Zëvendësuesi i Balajt zbarkon në Shkodër, një malazez nis provën te Vllaznia
Trajneri Brdariç kërkonte në merkato edhe një sulmues si alternativë për Bekim Balajn dhe tashmë e ka një të tillë, por në provë. Në Shkodër ka mbërritur malazezi Danin Taloviç, 29-vjeçari që kohët e fundit ka luajtur në Libi.
Bëhet fjalë për një sulmues me eksperiencë, që ka një profil të ngjashëm me atë të kapitenit të Vllaznisë, siç tregojnë parametrat e tij fizikë, 1.9 metra i gjatë. Para se të shkonte në Libi, Taloviç ka provuar të luajë me disa skuadra në vendin e tij, si Rudar Pljevlja, Jezero dhe Lovçen, si dhe me Dordoi Bishkek në Kirgistan. Po ashtu, sulmuesi ka pasur një eksperiencë të shkurtër në futbollin kosovar me Flamurtarin e Prishtinës.
Lojtari ka nisur që dje provën te Vllaznia dhe stafi teknik do ta vëzhgojë me shumë kujdes. Trajneri Tomas Brdariç më pas do të vendosë, nëse sulmuesi është i vlefshëm për skuadrën e tij, apo jo. Ndoshta në miqësoren me Laçin Taloviç do të marrë minuta dhe mbetet të shihet, nëse mund ta kalojë provën.
Ditët e fundit drejtuesit e klubit shkodran kanë bërë të qartë se u duhet edhe një sulmues, pasi vetëm me Balajn nuk mund të përballohet një sezon i gjatë dhe i vështirë. Gjatë merkatos së deritanishme kuqeblutë nuk kanë afruar asnjë lojtar për sulmin, ndërkohë që është larguar braziliani Bruno Gomesh.
Nëse Taloviç nuk do ta kalojë provën, atëherë klubi duhet të shtojë kërkimet për një lojtar tjetër për të përforcuar repartin e avancuar para se të nisë kampionati. Për mbrojtjen dhe mesfushën duket gjithçka në rregull te Vllaznia.
ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"