“Vlerësim maksimal ndaj Valbonës”, Aneni: Tropoja e bukur nga interneti, por Vora do të ruajë vendin e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2024 | 20:35

“Vlerësim maksimal ndaj Valbonës”, Aneni: Tropoja e bukur nga interneti, por Vora do të ruajë vendin e parë

Vora ka marrë një fitore kundër vlonjatëve dhe tashmë ajo komandon Kategorinë e Parë, teksa ka lënë pas rivalët si Besa dhe Flamurtari.Vorakët do të kërkojnë që të ruajnë kreun dhe këtë mision do ta nisin nga Tropoja, ku ditën e dielë do të luajnë kundër Valbonës për të tentuar fitoren e 12-të sezonale.

aneni vora dhe Shehi majtas

Nisur nga investimi dhe afrimi i lojtarëve dhe stafit teknik, te Vora ishte premtuar që në fillim se objektivi kryesor do të ishte vendi i parë. Kjo tashmë duket si një pikë që po realizohet. Ndërkohë, pas fitore, dje vorakët janë lënë pushim dhe nga sot do të nisin përgatitjet anti-Valbonë.

Aneni – Nigeriani 23-vjeçar i ardhur këtë sezon për herë të parë në Shqipëri te Vora, Damian Evans Aneni, po bën paraqitje të shkëlqyer në këto javët e fundit, teksa ka lënë pas krahëve emocionet e para kur zbarkoi në Shqipëri. Ai është ambientuar më së miri me kampionatin e Kategorisë së Parë. Aneni do të udhëtojë këtë javë për herë të parë në Tropojë, ku do të luaj kundër Valbonës. Lidhur me këtë takim, për gazetën ai është shprehur:

“Për mua do të jetë hera e pare që udhëtoj drejt Tropojës, por nga informacionet në internet kam marrë një opinion të mirë për këtë vend dhe me shumë dëshirë do të shkoj atje. Lidhur me takimin, mund të them se pavarësisht se ndodhet në vendin e parafundit, kjo nuk përbën aspak arsye për nënvlerësim, pasi me sa kam parë deri tani të gjitha skuadrat janë thuajse në të njëjtin nivel, duke veçuar dy-tre skuadra pretendente. Prandaj, duke ditur qëllimet tona, vlerësimi duhet të jetë maksimal. Presioni ndaj vendit të parë shtohet edhe më tepër. Ne duhet të luftojmë atje vetëm për fitoren e tri pikëve”, përfundon mesfushori.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"