Volejboll meshkuj/ Rezultatet e Kupës së Shqipërisë, Studenti dhe Skënderbeu nuk gabojnë në shtëpi
Me dy ndeshje të zhvilluara të shtunën në Tiranë dhe Korçë është mbyllur java e parë e fazës së grupeve në Kupën e Shqipërisë në volejbollin e meshkujve. Në Grupin A, Studenti e filloi me këmbë të mbarë, teksa triumfoi ndaj Teutës me rezultatin 3-1 në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.
Një sukses që erdhi më përmbysje për skuadrën që drejtohet nga Kestrin Batalli, pasi durrsakët e nisën më mirë, duke marrë setin e parë 20-25. Studenti reagoi më së miri duke kthyer gjithçka në favor, teksa fitoi me rezultatin e njëjtë 25-23 në setin e dytë dhe të tretë, ndërsa e vulosi suksesin duke marrë setin e katërt 25-21.
Partizani, mbajtës në fuqi i Kupës, qëndroi pushim në javën e parë për shkak të numrit tek (3) të ekipeve në Grupin A, ndërsa Studenti ka marrë kryesimin pas javës së parë. Për sa u përket sfidave të Grupit B, ky grup siç dihet u hap të premten me fitoren e Tiranës ndaj Vllazninë me rezultatin 3-1 (25-21, 25-12, 24-26, 25- 14) në sallën “Farie Hoti”.
Të shtunën u zhvillua sfida tjetër mes Skënderbeut dhe Elbasanit në pallatin e sportit “Tamara Nikolla”, në Korçë. Një përballje e dominuar në çdo aspekt nga vendësit, të cilët triumfuan me rezultatin e pastër 3-0 (25-11, 25- 17, 25-19). Pas ndeshjeve të javës së parë, Skënderbeu kryeson grupin falë diferencës më të mirë të seteve, ndërsa Tirana renditet në vend të dytë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"