Zielinski pritet titullar, ja dilemat e Inzagit për duelin e Interit me Monzën
U ezaurua ndalesa e parë sezonale për kombëtaret dhe tani qendra stërvitore e Interit ka nisur që të mbushet në prag të rifillimit të kampionatit. Është një moment shumë vendimtar për sezonin duke parë që kalendari sjell duelet ndaj Monzës, pastaj atë me Mançester Sitin në Champions dhe në fundjavën e ardhshme derbin kundër Milanit.
Pasi “përqafoi” Zielinskin, i cili ka një shans për ta nisur si titullar, ditën e djeshme janë stërvitur edhe të tjerët Bastoni, Dimarko, Fratezi dhe Turam së bashku me Çalhanoglunë dhe Arnautoviçin. Ditën e enjte do të rikthehen katër të fundit, Dumfris, Asllani, Taremi dhe kapiteni Lautaro Martinez.
Tashmë nuk është rastësi që trajneri duhet t’i bëjë llogaritë me shumë lojtarë që vijnë vonë nga grumbullimet. Interi është një nga skuadrat që furnizon sa më shumë ekipe. Për këtë arsye, trajneri Inzagi është duke menduar të bëjë rrotacion për këto sfida. Zielinski duket se e ka fituar një fanellë titullari, ndërsa Fratezi po e kërkon atë me “dhunë”.
Gjithçka do të varet nga prezenca e Çalhanoglusë, i cili u aktivizua me Turqinë, por nuk është në formë optimale. Barela mund të bëjë rolin e organizatorit, por gjithçka mbetet për t’u parë. Rebusi është gjithashtu edhe në sulm duke parë që të gjithë sulmuesit kanë qenë me kombëtaret, përveç Korreas. Lautaro Martinez mund të ulet në stol, ndërsa Turam do të jetë nga minuta e parë.
Trajneri duhet të zgjedhë shokun e repartit për të, ku Taremi dhe Arnautoviç do të kenë një duel më distancë. Iraniani duket më i avantazhuar sesa austriaku. Megjithatë do të jenë këto ditë përpara ndeshjes përcaktuese për titullarët. E rëndësishme është që Inzagi i ka thuajse të gjithë lojtarët në dispozicion dhe mund të bëjë rrotacion i qetë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"