Zv.trajneri Bakaj: Pogradeci meritonte një pikë në Lushnjë, ndërprerja do të na shërbejë
Pogradeci u mund minimalisht në Lushnjë, por zv.trajneri Ylli Bakaj nuk e bën dramë këtë disfatë. Sipas ndihmësit të trajnerit Nikaj, me pak kujdes skuadra mund të kthehej dhe me një pikë në Pogradec. Në një prononcim për “Panorama Sport”, mes të tjerash Bakaj u shpreh:“Pas fitores me Kastriotin në fushën tonë udhëtuam drejt Lushnjës për të marrë maksimumin. Nëse bëjmë skanerin e ndeshjes kundër Lushnjës, me bindje mund të them se mund të ktheheshim me pikë. Kishim dy raste të pastra për shënim, nga një për çdo pjesë, fillimisht me Kastratin dhe më pas me Peren. Nëse do të kishin konkretizuar një prej tyre, përfundimi do të ishte ndryshe. Gjithsesi, ndeshja u vendos nga episode, që me pak kujdes dhe mund të evitoheshin. E kemi analizuar me kujdes atë çfarë dha skuadra në fushën e lojës. Patëm probleme në qarkullimin e topit, kjo si pasojë e gjendjes jo të mirë të fushës.
Në aspektin fizik jemi në parametrat e duhura dhe futbollistët gëzojnë gjendje të mirë”. Ndërkohë, ndërprerja e kampionatit, për shkak të angazhimit të kombëtareve, pritet që do t’i shërbejë për mirë skuadrës pogradecare. “Ndërprerjen e kampionatit do ta shfrytëzojmë për të riparuar ato të meta dhe probleme që u konstatuan në ndeshjen e fundit, si dhe të shtojmë ide dhe taktike të reja loje. Koha është e mjaftueshme deri në ndeshjen e radhës kundër Besës, që do ta zhvillojmë në fushën tonë”, përfundoi zv.trajneri i Pogradecit, Ylli Bakaj. Skuadra pogradecare është rikthyer gjatë pasdites së djeshme në terrenin stërvitore.
Nderim GOCI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"