VIDEO/ Supergol në Kategorinë e Dytë, shikoni perlën e brazilianit të Luftëtarit
Luftëtari vijon marshimin drejt Kategorisë së Parë, ndërsa dje arriti një fitore spektakolare 3-0 në shtëpi kundër Devollit.
Edhe pse në një terren të rënduar prej reshjeve në stadiumin e Gjirokastrës, golat e shënuar ishin fantastikë. Diferencën e bëri mesfushori brazilian, Hudson Felipe, i cili shënoi dy herë. Mirëpo, goli i realizuar në minutën e 27-të, ishte i rrallë, pasi me një goditje fluturimthi nga rreth 25 metra, ai e dërgoi topin në trekëndësh me një koordinim perfekt.
Pa u mbyllur pjesa e parë ishte sulmuesi gjirokastrit, Ardit Ziaji, i cili pasi fiton duelin e shpejtësisë me mbrojtësit miq, godet saktë përballë Lamellarit.
Bluzinjtë dominojnë totalisht dhe argëtojnë tifozët e pranishëm. Miqtë janë krejtësisht të pafuqishëm për të rrezikuar portën e ganezit Boje. Në fillimin e pjesës së dytë është Mërkuri që i afrohet golit të tretë, ndërsa raste të pastra kanë edhe Ziaji dhe braziliani Lukas De Melo. Për miqtë tentojnë Duvan dhe Uesli me goditje nga distanca, por pa rrezik. Për të vulosur fitoren mendon sërish Hudson Felipe, që shfrytëzon amullinë e mbrojtjes mike dhe me një goditje perfekte me të djathtën, shtang Lamellarin. Pas 14 javësh, gjirokastritët udhëheqin tabelën e klasifikimit në grupin B.
TOMOR SHEHU-PANORAMASPORT.AL