Zabërgja: Fanella e Dinamos ka peshë, të imponon suksesin
Me shumë mundësi, Baton Zabërgja do të jetë kosovari i vetëm i Dinamos sezonin e ardhshëm, pasi Krasniqi dhe Tusha janë larguar dhe kështu pritet të ndodhë edhe me Tahirin.Sulmuesi i djathtë, që u bashkua me blutë verën e kaluar, ishte një nga titullarët e rëndësishëm të bluve, autor i 5 golave në kampionat. Ai do të luajë sezonin e dytë me “Nëndetësen” dhe shpreson që të arrijë suksesin e dëshiruar prej tij, klubit dhe tifozëve të Dinamos. Futbollisti 23-vjeçar thekson për “Panorama Sport” se Dinamo ka një fanellë të rëndë, që imponon këdo të japë gjithçka nga vetja për të çuar atje ku e meriton.
“Ndryshova kampionat dhe mendoj se si sezon i parë në Shqipëri ishte mirë, por në aspektin personal s’jam fare i kënaqur. Mund të kisha bërë më shumë, por mendoj se kam mësuar shumë nga ai kampionat që kaloi, që do të më shërbejë për të ardhmen. Fanella e Dinamos ka një peshë të rëndë dhe të imponon që gjithmonë të japësh maksimumin në fushë. Të gjithë ata që kanë luajtur për këtë skuadër e dinë këtë gjë, edhe ata që do të vijnë do ta kuptojnë. Është skuadër që meriton të jetë në majat e futbollit shqiptar, ku ka bërë historinë e saj”, shprehet Zabërgja për gazetën.
KATËRSHJA – “Sigurisht që më vjen shumë keq që s’shkuam në 4-shen e parë kampionatin e fundit. Keqardhja është e madhe për mënyrën si e humbëm 4-shen, sepse ishim aq afër deri në javët e fundit. Ishim në vend të katërt dhe duhej ta kishim mbajtur, por tashmë nuk kthejmë dot pas gjë dhe e rëndësishme është ajo që do të bëjmë në të ardhmen” shton sulmuesi kosovar.
SEZONI I RI – “Kam mësuar që ka pasur ndryshime në skuadër, ka pasur largime, patjetër do të ketë afrime dhe gjithçka mbetet për t’u parë në vazhdim, kur të nisim punën dhe në kampionat. Por besoj shumë se Dinamo do të jetë më e fortë sezonin e ri, duke rivalizuar me kundërshtarë si Partizani dhe Egnatia e të tjerë. Herët a vonë Dinamo do të shkojë në vendin që meriton dhe shpresoj që kjo të ndodhë sa më parë”, ka përfunduar Baton Zabërgja, i cili luajti 33 ndeshje në kampionatin e fundit me fanellën blu.
FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"