Yjet e Ballkanit në sport, Luiza Gega më e mira e Shqipërisë. Kristjan Asllani në vend të 21-të

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2024 | 17:19

Yjet e Ballkanit në sport, Luiza Gega më e mira e Shqipërisë. Kristjan Asllani në vend të 21-të

Agjencia Bullgare Telegrafike (BTA), në bashkëpunim me agjencitë kombëtare të lajmeve në vendet e Ballkanit: Agerpres (Rumani), Anadolu Agency (Turqi), ANAMPA (Greqi), ATA (Shqipëri), FENA (Bosnje dhe Hercegovinë) , HINA (Kroaci), MPB (Maqedonia e Veriut), MINA (Mali i Zi), Tanjug (Serbi), ka zhvilluar edicionin ne 50-të të sondazhit për sportistët më të mirë të vitit në Ballkan.

luiza-gega

Vlerësimin e sportit më të mirë për 2023-shin e ka merituar tenisti serb Novak Xhokoviç, i cili e fiton për herë të tetë këtë sondazh (rekord). Xhokoviç mblodhi 103 pikë, duke përsëritur kështu sukseset e viteve 2011, 2012, 2013, 2014, 2015, 2019 dhe 2021. Numri 1 në renditjen botërore të tenisit pati një nga sezonet e tij më të mira. Ai luajti finale në të katër turnetë e Grand Slam, duke fituar tituj në Australi, Francë dhe US Open dhe më pas e mbylli fushatën e tij me një trofe në “Nitto ATP Finals”. Në vend të dytë në këtë klasifikim u rendit një tjetër yll i madh i sportit botëror, basketbollisti serb, Nikola Jokiç, i cili u shpall kampion në NBA me Denver Nuggets, duke fituar edhe çmimin MVP të finaleve.

Jokiç grumbulloi në këtë sondazh 72 pikë. Ndërsa podiumi u plotësua nga një tjetër kampion i sportit të koshit, bullgari Aleksandar Vezenkov, me 38 pikë. Vezenkov u shpall MVP i Euroligës për sezonin 2022- 2023 dhe luajti ë finale me Olimpiakosin në turneun më prestigjioz të klubeve në Evropë, finale e humbur në mënyrë dramatike kundër Real Madridit. Në verë ai nënshkroi një kontratë me Sacramento Kings dhe u bë bullgari i dytë në histori pas Georgi Gloucckov që militon në NBA. Kërcyesi grek Miltiadis Tentoglu u rendit i katërti me 36 pikë, ndërsa u bë kampion bote në salla të hapura dhe kampion europian në salla të mbyllura në vitin 2023. Ndërsa kampionia botërore e kërcimit së gjati serbja Ivana Spanoviç u rendit në vendin e pestë në këtë klasifikim me 35 pikë.

Në këtë sondazh u kalua edhe përtej Ballkanit, teksa u votua edhe kampioni i botës në Moto GP, italiani Françesko Banjaja, i cili mori 32 pikë dhe u pozicionua në vendin e gjashtë. Volejbollistja turke Melisa Vargas u rendit e shtata me 31 pikë, e cila ndihmoi përfaqësuesen e saj për të fituar titullin europian, duke u zgjedhur edhe si lojtarja më e mirë e turneut. Kampioni i botës në kërcim së larti dhe fituesi i medaljes së artë të Lojërave Europiane, italiani Xhanmarko Tamberi, fitoi 27 pikë për tu renditur i teti. Gjimnastja ritmike bullgare Boriana Kalein, e cila fitoi medaljen e artë në gara individuale në Kampionatin Europian, si dhe titullin ekipor botëror e atë europian me kombëtaren bullgare u rendit e nënta me 21 pikë. Ndërsa “top-10” e yjeve të sportit në Ballkan u plotësua nga kampionia botërore dhe europiane në rouing, rumunia Simona Radis me 19 pikë.

GEGA, YLLI I SHQIPËRISË

Në klasifikimin e yjeve të Ballkanit në sport morën vota gjithsej 57 sportistë, ndërsa pozicionimin më të lartë nga shqiptarët e kishte kampionia e atletikës, Luiza Gega, e cila u rendit në vend të 13-të më 12 pikë të grumbulluara. Gega zhvilloi një sezon të jashtëzakonshëm, duke vijuar paraqitjet top për të disatin vit radhazi, me rezultate historike dhe rekorde të shumta. Për të kuptuar sezonin e pabesueshëm të Luiza Gegës, mjafton të përmendim vetëm disa nga arritjet e saj në 2023- shin. Një vit në të cilin Luiza Gega bëri histori me tripletë medaljesh ari në Kampionatin Ballkanik që u mbajt në Serbi në disiplinat 3000 metra, 5000 metra dhe 3000 metra me pengesa.

Një tjetër medalje të artë e fitoi në Ballkanikun e krosit në Bullgari, si dhe në gjysmë-maratonën ballkanike që u mbajt në Maqedoninë e Veriut. Medalje ari Luiza regjistroi edhe në Europianin Ekipor në Poloni në garën e 5000 metrave. Në Poloni Luiza Gega bëri histori, duke fituar edhe medaljen e artë në Lojërat Olimpike Europiane në garën e 3000 metrave me pengesa, rezultat që erdhi me kohë rekord për kompeticionin. Përveç titujve të zakonshëm në rang kombëtar, Luiza fiksoi edhe rekorde të reja në 3000 metra me pengesa, 5 km rrugë, gjysmë-maratonë, apo rekord ballkanik, rezultate këto të stampuara gjatë vitit 2023 nga atletja shqiptare.

KUQEZINJTË E TJERË

Në këtë sondazh u votuan gjithashtu edhe tre sportistë të tjerë të Shqipërisë. Futbollisti Kristjan Asllani u rendit në vend të 21-të. Mesfushori i Kombëtares dhe i Interit grumbulloi gjithsej 10 pikë. Karateisti Alvin Karaqi, i cili fitoi medalje të artë në Lojërat Europiane, pozicionohet në vend të 42-të me 4 pikë, ndërsa mundësi Zelimkhan Abakarov, nënkampion bote gjatë vitit të shkuar, pozicionohet në vendin e 51-të, duke marrë 2 pikë në këtë sondazh.

Dardanët

Fazliu dhe Rrahmani, kampionët e Kosovës

Në sondazhin e yjeve të sportit në Ballkan për vitin 2023 u votuan edhe katër sportistë të Kosovës. Xhudistja Laura Fazliu dhe futbollisti Amir Rrahmani u klasifikuan respektivisht në vend të 19-të dhe të 20-të me pikë të barabarta, nga 10 secili. Më tej janë dy xhudistë të tjera, Distria Krasniqi në vendin e 22-të me 9 pikë, si dhe Nora Gjakova në vendin e 27-të me 8 pikë të grumbulluara.

TABELA (1)

ARTIN LLESHAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"