Z. Rama besojini besnikut tuaj Fidel, por edhe kontrollojeni!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2023 | 12:50

Z. Rama besojini besnikut tuaj Fidel, por edhe kontrollojeni!

NGA VIRON BEZHANI
I nderuar Kryeministër, po ju drejtohem si njeri i sportit prej 50 vitesh dhe si ish-drejtues për 8 vite i KOKSH-it. Ju dëgjova në bisedën tuaj me sportistët elitarë në takimin në kryeministri, kur shpërndatë një medalje, emrin e së cilës e dëgjoja për herë të parë në sport.

Collage Maker-30-Mar-2023-12-46-PM-8978

Ju përgëzoj për vlerësimin që u bëhet sportistëve elitarë, megjithëse duhet t’ju them që kujdesi i qeverisë duhet të jetë shumë më i madh për mijëra sportistë të rinj që duan të bëhen elitarë në Shqipëri, por që nëse vazhdohet me politikat e ndjekura deri më tani, nuk do të bëhen dot kurrë.

Ju mund të vlerësoheni pozitivisht, sepse keni dhënë shumë para për sportin.

Por, për fat të keq këto para ua keni dhënë njerëzve të gabuar. Dhe ky njeri i gabuar është besniku yt (Fidel). Ia keni dhënë se keni besim se është i ndershëm dhe i aftë të menaxhojë para që jepen për sportin tonë, por faktet tregojnë se besniku yt nuk është as njëra dhe as tjetra. Nuk është i ndershëm, sepse ato 5 milion dollarë po i bën rrush e kumbulla duke i shpërdoruar haptas pa u shqetësuar aspak.

Më konkretisht:

1. Ka blerë 1 miliard e 400 milionë lekë materiale sportive nëpërmjet një tenderi ku, ndër 6 firma, ka fituar firma që kishte ofertën më të shtrenjtë, jo pak, por me 400 milionë lekë më shtrenjtë, ndërkohë që 5 të tjerat ishin me ofertë nën 1 miliard lekë.

2. Ka paguar 457 milionë lekë për të transmetuar në një televizion privat aktivitetet e fëmijëve të këtij projekti, shifër skandaloze, që nuk ka asnjë lidhje me realitetin.

3. Nëse hyni në specifikimet e mjeteve të blera do të shikoni skandale të tmerrshme. E di që nuk do të hyni prandaj do t’ua lehtësoj punën duke u drejtuar unë SPAK-ut që të vendosë drejtësi për ato fakte tashmë të vërtetuara.

4. Ka punësuar një ushtri në administratën e KOKSHit për menaxhimin e këtij projekti, me rroga të larta skandaloze, ndërkohë që sportistët elitarë vuajnë për kushtet minimale. Merrni listë-pagesat dhe vërtetojeni këto pagesa. Për sa i përket aftësisë po ju informoj se ky projekt ku keni dhënë para më tepër se pesëfishi i parave që ka dhënë shteti për gjithë federatat shqiptare të sportit është një dështim i plotë që nuk plotëson asnjë kusht organizativ:

5. Projekti nuk është aprovuar paraprakisht në asnjë organ të KOKSH-it

6. Shpenzimet dhe bilancet nuk kanë asnjë miratim dhe auditim.

7. Projekti nuk mund të monitorohet në rang kombëtar, sepse nuk ka asnjë mundësi serioze organizative për këtë.

8. Megjithëse ka kaluar me shumë se një vit nga fillimi, nuk ka asnjë aktivitet të këtyre ekipeve sportive.

9. Krijimi i ekipeve sportive të këtij projekti është në shkelje të plotë të Ligjit të Sportit. Sikur të mos mjaftonin këto, ju keni emëruar një zv.ministër Sporti, që, thonë, e ka propozuar Besniku, i cili jo vetëm që është i paaftë, por e pranon edhe vetë këtë gjë dhe po mundohet ta korrigjojë duke bërë një gafë flagrante: Zv.ministri juaj është regjistruar si student në një master sporti (!?!?), tani që është në detyrë.

Masteri fillon mësimin çdo ditë në orën 14.00, ndërkohë që zv.ministri e lë punën në ministri në orën 16.30 … Nuk e di a ka një rast tjetër të tillë absurd në botë. Me siguri nuk mund të ketë…

I nderuar Kryeministër, kam frikë se ju do të vazhdoni të mbështesni besnikun tuaj. Por dijeni se kontributi i rëndësishëm që bëtë duke dhënë 5 milionë dollarë për sportin do të bëhet zero nga menaxhimi skandaloz që po iu bëhet këtyre fondeve dhe do t’ju kthehet kundër, siç është kthyer, në opinionin sportive kombëtar.

Unë në cilësinë e presidentit të KOKSH-it bëra një luftë të paepur për të mos u shpërdoruar fondet që jepnin ndërkombëtarët (e sot po ndodh që po shpërdorohen dhe fondet e taksapaguesve shqiptarë) duke iu drejtuar organeve kompetente, duke filluar nga krimi ekonomik, i cili çmoi ta dërgonte çështjen në prokurori e që sot akoma nuk kemi një vendim përfundimtar, pasi drejtësia shqiptare dihet si funksionon.

E përpos kësaj, kur kërkoj nga instancat përkatëse me të drejtën që më jep ligji që të kërkoj llogari se si janë kryer auditimet ne KOKSH nga auditues që nuk u takonte ta kryenin atë, vjen përgjigja nga organet që drejtohen nga qeveria shqiptare pas tetë muajsh, se arriti në konluzionin që nuk ndeshi në rrethana që bien ndesh me kërkesat përkatëse të Kodit të Etikës.

Dhe pas kësaj përgjigje (kuptohet se si është dhënë) përse besniku yt nuk bën transparencën e duhur për bilancet e KOKSHit, por ato vazhdojnë dhe nuk publikohen në faqen e tij? Përse kur gjithçka qenka “në rregull” publikimi i raporteve financiare ka mbetur në vitin 2018, e nuk publikohen të viteve në vazhdim.

Sot jemi në vitin 2023, është tepër e rëndë kjo që ndodh pasi nuk bëhet më fjalë vetëm për fonde ndërkombëtare, por edhe ato të taksapaguesve shqiptarë.

Besoji besnikut, por hidhini edhe ndonjë sy kontrollues se në vend të vini vetullat, po nxirrni sytë me lekët e taksapaguesve… Mora mundimin t’ju shkruaj këtë letër publike duke shpresuar se do ta lexoni, të paktën. Pastaj po shërbeu që t’ju hapen sytë e veshët kur shikoni e dëgjoni besnikun tuaj, aq më mirë…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"