrenca nuk mungon. Pengesa më e madhe e Junajtid do të jetë pa dyshim Çelsi. Abramoviç ka shpenzuar 15 milionë euro për të prishur klauzolën e trajnerit të Portos Andres Vilas Boas. Por blutë e Londrës, blerjet e vërteta i kanë bërë në merkaton e janarit, duke transferuar në “Stamford Bridge” Torresin dhe Luizin. Këtë verë nënkampionët kanë preferuar që të shpenzojnë më shumë tek e ardhmja, duke siguruar talente, si Piazon, Lukaku apo Oriol. Në të njëjtin nivel është dhe Mançester Siti i Mançinit dhe sheikut Mansur, i cili edhe këtë vit nuk është kursyer dhe ka sjellë te milionerët kampionë të mëdhenjtë nga Serxho Aguero, te Gael Klishi. Ka ardhur gjithashtu Saviç dhe pritet brenda së hënës Nasrija. I pasigurt mbetet fati i kapitenit Tevez dhe Balotelit, por pavarësisht asaj që do të ndodhë deri në 31 gusht, “qytetarët” do jenë rivalë të denjë të kushërinjve. E njëjta gjë mund të thuhet për 18 herë kampionët e Anglisë. Liverpuli do të ketë mundësi t’i përqendrojë të gjitha forcat në Premier Ligë, meqenëse në sezonin e shkuar mbeti jashtë Kupave të Evropës. Nga janari djemtë e Dalglish kanë rilindur. Suarez dhe Keroll kanë bërë të mos ndihet mungesa e Torresit, ndërsa rindërtimi i skuadrës ka vazhduar në verë me afrimet e mesfushorëve Henderson (Sandërlend), Adam (Blekpull) dhe Douning (Aston Vila). Tingëllojnë si emra të panjohur, por prej 3 vitesh këta janë lojtarët më të kërkuar në tregun e Anglisë.

Java 1/ 13-14 gusht

Sot/    Blekbërn-U’Hempton    16:00
Fulham-Aston Vila    16:00    Liverpul-Sandërlend    16:00    QPR-Bolton    16:00
Totenhem-Everton      (e shtyrë)
Uigan-Noruiç    16:00
Njukasëll-Arsenal    18:30
Nesër/    Stok Siti-Çelsi    14:30    Uest Brom-Man.Junajtid    17:00
Të hënën/    Man.Siti-Suonsea    21:00

Zyrtare, Fabregas shkon te Barcelona

Çesk Fabregas është lojtari më i ri i Barcelonës. Lojtari do udhëtojë të dielën drejt Spanjës dhe do prezantohet gjatë të hënës. Barcelona gjithsesi është duke pritur faksin përfundimtar të transferimit të lojtarit nga klubi londinez. Fabregas është përshëndetur me kolegët e tij te Arsenali, menjëherë sapo ka mësuar dje se drejtuesit e Barcelonës dhe të Arsenalit kishin rënë dakord për transferimin e tij. Ndërkohë që Barça mësohet se ka paguar 39 milionë euro për shërbimet e Fabregas, i cili do të firmosë një kontratë 5-vjeçare. Lajmin për mbërritjen e tij te Barcelona e kanë dhënë ditën e djeshme portieri Viktor Valdes dhe kapiteni i skuadrës, Karles Pujol, gjatë konferencës së përditshme për shtyp.

Tevez-Nasri

Roberto Mançini ka ngrirë çdo largim të mundshëm nga Mançester Siti të Karlos Tevezit, një ditë përpara se Premier Liga të shkelmonte topin e parë. “Karlos është këtu dhe ndoshta nuk është ende gati të luajë, sepse ka në këmbë vetëm katër ditë stërvitje. Ai ka punuar shumë mirë deri tani. Nga ana tjetër, mund t’ju konfirmoj se Siti nuk është kompletuar ende si skuadër. Shpresoj që lojtarët që ne kërkojmë të ishin të gjithë këtu sa më shpejt që të ishte e mundur. E vetmja gjë që mund t’ju konfirmoj është se negociatat me Arsenalin po vazhdojnë për Nasrinë”, përfundoi Mançini.

© Panorama.al

Te lidhura