Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka ende një ide të qartë se kur do të nisin punimet për prishjen e stadiumit “Qemal Stafa” dhe më pas ndërtimin
e një impianti të ri. Institucioni i futbollit njofton zyrtarisht se është në
pritje të Ministrisë së Ekonomisë, nga e cila pret që t’i kalohet zyrtarisht pronësia e 75 për qind të aksioneve. Momentalisht, problemi
kryesor që ka zvarritur procedurat janë bizneset që ndodhen në ambientet e stadiumit “Qemal Stafa”. Procedurat me këto biznese private
duhet t’i mbyllë qeveria (vetëm ajo ka tagrin), me qëllim që më pas zyrtarët e
FSHF-së të kenë mundësi të planifikojnë kohën e nisjes së punimeve. Ministria e Ekonomisë ende nuk e ka gjetur gjuhën e përbashkët me pronarët
e gjashtë bizneseve që ndodhen në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Këtë e
konfirmon sekretariati i FSHF-së, i cili bën me dije se vazhdimisht ka pasur kontakte gjatë javëve të fundit me Ministrinë e Ekonomisë, por
procedurat për kalimin e pronësisë janë zvarritur vetëm prej këtij ngërçi. Subjektet private që kanë kontratë me stadiumin dhe kanë
bërë investime të konsiderueshme në ambientet që ato kanë marrë në përdorim, nuk pranojnë t’i lëshojnë ambientet pa dëmshpërblim.
Nga ana tjetër, qeveria ka vetëm një mundësi: atë të prishjes së kontratës në
mënyrë të njëanshme me këto subjekte dhe të pranojë koston financiare që do të sillte ky veprim. Kjo ka qenë arsyeja se përse Ministria e Ekonomisë
është përpjekur vazhdimisht të gjejë një zgjidhje sa më të mirë. “Jemi në pritje të Ministrisë së Ekonomisë, – ka thënë Adrian Cani, specialist
në sekretariatin e FSHF-së. – Ministria ende nuk e ka zgjidhur çështjen e pronësisë dhe kjo po na zvarrit punët edhe ne. E kemi të pamundur
të hartojmë një plan për nisjen e punimeve për të prishur impiantin ekzistues, pa pasur në dorë pronësinë dhe sigurinë se nuk do të kemi përplasje
ose pengesa nga palë të treta (pronarë subjektesh private)”, – ka thënë Cani. Kujtojmë që kohë më parë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, pati
deklaruar se punimet do të nisnin në shtator ose tetor.











