VOLEJBOLL/ Kupa e FSHV-së, Partizani “masakron” Tiranën në finale dhe fiton trofeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2024 | 14:29

VOLEJBOLL/ Kupa e FSHV-së, Partizani “masakron” Tiranën në finale dhe fiton trofeun

Partizani ka fituar Kupën e FSHV-së në volejboll për meshkuj, duke e nisur me këmbë të mbarë sezonin 2024-2025 në sportin e rrjetës.

WhatsApp Image 2024-09-09 at 2.22.22 PM

Të kuqtë dominuan në finalen e djeshme të zhvilluar në Farkë, duke likuiduar Tiranën me rezultatin e pastër 3-0 në një takim që zgjati 1 orë e 43 minuta. Derbi i zhvilluar mbrëmjen e djeshme pa në parket dy ekipe me përbërja 100% shqiptare, ndërsa të kuqtë ishin dukshëm superiorë, duke merituar edhe trofeun e parë të sezonit.

Me Qepën, Sabliqin si dhe me afrimin nga Tirana të vëllezërve Ledion e Krist Martiro, Partizani ka krijuar një bosht mjaft të fortë vendorë. Ndërsa bardheblutë në këtë fillim sezoni vijnë me më pak kualitet sesa jemi mësuar që ti shikojmë gjatë viteve të fundit, me disa zgjedhje të dyta që tashmë janë titullarë.

Për sa i përket ndeshjes së djeshme, Partizani e filloi mjaft mirë, duke u shkëputur menjëherë në pikë, për ta fituar setin e parë thellë 25-16, ku protagonist i “set point”-it ishte ish-i, Krist Martiro, i cili vulosi shifrat direkt nga shërbimi. Edhe në setin e dytë të kuqtë e komanduan lojën, për të fituar 25-19, duke thelluar në 2-0. Skuadra e Arben Sakos provoi të reagonte në setin e tretë, por e kishte të vështirë të mbante ritmin e rivalëve, ndërsa me një bllok dysh fitues nga dy elementë të akademisë së kuqe si Baçova dhe Shllaku, Partizani fiksoi shifrat 25-18 në setin e tretë, duke vulosur të gjithë sfidën 3-0.

adasdsadsadsa

Për t’u theksuar është se në këtë kompeticion testues para kampionatit, ekipet u dhanë hapësira edhe elementëve të rinj. Në fund ishte radha e ceremonisë, ku zv.presidenti i FSHV-së, Dashamir Brari si dhe sekretari Ervis Dosti, i dorëzuan trofeun kapitenit të Partizanit, Osman Qepës.

DEKLRATAT – Arkitekti i Partizanit, Ylli Tomorri, e komentoi kështu fitimin e Kupës së Federatës nga skuadra e tij: “E meritonim këtë përfundim në finale. Nuk jemi në maksimum, por kemi krijuar një ekip të denjë për të ruajtur titullin, pasi siç dihet ta mbrosh është edhe më e vështirë sesa ta fitosh. Mendoj që për të fituar trofetë e sezonit duhet të kalojmë nëpërmjet Tiranës. Partizani pret edhe lojtarë të tjerë dhe mendoj që do të bëjmë një kampionat edhe më të fortë se në sezonin e kaluar. Pra po punojmë për t’u rikonfirmuar dhe presim që të kompletohem edhe me katër lojtarë”, u shpreh trajneri i të kuqve.

WhatsApp Image 2024-09-09 at 2.22.26 PM

Ndërkohë libero i Tiranës, Hendi Koni deklaroi: “Patëm një fillim të vështirë, që do ta quaja një ngërç psikologjik. Sigurisht largimi i vëllezërve Martiro e ka dobësuar ekipin në shumë aspekte. Megjithatë mendoj që gjatë javëve në vazhdim do të shohim një Tiranë më të fortë, pasi edhe lojtarët e rinj duhet kohën e tyre për t’u përshtatur, ndërsa pse jo presim edhe ndonjë afrim në merkaton e janarit”, u shpreh Kono për “Rtsh Sport”. Tashmë i gjithë fokusi do të jetë për kampionatin, me startin që do të mbahet këtë fundjave.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"