Zbehet pista “Hasani”, Tirana sulm total për mesfushorin Kobinah

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2018 | 12:27

Zbehet pista “Hasani”, Tirana sulm total për mesfushorin Kobinah

Edon Hasani nuk arrin akordin me Tiranën. Mesfushori pak ditë më parë nisi negociatat me bardheblutë, megjithatë në përfundim palët nuk kanë gjetur dakordësinë. Kjo pistë është “zbehur” ndjeshëm, për të mos thënë që shanset që ky transferim të realizohet me sukses deri në mbyllje të merkatos janë më shumë se minimale. Por, për kryeqytetasit nuk ka vend për “stres”, përkundrazi. Ata e kanë gjetur prej kohësh futbollistin që u duhet për këtë repart dhe bëhet fjalë për Uinful Kobinah. Ganezi parimisht ka gjetur marrëveshjen me klubin më të titulluar në vend.

hasani vllaznia

Në ditën kur klubi prezantoi Vincent Atingën si blerje, morën edhe OK-in e mesfushorit 26-vjeçar. Ai është gati që të nisë një aventurë të re në Shqipëri, megjithatë “ngërçi” mbetet te kontrata që ai ka me Hart of Oak (e cila skadon në dhjetorin e 2018-ës). Është pikërisht ky shkaku që po vonon edhe zyrtarizimin e tij. Drejtori ekzekutiv i klubit, Hektor Çomo, është duke u marrë enkas me këtë “operacion” dhe shpresohet që nga momenti në moment të sigurohen shërbimet e tij. Në Ganë vazhdon kampionati dhe klubi Hart of Oak i ka ofruar rinovimin lojtarit.

Kobinah ka refuzuar zgjatje të marrëveshjes, ndaj edhe situata është komplikuar ndjeshëm. Bardheblutë nuk humbasin shpresat dhe nuk kanë në plan që të heqin dorë kaq shpejt. Për këtë motiv, ata kanë nisur tratativat edhe me vetë ekipin që zotëron kartonin e tij për të gjetur gjuhën e përbashkët. Megjithatë, deri më tani ende nuk mund të thuhet nëse 26-vjeçari do të vijë apo jo në Shqipëri.

kOBINAH

Nën urdhrat e Ze Marias janë zyrtarisht Erando Karabeci e Toni Maveje për qendrën e mesit të fushës, ndërsa drejt konfirmimit është edhe Asion Daja (i cili ende nuk ka rinovuar kontratën në fakt). Përtej të rinjve të talentuar që kanë për këtë repart, që mund të shfrytëzohen për të dubluar formacionin, klubi pret që t’i shtojë fantazinë. Gjithsesi, nëse gjithçka shkon sipas planit me Kobinah, ai ka gati kontratën 3-vjeçare dhe me të Tirana do të mbyllte llogaritë me afrimet për mesfushën.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"