VIDEO/ Penallti e humbur, gjuajtje që ngecin në llucë dhe emocione deri në sekondën e fundit, Laçi dhe Dinamo ndajnë pikët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2024 | 23:51

VIDEO/ Penallti e humbur, gjuajtje që ngecin në llucë dhe emocione deri në sekondën e fundit, Laçi dhe Dinamo ndajnë pikët

Laçi dhe Dinamo kanë ndarë pikët në duelin e sotëm, në një barazim pa gola, por që erdhi në një sfidë të mbushur me emocione deri në fundin e saj.

bandicam 2024-12-08 13-29-41-100

Sfida ishte e hapur, me kurbinasit vendas të cilët kishin më shumë iniciativën, por me blutë të cilët krijuan rastet më të pastra. Mundësinë më të mirë për të shënuar e kishte Laçi, por Melo shpërdoroi penallti në pjesën e dytë, i ndaluar nga pritja e Salit. Ndërsa të vetën e bëri edhe terreni i rënduar nga shirat, me topin që shpesh ngecte në ujë duke krijuar vështirësi për mbrojtës e sulmues, të cilët shihnin goditjet e tyre të ndaleshin në llucë.

Në fund, skuadrat morën nga një pikë që nuk u shërben shumë për klasifikimin, pasi nuk i lejon të bëjnë hapa të rëndësishëm para në krahasim me objektivat që kanë në këtë sezon.

LAÇI 0-0 DINAMO

NGJARJET KRYESORE

90’+5’ Mbyllet ndeshja me barazimin pa gola.

90’+4’ Bibo merr vendin e Melos te Laçi.

90’+3’ Melo hyn në zonë, shmang Meksin por vonohet në goditje dhe bllokohet nga mbrojtja.

90’+2’ Qefalija gjuan nga jashtë zonës, Dajsinani grushton por çon sferën në këmbët e Maliqit i cili i vetëm para portës gjuan jashtë. (VIDEO)

90’ Jepen 4 minuta shtesë.

86’ Melo lëshon një diagonale me të djathtën që kalon të gjithë pasqyrën e portës, pa u devijuar nga askush.

83’ Doçi merr vendin e Vilës në radhët e Dinamos.

83’ Maliqi shfaqet në të djathtën dhe lëshon një gjuajtje të fortë, sfera devijohet në këndore.

81’ Bullari dhe Ballhysa hyjnë në fushë në vend të Kofi dhe Tresës te Laçi.

80’ Mundësi e artë për të shënuar për Dinamon! Topi i larguar nga Dajsinani ngec në ujë dhe Vila përfiton për të gjuajtur në portë. Por fusha e rënduar bën që sfera të ndalohet para se të kalojë vijën fatale nga Opeh. (VIDEO)

79’ Melo ekzekuton një goditje dënimi, Kofi me finte tenton të shënojë por topi bllokohet nga një mbrojtës i Dinamos para portës. (VIDEO)

73’ Karton i verdhë për Papën te Laçi.

68’-70’ Tresa fiton penallti të shkaktuar nga Karamba. Xhaja nuk ka dyshime, pasi e akordon menjëherë. Më pas është Sali që pret penalltinë e goditur nga Melo. (VIDEO) + (VIDEO)

66’ Tjetër goditje këndi e këndi e fituar nga Laçi. Mbrojtja dinamovite tregohet e kujdesshme për të larguar.

65’ Goditje këndi e fituar nga Prodani. I zakonshmi Melo kroson, ndërsa Salit i duhet të grushtojë për të larguar rrezikun.

64′ Nuk ka asnjë rast të rrezikshëm nga të dyja skuadrat.

56′ Laçi vazhdon të tregohet më kërkues, ndërsa Dinamo pret për rastet e saj.

52′ Qefalija merr vendin e Tolit te Dinamo.

52′ Tresa tregohet fantastik. Pasi driblon dy lojtarë dinamovitë, godet fort në pozicion diagonal sferën që përfundon jashtë. (VIDEO)

52′ Shiu rëndon terrenin në stadiumin e Laçit.

50’ Manellari tenton të gjejë portën nga jashtë zone. Topi përfundon jashtë kuadratit të mbrojtur nga Sali. (VIDEO)

49’ Këndore e harkuar nga Melo në shtyllën e parë. Laçi provon të qëndrojë në mesfushën e Dinamos.

47′ Maliqi merr vendin e Nanit të dëmtuar.

46′ Nis pjesa e dytë.

45+4′ Mbyllet pjesa e parë me rezultatin 0-0.

45+3′ Tresa fiton goditje këndi. Melo ekzekuton bukur, por topi nuk arrihet as nga Kurti as nga Kristian në shtyllën e dytë. (VIDEO)

45′ Akordohen dy minuta shtesë.

44′ Faull i shkaktuar nga Gudiabi në dëm të Papës, që ka nevojë për ndihmë mjekësore. Nuk ka ndëshkim nga Xhaja. (VIDEO)

44′ Goditja qëndrore e Melos kontrollohet pa problem nga Sali. (VIDEO)

42′ Dinamo i afrohet golit me Karambën. Tjetër rast i rrezikshëm nga dinamovitët, ndërsa sfera përfundon jashtë. (VIDEO)

35’ Këndore për Laçin që ekzekutohet nga Melo. Është Tresa që tenton më pas nga jashtë zone, por topi përfundon shumë lart traut të mbrojtur nga Sali. (VIDEO)

33′ Vendasit ushtrojnë presion në mesfushën e Dinamos duke mos e lënë të organizohet.

32′ Kofi provon portën nga një pozicion thuajse i pamundur, pasi ka fituar një dyluftim me Alijin. (VIDEO)

29′ Skuadrat mjaftohen me qarkullimin e topit ku Laçi shfaqet disi më mirë.

24’ Kofi nuk ia del të godasë dhe mbrojtja e Dinamos tregohet e vëmendshme për të larguar sferën.

19’ Dalje që nuk studiohet mirë nga Dajsinani, i cili dhuron një top për dinamovitët. Në fund është Zabërgja që provon të befasojë, por topi nuk ka koordinatat e duhura. (VIDEO)

18’ Vila nuk i beson syve pasi humbet një rast të artë për të zhbllokuar sfidën. Pas devijimit të Dajsinanit, sfera përfundon në duart e sulmuesit të Dinamos, i cili fillimisht ndalet nga Mjaki dhe më pas godet shtyllën. (VIDEO)

15’ Këndore për Dinamon, që nuk shfrytëzohet si duhet. Naser Aliji gjuan me kokë pas një tjetër krosimi në zonë, por Xhaja akordon faull në favor të Opeh.

11’ Aksion i bukur nga Laçi. Melo merr një pasim në zonën e Salit dhe provon të befasojë, por topi i gjuajtur prej tij përfundon jashtë. (VIDEO)

11’ Lëvizje e bukur nga Vila në krahun e majtë të Dinamos. Gabon pasi provon të dërgojë topin te shokët në zonë.

10’ Ka ritëm në ndeshje, por mungojnë tentativat drejt portës në këto minuta të para.

8’ Laçi ushtron presion dhe detyron Salin të largojë topin në fundore. Topi në kontrollin e vendasve.

3’ Dinamo shfaqet rrezikshëm në zonën kundërshtare. Është Kurti që tregohet i vëmendshëm pas krosimit në zonë, për të larguar gjithçka.

1′ Nis ndeshja në Laç.

WhatsApp Image 2024-12-08 at 12.58.19

FORMACIONET ZYRTARE

LAÇI: Dajsinani, Kurti, Tresa, Kofi, Manellari, Prodani, Melo, Mjki, Opeh, Papa, Kristian

Trajner: Françesko Moriero

DINAMO: Sali, Zabërgja, Gudiabi, Vila, Karamba, Ferreira, Dita, Meksi, Aliji, Lorran, Toli

Trajner: Ilir Daja

WhatsApp Image 2024-12-08 at 12.57.31

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"