Staravecka: Pse pranova komandën e Xhandarmërisë

Feb 5, 2012 | 11:41

Xhelal Staravecka

Rrëfimi mbi regjimentin “Kosova” e masakrën e 4 shkurtit

Pranova propozimin e Mehdi Frashërit, Tirana duhej shpëtuar nga antikomunizmi kusar”

Nën drejtimin e tij u çliruan nga pushtimi fashist krahina të tëra, si Skrapari, Korça, Kolonja, Përmeti, Berati etj. Ka luftuar në krah të Enver Hoxhës e Mehmet Shehut.
Ndërkohë që në shkurt të vitit 1944, këtë njeri që kishte luftuar fashizmin e gjejmë në krye të Komandës së Xhandarmërisë në Tiranë. Duket tërësisht kontradiktore, por në kujtimet e tij një nga protagonistët kryesorë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Xhelal Staravecka, tregon se përse u vu në krye Xhandarmërisë, vetëm pak ditë pasi në Tiranë kishte ndodhur masakra e përgjakshme e 4 shkurtit, ku u vranë pa asnjë faj 84 persona dhe u arrestuan 300 të tjerë. Në këtë pjesë të kujtimeve të tij, të cilat së shpejti do të vijnë të plota nga shtëpia botuese “Naimi”, ai tregon për regjimentin famëkeq “Kosova” dhe drejtuesit burracakë. Më poshtë vjen dëshmia e Xhelal Staraveckës, shkëputur nga libri “’Përballë gjyqit të historisë’, kujtime historike: 1914-1966″. al.mi

(fragment nga libri në proces botimi i Xhelal Staraveckës “Përballë gjyqit të historisë”, kujtime historike: 1914-1966, nga shtëpia botuese “Naimi”)

…Pas Kongresit të Ballit në Berat, qëndrova në shtëpi, gjithnjë në Berat, duke shkruar disa trakte kundër Partisë Komuniste si propagandë e që më vonë e pagova me 10 vjet burg në Itali, natyrisht nga zelli i bashkatdhetarëve të mërgimit, dëshira e të cilëve ishte që italianët të hakmerreshin kundra meje.
Drejt fundit të janarit 1944, Mehdi Frashëri, me anën e Ali Klisurës, më thirri të shkoja në Tiranë.
Kur shkova në Regjencë, Mehdi Frashëri më propozoi të qëndroja në Tiranë si komandant i Xhandarmërisë së rrethit me cilëndo gradë që të dëshiroja. Në atë rast e luta regjentin të më lejonte 5-6 ditë të mendohesha. Natyrisht, përdora këtë formulë për mos ta refuzuar aty, sy për sy, pasi një mision të atillë nuk doja ta dëgjoja dhe jo më ta përqafoja.
Në Tiranë dëshiroja të qëndroja për të punuar për krijimin e “forcës së tretë”, por jo me ofiq dhe sidomos me atë të xhandarmërisë. Mirëpo, kur arrita në Tiranë nuk pata vështirësi të konstatoja atë gjendje, që edhe sot kur e kujtoj më rrëqethet mishi.
Më 2 shkurt (nuk kisha veç dy ditë që ndodhesha në Tiranë), kur dola në mëngjes nga hotel “Dajti” ku banoja, u ndodha përpara asaj gjëme dhe mynxyre, atij turpi dhe asaj nate të errët, atij veprimi kriminel që regjimenti “Kosova” kishte hedhur në një të dhjetën e popullsisë shqiptare, pasi Tirana në atë kohë numëronte më se njëqind e tridhjetë mijë banorë. Kuptohet vetvetiu se ajo panoramë e shëmtuar më tronditi nga thellësitë më të fundit të qenies time.
Ata diva djem që në dejet e tyre qarkullonte gjak thjeshtësisht shqiptar, me ndjenja kaloreske, si mund të jenë bijtë e Kosovës sonë të robëruar, i kishin transformuar në bisha të egra dhe grabitqare udhëheqësit e tyre, si Ago Agaj, që ishte përgjegjësi kryesor, si Xhafer Deva e të tjerë deri te komandanti direkt i atij njësiti, një pjellje e shëmtuar e familjes patriote Boletini të Mitrovicës. Kolonel Bajazit Boletini, një shtazë me fytyrë njeriu, që nuk kishte asnjë respekt për jetët e të tjerëve. Kurse, kur doli në mërgim, aq e kishte frikë vdekjen, qelbi me diarré vagonët e shemendiferëve të Gjermanisë nga tmerri që kishte nga avionët e Aleatëve që, në të vërtetë, nuk merreshin me bombardimin e trenave të rrugës, pasi bombardonin qytetet.
Ç’them këtu, mos e quani një bisedë të ujdisur apo të shtuar, apo të ma kenë thënë të tjerët, pasi e kam parë me sytë e mi, prej Zagrebit e deri në Vjenë, e prej kësaj deri në Salzburg që kemi udhëtuar së bashku. Sa herë që i thashë mos të sillej në atë mënyrë qesharake e të turpshme, duke u hedhur nga treni në ecje nga tmerri, se po na turpëronte përpara kombësive të tjera, efekti i fjalëve të mia zhdukej sapo të dëgjonte zhurmën e ndonjë aeroplani.
Si thashë më lart, kur u çova në mëngjes dhe iu drejtova hotel “Berlinit” e të merrja rojet e mia personale që flinin në atë hotel, pashë një beratas që e njihja: po më afrohej me hapa të shpejtë, dhe me lot në faqe më shtriu dorën që i dridhej, duke m’u lutur të bëja diçka për të. Xhandarët e regjimentit “Kosova” i kishin marrë dhe zhdukur kamionetën e tij me pesëmbëdhjetë teneqe djathë që kishte në to. I thashë se nuk mund të bëja gjë, pasi edhe unë isha mysafir në Tiranë. Ajo punë më bëri të hiqja për një çast mendimin nga problemi politik që kisha vazhdimisht në kokë e të mendoja për veprimin arbitrar të atyre që vishnin petkun zyrtar, me të cilin dëshmonin se tutëlonin drejtësinë. Kur iu afrova hotelit “Berlin”, në afërsitë e tij u përhap lajmi me një tmerr tamam sikur të ishte duke ardhur ushtria e Xhenxhis Khanit, që tmerrohej popullsia aty ky shkelte, pasi pashë burra e gra të tmerruar që bridhnin në pikë të vrapit pa drejtim. Meqenëse ajo skenë makabre më tërhoqi vëmendjen, e ndërrova edhe unë drejtimin tim nga ai i hyrjes së hotelit dhe iu drejtova asaj ane nga e cila ishte dhënë lajmi për të parë se ç’ngjante në atë mëhallë. Djemtë e dashur dhe të shtrenjtë të Kosovës së dhembur, të transformuar në bisha të egra nga vepra e turpit e kryetarëve të tyre që ceka më lart, kishin rënë si ujqër në kope të dhenve dhe, ashtu, me pretekst kontrollin, gjoja për të mbrojtur Tiranën dhe popullsinë e saj nga aksionet komuniste, pa pikën e pendimit, të frikës apo të turpit, po e plaçkitnin atë mëhallë, duke përvetësuar me përdhuni çdo gjë që ishte e vlefshme. U betohem se shumë grave u hiqnin nga veshët dhe nga gishtërinjtë e duarve vëthët dhe unazat.
Ajo skenë më tërboi, aq sa u betohem, u betohem në nderin e së vërtetës se aty, dhe në atë çast, vendosa të pranoja propozimin që më bëri regjenti Mehdi Frashëri, vetëm për të shpëtuar popullsinë e Tiranës nga tmerri, nga gjëma, nga veprimi i turpshëm, nga ndyrësia ekstreme, nga çnderimi i papërshkruar e nga nata e errët në të cilën ai regjiment kishte zhytur popullin e kryeqytetit.
Nëse ka një vepër në të gjithë punën time që kam zhvilluar në fushën kombëtare, të çoj ballin lart me mburrje e të thërres me zë të lartë se kam bërë një vepër atdhetare, kjo është çështja e largimit të regjimentit “Kosova” nga Tirana.
Nëse populli i Tiranës, me të dhe ai i Shqipërisë mbarë, nuk duan ta njohin e ta pranojnë atë vepër si një nga episodet historike që më ngreh lart si një figurë e pastër dhe atdhetare, të më lejojnë të them se ata e meritonin atë çnderim që u perpetronte ai regjiment dhe që unë bëra shumë keq që i shpëtova nga ajo skëterrë.
Përpara asaj skene aq shtazore, u betohem prapë se nuk do të kisha hezituar t’ia nisja pushkës kundra atyre, megjithëse nuk bëja ndonjë punë të madhe me atë sakrificë supreme, pasi në atë çast isha krejt i vetëm, po të mos më kishte ndalur arsyeja se së shpejti do t’i shkulja nga Tirana pa sakrifica të mëdha. Pas 5 ditëve shkova në Regjencë dhe i thashë Mehdi Frashërit se pranoja barrën që ai më kishte propozuar ta merrja mbi shpinë, natyrisht për ta shpëtuar Tiranën nga një rrebesh tjetër si ai i 4 shkurtit.
-Po, i thashë, jam gati të vihem nën dispozicionin tuaj, pasi ju konsideroj një nga atdhetarët më të mirë sot gjallë e, nga ana tjetër, pasi Tirana ka nevojë për një dorë të fortë për ta shpëtuar popullsinë e saj, jo nga komunizmi, por nga vepra kriminele e antikomunistëve, …nga antikomunizmi kusar dhe shtazor, por vetëm më një konditë…
Nuk më la të shfaqja mendimin tim dhe më tha:
-Me qenë se kam krejt besim tek ti, nuk është nevoja të vesh asnjë konditë.
Atëherë, i thashë se grada ime ishte e shokëve të mi të kursit të Akademisë Ushtarake, kapiten i klasit të parë.

© Panorama.al

Te lidhura