Stafeta e munguar e kryebashkiakut

Jul 27, 2011 | 9:47

ALFRED CAKO

Dje, jo vetëm banorët dhe qytetarët e kryeqytetit, por të të gjithë Shqipërisë,
natyrisht që i kanë ndjekur me kërshëri procedurat e marrjes së detyrës nga kryebashkiaku i ri në detyrë, z. Lulzim Basha. Këta kanë ndjekur edhe programin e 100 ditëve të shpalosur prej tij, i cili natyrisht që nuk mund të jetë i përsosur, pasi edhe z. Basha nuk është Mesia. Madje, kur ai të largohet një ditë, sado i suksesshëm që të jetë gjatë mandat/it/eve të tij, do të lerë pas një mal me probleme. E rëndësishme është që ai të shpjerë përpara zgjidhjen e disa çështjeve emergjente (të cilat s’i zgjidhi dot ose s’kishte vullnetin t’i zgjidhte z. Rama, për shkak të prioriteteve personale të tij e që s’kishin qenë në interes të publikut) që ka nevojë ky qytet relativisht i ri dhe në ekspansion territorial apo ekspansion popullsie. Shumica e këtyre banorëve, përpos
shumë arsyeve, besoj se e kanë bekuar me sytë e mendjes kryebashkiakun e ri, pas një vakumi paksa të gjatë e të pazakontë institucional e me ndikim në jetën publike të kryeqytetit të të gjithë shqiptarëve. Midis shumë mysafirëve,
natyrisht, shkëlqenin me mungesën e tyre dy personazhe të rëndësishëm në vendimet e ardhshme publike të Kryebashkisë. Njëri prej tyre ishte ”regjisor” e tjetri “aktor” protagonist. E kemi fjalën për z. Arvizu, ambasador i
SHBA në Tiranë, dhe z. Rama, ish-kryebashkiaku e njëherazi edhe kryetari aktual i PS. Të gjithë e kemi kuptuar, besoj, se z. Arvizu ishte njeriu që haptazi u bë një digë e pakalueshme disamujore ndaj tekave dhe ekseseve të vazhdueshme politike të ish-kryebashkiakut të përkëdhelur, periudhë që duket se për këtë të fundit ndali përkohësisht me një fund të hidhur më 8 maj.
Ndërsa nuk e dimë se përse mungoi ambasadori- regjisor në një eveniment të tillë – personazhi që si “perëndia Mars” e kishte marrë nën mbrojtje z. Basha – me siguri mund të themi se mungesa e z. Rama ka shkaqe subjektive, shkaqe të cilat lidhen me megalomaninë dhe egërsinë e këtij personazhi të rëndësishëm politik për jetën e shqiptarëve. Ky njeri nuk e njeh madhështinë e thjeshtësisë. Hunda e tij qëndron vetëm përpjetë. Me mungesën e
tij për t’i dorëzuar z. Basha stafetën e përkohshme në ‘garën’ e gjatë e të pandërprerë të këtij institucioni kaq të rëndësishëm për jetën e qytetarëve, z. Rama sfidoi rendin kushtetues, institucionet që sjell ky rend dhe vetë qytetarët. Me sjelljen e tij më të fundit, ai tregoi përsëri se për të nuk ekzistojnë qytetarët. Për z. Rama ekzistojnë vetëm çakejtë e betonit, të cilët do ta kenë të vështirë që tash e tutje të jenë të privilegjuar për t’i kafshuar çdo ditë sipërfaqe publike qytetit, me të vetmin stimul ekzistence – paránë. Ndoshta modeli i sjelljes së z. Rama është mos/dorëzimi i pamundur i
stafetës së pushtetit qendror në vitin e mbrapshtë 1997 nga PD te Qeveria e Stabilitetit dhe pastaj te PS; ose-ose, megjithëse se besoj se z. Rama është nga takëmi i atyre studiuesve që qëmtojnë historinë (ai maksimumi duket se
di ato që ka mësuar në familjen e rrethin e tij shoqëror dhe tek ai dominon ajo që z. Agolli e quan “kulturë veshore”, si dhe anti/kultura nga filmat e Kinostudios Shqipëria e Re), ai mundet ta dijë vagullt se në shoqërinë
gjysmë tribale shqiptare në fillim të viteve 1920, një duzinë me qeveri ja patën lënë vendin njëra-tjetrës me pushkë e kaçakë, madje edhe me jetëgjatësi 24-orëshe. Kjo lloj sjellje tregon pamundësinë e karakterit të z. Rama për të triumfuar mbi ndjenjën e tij për pushtet të pandërprerë dhe për t’u përshtatur me rregullat e lojës së demokracisë, rregulla të cilat nuk mund t’i nxjerrin të gjithë fitues. Brenda zhguallit të tij të bojatisur si ‘qytetar’,
me profilin e një rishtari që në profesionin e liderit partiak para 4-5 vjetësh premtonte se do të sillte një frymë të re në politikën shqiptare, duket se rri zgjuar ndjenja e një bajraktari në gjenet e të cilit dremit dëshira e paepur për të prirë, e jo për të ndjekur. Në se na lejohet të bëjmë një supozim, një politikan i tillë, po të ishte gjendur në kohën e Luftës së Dytë Botërore në krye të PKSH, ndoshta do të ishte shumë më i rrezikshëm se Enver Hoxha dhe do ta kishte kthyer Shqipërinë në një kasaphanë të vërtetë njerëzore. Mungesa e z. Rama në ceremoninë e betimit të z. Basha nuk ka lidhje thjesht me mospranimin e rezultatit “të vendosur në tavolinë” për postin e kryebashkiakut. Jo! Ajo ka lidhje, siç e thamë, me konstituimin shpirtëror plot defekte të z. Rama. Egërsia dhe boshësia shpirtërore e tij e
ndërkryer nga megalomania, nuk do ta kishin lejuar egon e tij kurrsesi që të përulej përpara një ‘fotokopjoje’ të z. Berisha edhe sikur të supozonim në mënyrë hipotetike se z. Rama do të kishte humbur me 10 a 20 mijë vota ndaj
z. Basha. Dhe për këtë humbje të tij ai do të çirrej po njëlloj se rezultatin ja kishin manipuluar “bandat katundare” të Doktorit. Ndoshta të gjithë e kujtojmë ose i kemi parë disa sekuenca dokumentare se si z. Brojka ja lëshoi vendin z. Rama përpara 11 vjetësh me një ceremoni të thjeshtë, në një kohë kur dihet se e majta ishte në ekspansion të përgjithshëm pas një “quasi civil war” me mbi 4 000 të vrarë (shifër shumë e madhe që fajëson rëndë
klasën e atëhershme politike, po të krahasohet me 350 të vrarët e Mubarakut në janar të këtij viti dhe me popullsinë prej 81 milionë banorësh të Egjiptit). Nuk po llogarisim ceremoninë e kalimit të stafetës nga z. Kelmendi
te z. Brojka, pasi ata ishin nga e njëjta forcë politike. Ndoshta si një model që shkëlqen me shembullin e vetë, do të shërbente simbolika e dorëzimit, si rrallëherë, të dikastereve qendrore nga PS te PD në vjeshtën e vitit 2005.
Dhe, për këtë, ka sigurisht një meritë z. Nano, i cili për hir të së vërtetës u ‘detyrua’ të ikte ‘refugjat’ pas vizitës në pranverë të 2005-s, të ish-drejtorit të atëhershëm të CIA-s, Porter Goss, pak kohë para largimit të këtij të fundit
nga detyra. Ajo që vlen të theksohet, si një shembull qytetarie, është përshëndetja dhe urimi i opozitarit me peshë në krahun rozë, z.
D.Agolli, i cili me gjithë thjeshtësinë e tij poetike për thelbin e vetë “fshatar”, tregoi një qytetari të përkryer duke dalë mbi kohezionin militantesk që demonstruan servilat e z. Rama në Këshillin Bashkiak, gjatë momentit
të betimit të kryebashkiakut të ri. Fakti i modelit qytetar që solli z. Agolli dhe modeli katundaresk e kokëfortë që ka treguar e po tregon me sjelljen e tij z. Rama, flet për një lloj lakmuesi shpirtëror që nuk lidhet shumë me origjinën e individit, por me kulturën e tij të trashëguar, me gjestet individuale që demonstron ai gjatë gjithë jetës së tij dhe me aftësinë për të pasur feedback me qëllim që të vetëkorrigjohet. Si një personazh dostojevskian, z.
Rama sillet si një kapadai para se të hidhen zaret e kumarit dhe, porsa ai humbet, i shqelmon ato dhe nuk pajtohet me rezultatin. Në fitore ai është cinik e kokoroç dhe paraqitet se e kishte besuar thellësisht fitoren, në humbje ai sillet si burracak dhe bërtet “kapeni hajdutin!”. Në fund të fundit, me mungesën e tij në dorëzimin simbolik të stafetës ai nuk vuri vetëm një njollë personale mbi historinë e tij si politikan, por edhe një njollë mbi aftësinë
qeverisëse të gjithë klasës politike shqiptare, e cila ka treguar se shpeshherë nuk i respekton institucionet dhe sistemin që ajo vetë e ka krijuar si një makineri në shërbim të popullit të vet. Me këtë gjest kokëfortësie, z. Rama tregoi gjithashtu se do ta ketë të vështirë të rregullojë raportet edhe me ndërkombëtarët në një të ardhme të afërt, nëse ai do të vazhdojë të jetë lideri i PS. Dhe pa ndryshimin e këtyre raporteve, ai do të vazhdojë ta mbajë partinë kryesore opozitare për një kohë të gjatë në minorancë.

© Panorama.al

Te lidhura