VOLEJBOLL/ Finalja e parë vishet bardheblu, Tirana përmbys Partizanin
Finalja e parë e Superligës së volejbollit për meshkuj është veshur bardheblu. Tirana ka fituar dje kundër Partizanit me rezultatin 1-3 në “Asllan Rusi”, duke i shkaktuar humbjen e parë sezonale në kampionat të kuqve.
Skuadra e Arben Sakos u paraqit më mirë në raundin e parë të derbeve të titullit, duke dalë me triumfin e merituar, sukses që e afron më shumë me titullin e tretë radhazi. Bardheblutë fituan me përmbysje kundër një Partizani që u shfaq i pasigurt dhe me gabime, ndryshe nga takimet e mëparshme. Megjithatë Finalja 1 i justifikoi pritshmëritë dhe dhuroi një përballje me shumë rivalitet. Partizani e filloi më mirë takimin, teksa ishte në kryesim në pjesën më të madhe të kohës në setin e parë, për ta fituar 25-21. Kur dukej se do të shkonim drejt një tjetër triumfi të “demave”, Tirana gjen forca dhe bën reagim kampionësh. Bardheblutë marrin shpejt kontrollin dhe e fitojnë setin e dytë 20-25, me Krist Martiron që shënon nga shërbimi “set point”-in. Seti e tretë vijon me përmbysje dhe ripëmbysje, por sërish Tirana tregohet më e saktë dhe e merr 21-25, duke kaluar në 1-2, teksa Oforah shënon pikën e fundit me një zhytje të fuqishme. Lufta e fortë sportive vijon edhe në setin e katërt, por në momente kyçe bardheblutë tregohen më të kthjellët dhe e fitojnë setin pas pikëve shtesë 24-26, duke vulosur suksesin 1-3, për ta mbyllur me festë në një takim që zgjati 1 orë e 57 minuta. Njeriu i finales së parë ishte një ish, si Izuchukwu Oforah, autor i 27 pikëve për Tiranën. Në radhët e Partizanit shënuesi më i mirë ishte Osman Qepa me 20 pikë. Më 25 prill në orën 19:00 në Farkë do të jetë radhe e finales së dytë.
FLASIN TRAJNERËT – Arben Sako, trajneri i Tiranës, u shfaq shumë i kënaqur me paraqitjen e të tijve, ndërsa i bëri apel ekipit të qëndrojë me këmbë në tokë: “Kjo nuk ishte fitorja jonë e parë këtë sezon kundër Partizanit, pasi i kemi mundur 3 herë, në Kupë e Shqipërisë dhe në Kupën e FSHV-së. Finalet janë finale, ne gabuam më pak dhe fituam, nuk është se gjetëm një Partizan të pamotivuar. Ishte një ndeshje shumë e luftuar dhe cilësore. Gjithsesi, asgjë nuk ka mbaruar, pasi na duhen edhe dy fitore të tjera për t’u shpallur kampionë. Ne vetëm kemi bërë një hap, por dua të theksoj që të mundësh Tiranën duhet shumë mund dhe punë dhe kush ia arrin duhet të jetë një kampion i vërtetë. Kundërshtari na sulmoi me shërbim dhe dështoi, ndërsa ne i kushtuam rëndësi bllokut, armës tonë më të fuqishme. Pra, blloku ishte vendimtar në momentet kyçe për ne, duke sjellë edhe fitoren”, u shpreh Sako. Ndërsa trajneri i Partizanit, Ylli Tomorri, u shpreh se të kuqtë gabuan shumë me shërbimin: “Pika më e dobët e jona në këtë takim ishin shërbimet. Ne edhe pësuam shumë pikë nga shërbimi, por gjithashtu edhe gabuam shumë shërbime. Megjithatë, pa dashur të zbeh vlerat e kundërshtarit, pasi Tirana ishte më e konsoliduar se ndeshjet e tjera. Ishte më e etur, luftoi mjaft mirë në mbrojtje dhe u tregua më precize në momentet vendimtare të lojës, duke e merituar fitoren. Por kampionati nuk ka mbaruar me këtë ndeshje”, u shpreh ndër të tjera Tomorri.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"