Xhevahiret blu në vitrinë, gati shitjet e dy sulmuesve të Dinamos në janar
“Duhet të përgatitemi, sepse ka kërkesa për lojtarët tanë më të mirë”, deklaroi trajneri Ilir Daja pas fitores në Shkodër. Një paralajmërim se në janar mund të kishte ndonjë shitje nga Dinamo.Diçka normale në fakt, duke parë sezonin që po zhvillojnë blutë dhe formën mjaft të mirë që kanë treguar disa nga titullarët. Janari është afër dhe klubi kryeqytetas do të vlerësojë çdo ofertë konkrete serioze që do të marrë, nëse ajo e justifikon shitjen e një lojtari të caktuar që në këtë moment, apo jo. Vlerësimi do të bëhet edhe në raport me objektivat që ka Dinamo.
XHEVAHIRET BLU – Nuk është sekret se lojtarët më të lakmuar nga klubet e huaja janë ata që kanë shënuar më shumë për Dinamon deri tani, Baton Zabërgja dhe Peter Itodo Mandela. Janë të dy lojtarë që i kanë numrat plotësisht në rregull për të lënë Superioren dhe për të shkuar në një kampionat europian më të fortë. Janë të dy të rinj në moshë, luajnë në repartin e sulmit dhe dihet që kërkesat më të shumta në treg janë pikërisht sulmues. Kosovari ka realizuar 8 gola dhe nigeriani 7 gola, një reklamë shumë e mirë në sytë e klubeve të huaja, që duan t’i marrin nga Dinamo ndoshta që në janar. Klubi kryeqytetas në anën tjetër do të kenë mundësinë të arkëtojë shifra të konsiderueshme. Për detaje konkrete në lidhje me ofertat që mund të kenë mbërritur për dy sulmuesit klubi tregohet i rezervuar, por dihet që interesimi për xhevahiret blu është në rritje.
TË TJERËT – Por nuk janë vetëm Mandela e Zabërgja lojtarët me potencial që Dinamo ka në përbërje. Emra të tjerë, si Gudiabi, Karamba, Qefalija dhe Nani kanë premisa për t’u shitur nga klubi në të ardhmen. Këta lojtarë e kanë rritur nivelin e lojës dhe duke pasur parasysh edhe moshën e re, me përjashtim të portugezit Nani, i cili është 26 vjeç, kanë shanse për të kaluar në një kampionat të huaj. Por në çdo rast klubi do të vërë në peshore vlerën që ofrohet për një lojtar të caktuar dhe atë që ai mund t’i japë skuadrës për të marrë vendimin e duhur. E sigurt është se interesimi për lojtarët e Dinamos është në rritje dhe kjo është në të mirë të të dyja palëve.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"