Xhabrahimi: Lushnja e nis mbarë fazën e dytë, më mungon goli. Magani: Nuk gabojmë dy herë radhazi, i mundim dibranët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2024 | 18:16

Xhabrahimi: Lushnja e nis mbarë fazën e dytë, më mungon goli. Magani: Nuk gabojmë dy herë radhazi, i mundim dibranët

Albi Xhabrahimi, një sulmues tipik numër 9, nuk shënon që nga java e tretë, në humbjen 1-2 ndaj Kastriotit në “Roza Haxhiu”. Lushnja e nis fazën e dytë me një favorizim, pasi tre nga katër ndeshjet e para i luan në shtëpi.

lushnja

Kjo është një mundësi për t’u zhbllokuar dhe për të rikthyer verdhejeshilët te fitorja, veçanërisht nesër kur do të presin Korabin. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Xhabrahimi pohoi se beson që faza e dytë do të jetë më e mirë për atë dhe ekipin.

Albi, a ju mungon goli te Lushnja?

Më mungon shumë. Kanë kaluar disa javë që nuk po shënoj dhe po kaloj një moment psikologjik jo të mirë.

Sa e ndjen një sulmues tipik numër 9 mungesën e golit?

Pas disa javësh mungesë të vjen momenti dhe e ndjen. Besoj shumë se   këtë javë do të gjej rrugën e rrjetës dhe të dal nga ky “ngërç”. Unë jam sulmues dhe detyra ime është të shënoj.

Si kanë shkuar përgatitjet për sfidën me Korabin?

Po e përgatisim në mënyrën më të mirë. Po punojmë që të mos i zhgënjejmë tifozët dhe të dalim fitues në startin e fazës së dytë.

Pritet një reagim i menjëhershëm, sa e mundur është fitorja?

Në çdo ndeshje futemi për fitore. Normalisht që jemi të mërzitur nga humbja me Valbonën. Ekipi i ka të gjitha mundësitë për të reaguar dhe për të dalë me pikë të plota ndaj Korabit.

Si e parashikoni fazën e dytë?

Do të ndeshemi sërish me 11 kundërshtarët tanë. E rëndësishme është të bëjmë mirë në fushën e lojës dhe ta nisim mbarë me ndeshjet e kthimit, duke filluar nga dita e premte me Korabin.

Faza e parë në Peshkopi u mbyll pa gola, si e mendoni duelin e nesërm?

Do ta fitojmë këtë ndeshje. Skuadra do të reagojë dhe kemi shumë besim se do të dalim te golat dhe fitorja.

Mbrojtësi

Magani: Nuk gabojmë dy herë radhazi, i mundim dibranët

Lushnja e mbylli fazën e parë në vend të tetë me 12 pikë, me 9 gola të shënuar dhe 8 të pësuar. Askush nuk ka shënuar më shumë se dy gola. Listën e kryesojnë Xhabrahimi dhe Canka. Pesë futbollistë të tjerë kanë shënuar nga një gol. Sa i përket portës, Alimuçaj ka një aktivizim të plotë me 990 minuta, ku ka pësuar 8 gola me një mesatare 0,7 për ndeshje. Faza e dytë nis me Korabin në shtëpi. Ndaj Valbonës, lushnjarët pësuan humbjen e parë në shtëpi. Lushnjarët do të mbeten në “Roza Haxhiu”, ku do të presin Korabin e drejtuar nga trajneri Agim Canajt. Një nga “veteranët” e Lushnjës, mbrojtësi Endrien Magani, për “Panorama Sport” u shpreh: “Lushnja nuk mund të gabojë dy herë radhazi në fushën e vet. Ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë për të fituar. Të luajmë mirë dhe t’i shfrytëzojmë rastet tona. Të jemi të saktë para portës dhe ndeshja shkon ashtu si e duam ne. Jemi shumë të motivuar për Korabin dhe alternativa jonë e vetme është fitorja”.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"