VOLEJ FEMRA “PLAY OFF”/ Triumfe bindëse, Skënderbeu e Tirana shohin drejt finales
Skënderbeu dhe Tirana kanë hedhur nga një hap shumë të rëndësishëm drejt finaleve në Superligën e volejbollit të femrave, duke kaluar me sukses ndeshjet e para gjysmëfinale.
Korçaret e Orlando Kojës nuk falën në shtëpi, teksa triumfuan me rezultatin e pastër 3-0 ndaj Vllaznisë në pallatin e sportit “Tamara Nikolla”. Skënderbeu u shfaq dominues në setin e parë, duke fituar thellë 25-15, ndërsa në dy setet e tjera diferencat ishin më të ngushta, me korçaret që triumfuan 25-19 dhe 25-23. Kayla Williams me 16 pikë, Mariangel Vivas me 12 dhe Elena Bego me 11, udhëhoqën ofensivën e Skënderbeut në këtë takim. Ndërkohë në kampin e shkodraneve, me objektivin sezonal të gjysmëfinaleve tashmë të arritur, në dopioshfër pikësh mbërritën Stela Agolli, Manuela Sierra dhe Olivia Saundes, me nga 10 pikë secila.
Në ndeshjen tjetër Tirana fitoi raundin e parë të derbit të kryeqytetit, duke e mundur Partizanin 1-3 në “Asllan Rusi”. Vajzat bardheblu u treguan superiore ndaj kampioneve në fuqi dhe tashmë e shikojnë veten më pranë finales. Tirana i tregoi menjëherë muskujt, duke marrë setin e parë bindshëm 18-25. Të kuqet reaguan në setin e dytë, teksa fituan 25-22, për të barazuar në 1-1. Por më pas loja nuk ishte më histori, me vajzat e turkut Karslioglu që komanduan në dy setet e radhës, për të triumfuar 15-25 dhe 18-25. Paraqitje fantastike nga Enkeleda Braho, e cila ishte lojtarja më e mirë e ndeshjes, duke realizuar 21 pikë për Tiranën.
Një vit më parë Braho rezultonte decizive në sukseset e të kuqeve, ndërsa tashmë po i sposton ekuilibrat në spondën tjetër të kryeqytetit. Për sa u përket gjysmëfinaleve të kthimit, ato do të luhen më 14 prillit.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"