Spoti në CNN për turizmin, KLSH: Ja abuzimet

May 21, 2012 | 13:07
Kreu i KLSH, Leskaj

TIRANE- Kontrolli i Lartë i Shtetit ka njoftuar sot se nje rikontroll i bere per reklamimin dhe promovimin e turizmit shqiptar ne CNN ka evidentuar nje sere shkeljesh. Ne nje njoftim per mediat, KLSh duke renditur shkeljet e bera sqaron se 6 zyrtarë të MTKRS anëtarë të KVO në vitin 2007, nga të cilët një Drejtor i Përgjithshëm dhe 2 përgjegjësa sektori, në hartimin dhe zhvillimin e procedurave të tenderit të sipërcituar, kanë konsumuar elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës.

Duke marrë shkas dhe konsideruar parregullsitë dhe shkeljet e shumta proceduriale ligjore që pasqyrohen në Raportin Përfundimtar të Kontrollit, sidomos në tenderin për prodhimin dhe transmetimin ndërkombëtar të një spoti me qëllim promovimin e turizmit shqiptar me fond limit 37 milionë lekë,  për të cilat për arsye subjektive nuk ishte bërë kallezim penal në organet e prokurorisë, u ripa ne vitin 2012 konforme procedurës të KLSH, me përgjegjësi shtetërore dhe profesionale, të gjithë materialet e kësaj dosje kontrolli.

Njoftimi i plote

Në përfundim, arritëm në konkluzionin se 6 zyrtarë të MTKRS anëtarë të KVO në vitin 2007, nga të cilët një Drejtor i Përgjithshëm dhe 2 përgjegjës sektori, në hartimin dhe zhvillimin e procedurave të tenderit të sipërcituar, kanë konsumuar elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Ndër shkeljet më kryesore të konstatuara nga Grupi i Kontrollit të KLSH, cilësojmë:

– Fondi limit prej 37 milionë lekë nuk ishte i argumentuar dhe nuk disponohej ndonjë analizë për llogaritjen e këtij fondi, madje nuk ishte ndarë, sa është vlera e fondit limit për  prodhimin dhe sa për transmetimin; transmetimi i këtij spoti nuk është tenderuar, por është përzgjedhur pa procedura prokurimi, në kundërshtim me VKM nr. 623, datë 29.09.2007; firmat konkurruese nuk kishin përfaqësues të tyre të pranishëm në tender, madje tre prej tyre i kishin paraqitur ofertat në rrugë elektronike, për adresat e të cilëve nuk disponohej dokumentacion shkresor apo korrespondencë elektronike midis personit të kontaktit të KVO dhe këtyre shoqërive; KVO me proces-verbalin e datës 07.10.2007 ka kualifikuar të parën firmën Holandeze “CCCP-Roterdam”, e cila ka paraqitur ofertë më të madhe se firma tjetër “Ogilvy Albania”; formulari i ofertës ekonomike të firmës fituese ku është bërë analiza e kostos është i njëjtë me formularin e firmës tjetër dhe ndryshojnë vetëm në vlera, për më tepër  të dy shoqëritë nuk kanë paraqitur përfaqësues të tyre ne hapjen e tenderit.

 

Gjithashtu, pas shpalljes fituese shoqeria “CCCP-Roterdam” Holand, për të vërtetuar vetedeklarimin ka paraqitur të gjithë dokumentacionin ligjor siç është kërkuar nga KVO, nga ku rezulton se kjo shoqëri është regjistruar në muajin Mars 2007 në Gjykatën holandeze dhe në regjistrin e biznesit të këtij shteti, si shoqëri me pergjegjesi të kufizuar me një staf të punësuarish prej  2 (dy) personash. Pra, koha e shkurtër e krijimit të kësaj shoqerie, numri i vogël i të punësuarve, si dhe mosparaqitja nga ana e saj e një kontratë me CNN, tregon se kjo shoqëri nuk mund të ketë qenë partner me CNN në fushën e  prodhimit dhe transmetimit të spoteve televizive.

 

© Panorama.al

Te lidhura