VIDEO/ Skandali me gjyqtarët në Superiore, FSHF pranon zyrtarisht trukimin e ndeshjes
Ndeshja midis Kastriotit dhe Bylisit e cila ishte programuar të hapte javën e 28-të të Superiores është anuluar nga FSHF-ja pas një skandali me arbitrat të cilët janë ndjerë të kërcënuar.
Në komunikatën zyrtare të FSHF-së, citohet: Një javë më parë, në ndeshjen Kastrioti-Laçi arbitrat e ndeshjes janë kërcënuar me jetë dhe janë detyruar të anulojnë një gol për skuadrën e Laçit. Të ndjerë vazhdimisht të kërcënuar zyrtarët kanë pasur frikë të deklarojnë me shkrim apo të denoncojnë ngjarje të tilla”, duke e pranuar zyrtarisht trukimin e ndeshjes.
Në javën e kaluar, në takimin midis Kastriotit dhe Laçit, kurbinasve iu anulua një gol i dyshimtë në minutën e 88’ të takimit, duke ngritur shumë polemika dhe duke i hequr nga duart fitoren kurbinasve. Dhe pas një kundërsulmi ishin krutanët ata që shënuan dhe dolën me tre pikë nga ky takim.
KOMUNIKATA E FSHF
Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të informojë komunitetin e futbollit dhe opinionin publik se ndeshja Kastrioti-Bylis e planifikuar për t’u zhvilluar ditën e sotme në stadiumin e Kamzës nuk do të zhvillohet.
Ditën e djeshme arbitrat e ndeshjes janë kërcënuar dhe kjo ngjarje është duke u hetuar nga organet kompetente. Federata e Futbollit është njohur me vendimin e të gjithë klasës arbitrale, që nuk pranon të marrë përsipër drejtimin e ndeshjeve të Klubit Kastrioti për shkak të presioneve dhe shantazheve të vazhdueshme. Një javë më parë, në ndeshjen Kastrioti-Laçi arbitrat e ndeshjes janë kërcënuar me jetë dhe janë detyruar të anulojnë një gol për skuadrën e Laçit. Të ndjerë vazhdimisht të kërcënuar zyrtarët kanë pasur frikë të deklarojnë me shkrim apo të denoncojnë ngjarje të tilla.
Të gjendur në këtë situatë, FSHF bën me dije se do të presë deri në fund zbardhjen e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme dhe do të marrë vendimet e duhura për të siguruar ambientin e sigurt në panoramën futbollistike shqiptare.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"