Stafi, Basha firmos emërimin e parë

Jul 27, 2011 | 10:46

Një ditë pas betimit përpara Këshillit Bashkiak, kreu i ri i Bashkisë së Tiranës,
Lulzim Basha, ka nisur të formojë stafin e tij të ngushtë me të cilin do të punojë në katër vitet e ardhshme. Bashkëpunëtorja e tij të parë do të jetë ish-zv. ministrja e Integrimit, Jorida Tabaku. Basha prezantoi dje përpara
mediave nënkryetaren e re të Bashkisë, e cila ishte kryesuesja e listës së kandidatëve të PD-së për Këshillin Bashkiak. Pak minuta përpara se
të prezantohej në Bashki, Tabaku paraqiti dorëheqjen nga Ministria e Integrimit ku punoi për më shumë se 2 vjet. Në komunikimin me mediat,
Basha u shpreh se prioritetet e nënkryetares së re të Bashkisë do të jenë hapja e vendeve të reja të punës, si dhe zhvillimi ekonomik. “Ajo që dua të
theksoj është bindja ime se emërimi i saj në këtë detyrë është në përputhje me frymën e Bashkisë, shërbimit ndaj qytetarëve dhe profesionalizmit.
Kam kënaqësinë që jo vetëm për shkak të historisë së origjinës së familjes
Tabaku, por dhe kredencialeve të zonjës Tabaku, shërbimi ndaj qytetarëve do të jetë primar. Prioritet e saj do jenë hapja e vendeve të reja të
punës, zhvillimi ekonomik dhe përvoja e saj e mëparshme për përballimin me
sukses të sfidave të mëdha. Puna jonë do të jetë afatgjatë. Puna me rininë do të jetë aspekt i rëndësishëm i nënkryetares së re”, u shpreh Basha.
Ndërsa nënkryetarja Tabaku tha se “portofoli që do të drejtoj do të jetë ambicioz, do të lidhet me punësimin dhe nxitjen e investimeve të huaja,
sfidat e Bashkisë. Në këto vite kemi parë ndryshme të mira në Tiranë, por ka ende shumë potenciale të pashfrytëzuar. Tirana është qyteti im, jam e
sigurt që ndryshimet që Tirana do të ketë këto 4 vite, do të ndikojnë në jetën e tiranasve për 100 vitet e ardhshme”.
STAFI I RI
Gjatë ditëve të ardhshme pritet që kryebashkiaku Basha të prezantojë edhe
bashkëpunëtorët e tjerë. Burime zyrtare thonë se posti tjetër i nënkryetarit të Bashkisë do t’i jepet Lëvizjes Socialiste për Integrim, forca e dytë e koalicionit të djathtë. Të kontaktuar në telefon, zyrtarët e LSI-së thonë se
kandidatura më e mundshme është ajo e zv. ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti, i cili është gjithashtu edhe anëtar i Këshillit Bashkiak. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, Panariti tha se “unë kam marrë një ftesë nga zoti Basha të cilën e kam pranuar me kënaqësi dhe për këtë kam edhe mbështetjen e
LSI-së”. Në të njëjtën kohë është konfirmuar se Etion Kapedani do të jetë në postin administratorit të Bashkisë, pozicion të cilin në kohën e Ramës e mbante Dritan Agolli.
TAKIMET
Dita e parë ka qenë e ngjeshur me takime për kryebashkiakun Basha. Ai shkoi
në zyrë rreth orës 10:00 dhe në mesditë ka pritur në një takim kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Gjithashtu, në zyrën e Bashës ka qenë edhe ministri i Punëve  Publike, Sokol Olldashi. Në ditën e parë të punës, kryetari
i Bashkisë ka pritur edhe disa qytetarë me të cilët ka biseduar për problemet e tyre. Në ditën e betimit para këshilltarëve të Këshillit Bashkiak, Basha premtoi se do të hapë derën e Bashkisë për qytetarët, si dhe do të përcaktojë
një orar zyrtar kur do të ketë takimin me ta. Në këtë kontekst, sot në orën 18:30 dera e Bashkisë do të jetë e hapur për të gjithë qytetarët të cilët do të kenë mundësi të takojnë Bashën për të diskutuar me të problemet e tyre.

Qeveria i kalon Cirkun Bashkisë

Qeveria ka marrë një vendim për ta kaluar Cirkun nën juridiksionin e Bashkisë së Tiranës. Vendimi me nr. 458 është marrë në mbledhjen e 22 qershorit dhe është botuar së fundi edhe në Fletoren Zyrtare. “Këshilli i Ministrave
vendosi kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Turizmit të
pronës së paluajtshme shtetërore ‘Cirku i Tiranës'”, thuhet në vendimin e qeverisë. Në të njëjtën kohë ngarkohen Ministria e Kulturës dhe
Kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të ndjekin procedurat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Kosovrasti: Drejtorët e Ramës nuk duhet të iknin
Kryetari i sapozgjedhur i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Njazi Kosovrasti, e cilësoi si të gabuar dorëheqjen e drejtorëve nga Bashkia. Sipas tij, ish-kreu i  Bashkisë u ka kërkuar atyre dorëheqjen. “Ai nuk është stafi i zotit Rama. Ata drejtorë, që është një numër i konsiderueshëm që kanë dhënë dorëheqjen, kanë bërë një gabim të pafalshëm. Nuk do të kishte ndodhur ajo që ata menduan se do të ndodhte. Për mua, nëpunësit nuk e kanë menduar
se do të ndodhte. Iu është kërkuar të largohen”, tha Kosovrasti në një intervistë për televizionin “Alsat”. Sipas tij, “dy gjëra të shëmtuara ka pasur kjo ngjarje, dorëheqja e drejtorëve që nuk është faji i tyre dhe që zoti
Rama, kryetari i djeshëm i Bashkisë së Tiranës, nuk dorëzoi detyrën ashtu siç i takonte çdo kryetari”.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura