Zhdukja e boksit, kur komunizmi e hodhi “KO” 60 vite më parë. Ish-boksieri Ibrahimi: Bllokmenët e donin, djali i Mehmet Shehut stërvitej te Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 31, 2024 | 20:42

Zhdukja e boksit, kur komunizmi e hodhi “KO” 60 vite më parë. Ish-boksieri Ibrahimi: Bllokmenët e donin, djali i Mehmet Shehut stërvitej te Partizani

NGA UVIL ZAJMI
Dy vetpezullime që kanë lënë gjurmë në sportin kombëtar, boksi dhe futbolli. I pari në vitin 1963, për t’u rikthyer më vitin 1990 dhe i dyti në veprimtaritë ndërkombëtare, nga 1973 – 1980. Me pasoja të rënda pas të cilave do të digjen padrejtësisht breza me sportistë cilësorë, kampionë, vetëm nga një urdhër gojor më shumë, pasi nuk gjendet asnjë dokument zyrtar lidhur me vendimmarrësit, hartuesit, apo projektuesit e atyre strategjive të gabuara. Duke iu rikthyer këtyre ngjarjeve, sot në “Panorama Sport”, do të trajtojmë boksin për të vijuar më pas me futbollin.

Në ringun e hapur në qytetin e Shkodrës

Në ringun e hapur në qytetin e Shkodrës

VITI 1963, NË PALLATIN E SPORTIT “PARTIZANI”
Ai sezon i boksit shqiptar ka një ndryshim të madh, në shtator 1963, Pallati i sportit “Partizani” do të presë për herë të parë një veprimtari të tillë. Është lënë pas parku sportiv “Studenti” i njohur në Rrugën e Elbasanit. Tashmë Tirana do të ketë një mjedis të ri, të mbyllur, ku në qendër të tij do të vendoset edhe një ring.

“U çel kampionati i 17-të kombëtar i boksit. Që në ditën e parë u pa qartë se kur është fjala për aktivitete boksi edhe kapaciteti i pallatit të sportit nuk mund t’i kënaqë të gjithë amatorët e këtij sporti. Ora 17.00, nën tingujt e marshit të fizkulturës të prirë nga gjyqtarët e veshur me rroba të bardha, e shoqëruar nga duartrokitjet e vazhdueshme të 4.000 spektatorëve, zënë vend përballë tribunës qendrore ekipi kampion Partizani, Lokomotiva, Vllaznia, 17 Nëntori, Tomori dhe grupi i kombinuar i boksierëve të KS Dinamos. Mjeshtri i sportit, Ali Kastrati paraqet forcën e pjesëmarrësve. Banda e SH.Q.U.P. ekzekuton Himnin e Flamurit, ndërsa mjeshtrit e sportit Teodor Janku e Martin Çeta, ngrenë në shtizë flamurin e kampionatit. Pastaj nënkryetari i KQVSR, kolonel Sotir Polena, mban fjalimin e hapjes. Në ring del çifti i parë, që është edhe historiku për atë mjedis: Xhevat Bregu (Vllaznia) dhe Kolec Nallbani (Partizani), që fitohet nga i pari”.

Boksieri Todi Janku gjatë një ndeshjeje

Boksieri Todi Janku gjatë një ndeshjeje

Por cilët ishin boksierët e atij turneu të parë historik të zhvilluar në Pallatin e sportit “Partizani”? R. Sadushi, S. Basha, L. Cavolli, Sh. Bregu, A. Golemi, F. Shehu, D. Bregasi, K. Mita, S. Sadushi, Sh. Danin. Xh. Cali, R. Vezi, N. Dauti, K. Uka, Q. Cërriku, P. Celi, A. Ashiku, S. Kalenja, M. Çeta, H. Rama, H. Tafmizi, Y. Gruda, B. Rada, H. Prela, E. Ibrahimi, B. Avdyli, M. Allushi, M. Bishkashi, H. Buthi, F. Armeni, F. Peci, A. Agaj, N. Gaçi, R. Mustafa, T. Janku, M. Allushi, H. Nurja, F. Eftovia, B. Kukaleshi, E. Kosova, N. Allushi, H. Sharra, B. Rada, Sh. Halluni, Sh. Dauti, etj. Xhemal Cali (Partizani) u ndesh me Rexhep Vezin (Lokomotiva), duke fituar që në raundin e parë me nokaut, që regjistron edhe nokautin e parë në këtë turne në Pallatin e sportit “Partizani”.

Në përfundim, kampionët, sipas peshave janë: K. Nallbani, H. Petrela, R. Sadushi, S. Sadushi, Xh. Cali, A. Ashiku, M. Çeta, T. Janku, F. Eftovia, H. Sharra. Pastaj ceremonia e mbylljes. Ekipet u rreshtuan duke zënë vend në ring dhe mjeshtri i sportit H. Sharra i përshëndeti ata. K/ gjyqtari Rexhep Rama, përfaqësues i KKFS, shpalli Partizanin me trajner A. Kastrati kampion, që e fiton për të 14 herë titullin. Boksieri i ri H. Petrela i 17 Nëntorit u cilësua boksieri më i përgatitur për vitin 1963. Për herë të parë në ringun e Partizanit u ngjitën edhe arbitrat, bashkë me ata anësorë, si Petrit Caslli, Osman Stojku, Ylli Agolli, Dh. Çakalli, etj. Pas dy muajve ringu do të rivendoset sërish në qendër të pallatit, dhe spektatorët kryeqytetas, do të ndjekin një tjetër veprimtari, këtë herë ndërkombëtare.

ME KOREANËT, RINGU I FUNDIT
Ato dy sfida do të regjistrojnë fundin e boksit në Shqipëri, të paktën për një periudhë 25-vjeçare. Ka qenë një turne miqësor, kur në Tiranë do të vijë një ekip boksierësh nga RDP e Koresë. Pallati i sportit “Partizani” do të jetë në qendër të vëmendjes, interesim i jashtëzakonshëm, e premte 8 nëntor, ora 18.00 përballë qyteti i Tiranës-përfaqësuesja e Phenianit. Nën tingujt e marshit të fizkulturistëve të shoqëruar me duartrokitje ngjiten në ring boksierët e të dy ekipeve. Pas ekzekutimit të himneve shtetërore, në emër të KKP-së të BFSSH-së dhe KQVSR-së, do të përshëndesë Sotir Polena dhe Ri Hak Rim, përgjegjës i ekipit korean. Pastaj kapitenët Mustafa Allushi dhe An Man Jong shkëmbejnë flamurët dhe buqeta me lule.

Garën e hapin Halit Petrela dhe An Man Jong, një takim që në fund u fitua me pikë nga Petrela. Et’hem Ibrahimi pati përballë Kim i Jang, ku fitues u shpall boksieri korean. Ndeshje mjaft e fortë u zhvillua ajo midis Skënder Sadushit dhe Kim Tek Sek. Vendimtar ishte seti i tretë, ku Sadushi u dëmtua në vetull dhe u tërhoq. Interesante ishte sfida midis Faslli Peçit dhe Jang In Ok. Në raundin e tretë pas goditjeve të Peçit, boksieri korean bie në gjendje nokdauni. Me këtë fitore, rezultati barazohet në 2-2.

Ndeshje boksi në turneun me koreanët

Ndeshje boksi në turneun me koreanët

Ishin spektatorët që admiruan boksierin korean Han Mu Nam, shumë teknik, që fitoi me pikë, duke shfrytëzuar edhe shtatlartësinë, e përfituar nga lufta në distancë dhe jo e afërt e boksierit shqiptar. Raundi i parë midis Alfred Ashikut dhe Jang Song Gen ndonëse ishte pa goditje dhe me koreanin më agresiv në të dytin e të tretin, fitues u shpall Ashiku. Në ring dalin Hidai Rama dhe Pak Mjong Huan. Gjatë raundit të tretë, megjithëse koreani kishte dy faulle, për epërsi goditjesh ai u shpall fitues. Të fundit në atë përballje të parë ishin Mustafa Allushi dhe Kim Nam Sun. Që në fillim, Allushi u hodh në sulm e në pak sekonda koreani bie në gjendje nokdauni. Një situatë që u përsërit në të tretin kur Allushi do ta hedhë sërish nokdaun kundërshtarin duke fituar takimin. Përfundimisht 4-4 në miqësoren e parë.

Përballjen e dytë, me 12 nëntor në Pallatin e sportit “Partizani”, sërish me ekipin e qytetit të Tiranës. E hapin serinë Hekuran Buthi dhe An Min Jong, që fitohet me meritë nga i pari. Ajo vijuese në peshën shumë të lehtë, Viktor Martinit dhe Kim I Ung. Duke nënvleftësuar mbrojtjen në raundin e parë Martini pëson një nokdaun, që shoqërohet edhe me një tjetër. Ndonëse Martini merr të dytin, i treti në ekuilibër merret nga koreani. Në peshën gjysmë të lehtë u ndeshën sërish Skënder Sadushi me Kim Te Sik, që për efekt dëmtimi, humb takimin. Sfida e peshës së lehtë midis Faslli Peçit dhe Jang In OK, përfundoi në favor të Peçit. Han Mu Nam edhe kësaj radhe u duartrokit nga spektatorët për lojën e bukur, me teknikë që zhvilloi ndaj Xhemal Calit, duke fituar me pikë.

Ndeshje boksi në turneun me koreanët

Ndeshje boksi në turneun me koreanët

Me kureshtje u pritën në ring Hamdi Uka dhe Jang Song Gen, për peshën gjysmë të mesme të dytë. I riu Uka zbatoi shumë mirë goditjet e drejta si në sulm e në mbrojtje, duke triumfuar me pikë. Ndeshja e fundit, ajo për peshën e mesme të parë, ndërmjet Mustafa Allushit dhe Pak Mjong Huan. Boksieri mik, nuk mundi të përballojë guximin e boksierit shqiptar, që duke e tërhequr koreanin në strategjinë e tij, siguroi fitimin e lojës me pikë. Këtu u mbyll edhe miqësorja e dytë, e cila përfundoi 4- 3 për boksierët shqiptarë.

Pastaj ceremonia, fjalimet e rastit nga Pandi Allabashi N/Kryetar i KKP-së së BFSSH-së dhe Ri Hak Rim. Një grup pionierësh u dhuruan sportistëve buqeta me lule. Në këtë turne nuk marrin pjesë boksierët, Rahmi Sadushi, Martin Ceta, Hysen Sharra që ndodhen në Xhakarta, në Lojërat e Ganefos.

BOKSI, SPORTI I PARË NOKAUT
Askush nuk e kishte menduar se pikërisht në kulmin, interesimin, rivalitetin, grupin e talentuar të boksierëve dhe kur ky sport i dashur, i ndjekur nga shumë pasionantë, pa asnjë koment, motiv, informacion zyrtar, papritur do të hiqej nga të gjitha veprimtaritë sportive kombëtare e ndërkombëtare. Në mënyrë drastike, të pamëshirshme dhe në pak muaj, nga parajsa gjithçka do të përfundonte në ferr. Më pas fjala boks, ring, boksierë, doreza, gong, nokdaun, nokaut, dhjetë sekondat nuk do të numëroheshin më, dhe ai sport, ajo fjalë, nuk do të figuronte në fjalorin sportiv shqiptar.

Në ringun e hapur në qytetin e Shkodrës

Në ringun e hapur në qytetin e Shkodrës

Jo më ndeshje, një sport që do të zhdukej pa lënë gjurmë, për të rimarrë jetë vetëm pas viteve 90-të. Në një vështrim, rikthim nostalgjik, çfarë ishte ajo ndarje, cilat ishin motivet, autorët e atij vendimi aq befasues e të papritur? “Nuk dihen shkaqet, arsyet, kush janë ata që urdhëruan pezullimin e atij sporti aq popullor në Shqipëri”,- thotë për “Panorama Sport” Et’hem Ibrahimi, një personalitet, protagonist në ato vite, i njohur edhe si autor i mjaft librave për historinë e boksit kombëtar.

Et’hem Ibrahimi: S’ishte vendim i Byrosë, bllokmenët e donin. Djali i Mehmet Shehut stërvitej nga Ali Kastrati

Et’hem Ibrahimi, një ish-boksier dhe një personalitet i këtij sporti, edhe sot nuk e ka të qartë se përse u mor ai vendim fatal në heshtje. Ai thotë se mundësitë më të mëdha janë që Shqipëria u ndikua nga Kina, e cila e kishte mbyllur boksin ato vite, por shkak mund të ketë qenë edhe një ndeshje që tejkaloi limitet mes Todi Jankut dhe Mustafa Allushit. Në një rrëfim për “Panorama Sport” ai shprehet: “Kam qenë 21-vjeç kur në një atmosferë entuziaste pas turneve të fundit të boksit me koreanët, medaljet në Xhakarta, ky sport do të hiqej”.

Et’hem Ibrahimi duke folur për “Panorama Sport”

Et’hem Ibrahimi duke folur për “Panorama Sport”

Z.Ibrahimi, çfarë ishte dhe çfarë përfaqësonte boksi në Shqipëri?
Një sport me traditë në vendin tonë në dekada. Pas kampionatit të parë zyrtar më vitin 1947, deri më vitin 1963 kur u ndalua, mjafton të shohësh veprimtaritë e zhvilluara e kupton masivitetin me breza boksierësh të talentuar, një sport popullor, i dashur, i frekuentuar, veçanërisht nga rinia dhe i ndjekur nga pasionantë të panumërt. Partizani është fituesi i kampionatit, Kupës së parë të Republikës më 1947 dhe i të fundit më vitin 1963, me të paharruarin Ali Kastrati, boksier dhe trajner. Federata e boksit krijua më 1954 me të mirënjohurit Luigj Shala, pastaj Rexhep Rama. Veçanërisht Rama, ka qenë njeriu i përkryer në drejtim të këtij sporti ndër vite.

Ishte periudha e një sporti në ngjitje…?
Në ato vite kishte edhe dy ekipe, ai kombëtar dhe ai përfaqësues i qytetit të Tiranës, me një alternim boksierësh nga ata të Partizanit, me të klubeve të tjera, si Todi Janku, Ahmet Golemi, Çakalli, të Tiranës e Dinamos. Interesimi i jashtëzakonshëm veçanërisht për turnetë ndërkombëtarë si ai në Rumani, në maj të 1947-ës, më pas me bullgarët në shtator të vitit 1948 dhe pak më vonë, ndeshja me hungarezët. Takime që organizohen në kinema “Brigada” në Tiranë, terrene të hapura, parkun “Studenti”, në stadiumin “Qemal Stafa”, si dhe në çdo park të lojërave me dorë në qytete të ndryshme. Pastaj në Pallatin e sportit “Partizani”, të sapo përuruar që në atë fund viti 1963, që regjistron të parin e të fundit kampionat të zhvilluar aty.

Vijmë në vitin 1963 kur pati ngjarje të mëdha. Çfarë ndodhi?
Ishim prishur me rusët, me shumë traditë në boks dhe ishim lidhur me kinezët që nuk shquhen në këtë disiplinë sportive. Pikërisht në këtë periudhë, pas përfundimit me sukses të kampionatit kombëtar, kemi pjesëmarrje në dy veprimtari ndërkombëtare, nëntor-dhjetor 1963. Një turneu miqësor me koreanët në Tiranë, me ndeshje të mbuluara, rivalitet, një pallat sporti tejmbushur, një interesim të jashtëzakonshëm. Bashkë me rezultate të rëndësishme të boksierëve tanë në Xhakarta. Pikërisht në atë periudhë sporti i boksit, ndonëse amator, si kudo, mori një zhvillim të madh. Në një atmosferë të tillë, me shumë shpresë, pasion, ndjekës, papritmas, gjithçka do të rrënohej në pak kohë.

Ndalemi pak te këto lojëra…
Për dy miqësoret me koreanët dhe përfaqësimin e Shqipërisë në Xhakarta, Lojërat e GANEFOS-s, federata e boksit grumbulloi 14 boksierë. Në Hotel “Internacional”, stërvitjet në Pallatin e sportit “Partizani”, nën drejtimin e tre trajnerëve: A.Kastrati, M. Kryeziu dhe R. Bagoi. Për në Xhakarta nuk ishte përcaktuar saktësisht numri i boksierëve, por pak ditë para nisjes, u përzgjodhën vetëm 3, Rahmi Sadushi i ri i talentuar, kampion në peshën e tij, si dhe Martin Çeta e Hysen Sharra, kampionë e boksierë me përvojë. Trajner Ali Kastrati. Grupi që mbeti vijoi përgatitjet për sfidat me koreanët

Z.Ibrahimi, ka pasur zëra shqetësues, për çfarë flitej?
Qarkullonin fjalët, në bisedat me boksdashësit, flitej nën zë për një ndalim të boksit që dukej e papranueshme, e paimagjinueshme. Nuk e besonim, sepse nuk kishte asnjë motiv, përkundrazi, i konsideronim vetëm thashetheme pasi ishte një rrugë e nisur mirë, niveli po rritej dita-ditës, stërvitja ishte intensive, një sport me perspektivë, masivitet, tejet popullor, me boksierë të talentuar. Sidomos në atë periudhë ishte një brez i shkëlqyer. Një sportdashës tejet i pasionuar dhe kur çdo klub, qytet kishte një ekip boksi. Përfaqësuesja gjithashtu. Ishin krijuar struktura me stërvitje të avancuara, të reflektuara me rezultatet në takimet me koreanët dhe me boksierët tanë që vinin me medalje nga Xhakarta.

Nga e kuptuat se diçka vërtet po lëvizte dhe mund të ndodhte mbyllja?
E para ishte Xhakarta. Kur nga 14 boksierë, numri u reduktua në tre. Ky ishte një sinjal, sepse u fol që për të rritur numrin e atletëve në Xhakarta, por u shkurtua ai i boksierëve. Por jo plotësisht kështu. Kam mendimin se vendimi ishte marrë para se boksierët të niseshin për GANEFO. Por për të shmangur çdo situatë, nëse nuk do të shkonin atje do të kuptohej diçka dhe për të hequr çdo dyshim, i lejuan. Për të vijuar edhe me ndeshjet me koreanët.

Është fakt, nuk do të ketë më boks, cilat mendoni se ishin motivet dhe a kishte lidhje Kina pas kuintave?
Janë disa, por që e përsëris, vetëm hamendësojmë edhe sot pas 60-vitesh. U fol se Kina sapo e kishte ndaluar atë sport. Pra, nuk e ka Kina të mos e ketë as Shqipëria. Sapo ishim prishur me Bashkimin Sovjetik, marrëdhëniet me Kinën kishin nisur të intensifikohen, të ishin më vëllazërore. Influenca e tyre kishte filluar të ndikonte edhe në jetën tonë. Por, po të mendosh se zona aziatike kishte boks të zhvilluar me koreanët që vetëm pak muaj më parë luajtën në Tiranë, nuk të bind shumë edhe ky fakt. Pastaj kinezët nuk kishin aq forcë që t’i impononin shtetit shqiptar të hiqnin boksin, një sport kaq popullor. Edhe kjo mbetet vetëm një alternativë.

Sa mund të ketë ndikuar udhëheqja e asaj kohe në një vendim të tillë?
Nuk ka qenë vendim i marrë nga byroja, pasi pjesa më e madhe e tyre e admironin boksin, ishin pasionantë, të pranishëm deri edhe në stërvitje. Pastaj, boksierët kryesorë ishin nga Partizani, Dinamo, Tirana, me mbështetës qeveritarët tifozë të këtyre klubeve. Kur mendon çfarë atmosfere krijohej në Pallatin e sportit “Partizani”, nuk mund ta besosh se ishin ata flamurtarë për mbylljen e boksit. Propozimi, pastaj vendimi sigurisht ka ardhur nga qeveritarë, të një niveli më poshtë. Kur është bërë fakt i kryer, edhe ata kryesorët kanë heshtur, nuk kanë reaguar.

Është e vërtetë se boksi pëlqehej edhe brenda bllokut të udhëheqjes?
Jam dëshmitar i një ngjarje, si ajo me djalin e kryeministrit Mehmet Shehu, Vladimirin. Duhet të ketë qenë fundi i viti 1960, aksidentalisht në shkollë, ai kishte nxjerrë shpatullën. Kishin tentuar ta mjekonin, por pa gjetur shërim. Për këtë problem familja iu drejtua Ali Kastratit, i cili e mori dhe e solli në klubin e Partizanit. Filloi stërvitjet me ekipin e boksit dhe ku për herë të parë veshi dorezat. Aliu kishte menduar që duke u marrë me boks, të ishte një mënyrë lëvizjeje, mjekimi. E kujtoj mirë, bënte stërvitje me ne, me mua. E mori veten pa dhimbje. Dorezat e boksit i mbante me vete. Nga kjo mendohet se ato doreza, por edhe të tjera i merrnin fëmijët e bllokut që bënin boks dhe kur ata ktheheshin në shtëpi me fytyrë të gjakosur, nisur nga ankimet e fëmijëve, prindërit duke e diskutuar si një sport të rëndë, mundet të ketë qenë një tjetër alternativë për të nxitur që ai ndalohet.

Jo sport proletar dhe që të rrezikon jetën, mund të jetë edhe ky një opsion?
Gjithmonë si flitej asokohe, ishte cilësuar sport borgjez, e kanë vendet kapitaliste. Ndonëse ai aplikohej masivisht edhe në shtetet e lindjes me të cilat kishim marrëdhënie, e vlerësonin si një sport prioritar, me boksierë cilësorë ashtu si edhe te ne. Në ato vite, pati edhe ngjarje. Një boksier humbi jetën në ring. Ishte vërtet një fatkeqësi. Më vonë flitej, se ka qenë një arsye. Por ai mbeti një episod i shkëputur, jo të bëhej shkak që të ndërpritej boksi dhe kishin kaluar vite nga ajo ngjarje.

Flitet edhe për një ndeshje, që mund të jetë bërë shkak për ndalimin e tij?
Bëhet fjalë për atë të zhvilluar midis Todi Jankut të Tiranës dhe Mustafa Allushit të Lokomotivës në kampionatin e ’63-shit, Një takim që u prit me shumë interes. Allushi nga pesha 67 kg kishte bërë përgatitje të ndeshej për titull me Jankun në peshën 75 kg. Një sfidë kjo, që kaloi rregullat e një ndeshje normale. Me shumë tension, që u përcoll edhe te spektatorët e që pati jehonë, tërhoqi vëmendjen e opinionit deri edhe ata qeveritarë për mënyrën aspak pozitive që u zhvillua, e cila u fitua nga Janku. Por edhe kjo nuk të bind, sepse edhe mundet të ndodhin të tilla situata, ku ndëshkimi mund të jetë individual.

E kujtoni, kur dhe si u njoftuat, si u përhap lajmi tashmë përfundimtar?
Kur në numrin e parë të gazetës “Sporti”, në janar të vitit 1964, në kalendarin sportiv vjetor mungonte boksi. Vetëm aty e kuptuam se ishte fakt i kryer, realitet që ky sport ishte hequr, nuk do të zhvillohej më.

Faqja e parë e gazetës “Sporti” e datës 2 janar 1964, me kalendarin vjetor të sportit, ku mungon veprimtaria e boksit

Faqja e parë e gazetës “Sporti” e datës 2 janar 1964, me
kalendarin vjetor të sportit, ku mungon veprimtaria e boksit

Normalisht pritej një reagim nga të gjithë, apo jo?
Heshtje shtetërore, edhe pse shumë prej tyre, pra drejtues të lartë, qeveritarë të kohës, ushtarakë madhorë, gjeneralë, kolonelë kishin pasion, e ndiqnin nga afër sportin e boksit. Edhe ata heshtën. Nuk pati reagime nga boksierë, specialistë, dashamirës, ata të edukimit fizik, arbitra, trajnerë, personalitete, gjithçka u kalua në heshtje totale. Frika zotëronte në çdo bisedë. Ringjet humbën me to edhe gonget. Dikush ka ruajtur ndonjë dorezë të asaj kohe.

Jo vetëm si ish-boksier, njohës dhe që e keni përjetuar atë ngjarje, por dhe si një personalitet, hulumtues e botues, çfarë keni mundur të zbuloni realisht?
Fatkeqësisht nuk ka asnjë rresht dokumenti zyrtar të shkruar lidhur me këtë ngjarje, asnjë njoftim edhe në gazetë. Gjithçka mbetet me hamendje edhe pse jam përpjekur në vite pa mundur të zbuloj të paktën një shkresë, dy radhë, një informacion minimal. Gjithçka e zhdukur pa asnjë gjurmë, një mister i madh. Ata mund ta hiqnin, por duke nxjerrë një argument, justifikim kur ky sport ishte bërë i dashur, popullor, praktikohej në shkolla, me nxënës, ushtarakë. Kishte pasion, dëshirë të madhe për zhvillimin e tij

Z.Ibrahimi, si mendoni, cila është e vërteta e atij vetpezullimi shembullor, ideatorët dhe vendimmarrësit?
Nuk e dinim, nuk e dimë ende të vërtetën. Një enigmë që si asokohe ka mbetur e tillë edhe sot. Askush nuk del të thotë, të deklarojë motivin, nga çfarë dhe pse u ideua ai vetpezullim? Ku janë dokumentet, shkresat e atij vendimi absurd, kur pas futbollit boksi ishte sporti më popullor në Shqipëri?. Sa keq, një kapitull i errët që vijoi për më shumë se 25 vite, pa asnjë përgjegjës, asnjë fajtor. Ruaj konsiderata për Rexhep Ramën, Vasil Konomin, drejtues të federatës asokohe, por askush nuk mund të fliste, deklaronte, komentonte. Më vonë, pas 90-tës, duhet të ishte sqaruar gjithçka, por heshtja për fat të keq vijoi.

Një rast analog është edhe në futboll në vitin 1973…
E di, por ka një ndryshim. Ndërsa boksi u përjashtua nga të gjitha aktivitetet, futbolli vetëm në ato ndërkombëtare, dhe për pak vite. Ndërsa në Shqipëri luhej, nuk u ndërpre. Sidoqoftë, edhe ky një vetpezullim shumë negativ.

Z.Et’hem, në Shqipëri vijnë ndryshimet demokratike, po me boksin çfarë ndodhi?
Rikthimi më 1991 pas 28 vitesh, si në të gjitha fushat edhe në sportin e boksit. Fillimisht u ngrit një grup me 13 nismëtarë që krijuan shoqatën e parë të boksit shqiptar. Në të bënin pjesë: Ali Kastrati, Hysen Sharra, Todi Janku, Ismet Bellova, Arben Jorgoni, Ramiz Reka, Et’hem Ibrahimi, Kristaq Laçi, Ismet Vorfi, Luftar Hasani, Pavllo Dudi, Skënder Kalenja, Ali Kamenica. Kjo shoqatë pas pak u kthye në Federatën Shqiptare të Boksit. Nisën aktivitetet kombëtare, por me vështirësi. Periudha e gjatë e ndërprerjes kishte lënë pasoja. Duhej kohë për ta ringjallur, rikuperuar dëmet.

INTERVISTOI: UVIL ZAJMI

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"