VIDEO/ Flamurtari “shfryn” në miqësore, vlonjatët bindin me tre gola ndaj Besës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2023 | 9:40

VIDEO/ Flamurtari “shfryn” në miqësore, vlonjatët bindin me tre gola ndaj Besës

Flamurtari “shfryn” në miqësore. Skuadra e Emiljano Çelës ka fituar në shifrat 3-1, miqësoren e luajtur dje në Vlorë. Kundërshtarë zgjodhën Besën, ekip që militon gjithashtu në Kategorinë e Parë. Dopieta e Mateus Indio dhe goli i Aleksandre di Estefanos kanë nxjerrë në pah problematikën që kavajasit kanë në prapavijë.

flamurtari besa

Ndonëse ishte vetëm një test, ndëshkohen shumë lehtësisht. Nëse Vora i shënoi katër herë në javën e parë të kampionatit, dje morën tre të tjerë. Kjo ishte një ndeshje prove në fakt për të dy trajnerët, jo vetëm për të aplikuar disa skema të reja, por edhe dhënë minuta atyre që nuk u aktivizuan në start.

PJESA E PARË – Në minutat e para skuadrat studiojnë njëra-tjetrën. Duket sikur Besa do të bëjë diçka, por Balla dhe Shehu e kanë vështirë të depërtojnë. Flamurtari merr frenat e lojës.

Në minutën e 11-të është braziliani Gomes Mateus që me një top në zotërim në hyrje të zonës e gjuan fluturimthi dhe mposht Miken Kaloshin në një zonë të boshatisur edhe nga mbrojtja. Në vijim është Oliveira që shërben për Estefanon, por pret gardiani i miqve.

Nuk do të vononte shumë goli i dytë. Është Estefano që nga distanca prek shtyllën e më pas topi hyn në rrjetë, duke shënuar një supergol. Nga ana tjetër trajneri Pashja kërkon më shumë prej Berishës, Xhebrahimit dhe Sulivarit, duke u tërhequr vëmendjen.

Vlonjatët kanë mundësi që të shënojnë sërish, por Metani shpërdoron një shërbim që i erdhi nga Estefano. Rastet nuk kanë fund nga vendësit, ku përsëri Metani shpërdoron. Besa zgjohet pas 42 minutave lojë, por tentativat e Ballës dhe Sulovarit nuk shkojnë në rrjetë.

Ka edhe një gol në mbyllje të kësaj pjese nga Metani, por gjyqtari Isa Shabani e cilëson në pozicion të parregullt.

PJESA E DYTË – Pjesa e dytë do të niste me avantazhin e dy golave të Flamurtarit. Trajnerët Çela dhe Pashja do të bënin shumë zëvendësime.

Vendësit do të ishin më kërkues dhe më të rrezikshëm. Në minutën e 53-të Mateus me një top të rrëmbyer afër mesit të fushës do të shënonte fluturimthi një gol të bukur, duke çuar shifrat në 3-0.

Ndryshimet në formacion do të rrisnin disi agresivitetin e Besës, por mungon eksperienca në finalizim. Gjithsesi, goli i nderit do të vinte nga Bali që brenda zonës do të tregohej i saktë. Minutat në vijim nuk do të shënonin raste konkrete, por gjithsesi do të ishte Flamurtari që do të diktonte takimin deri në fund.

365465498

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"