VIDEO/ Debutuesi nga Kameruni shtrin në tapet kampionin Tajson Fjuri, por britaniku fiton me pikë mes polemikash duelin në Arabi
Kamerunasi Francis Nganu, në ndeshjen e tij të parë në boksin profesionist për peshat e rënda, iu afrua një rezultati të bujshëm kundër Tajson Fjuri, i cili fitoi me pikë në një vendim të diskutueshëm që padyshim do të krijojë shumë polemika për britanikun.
Ndeshja e zhvilluar në Rijad të Arabisë Saudite, kishte tërhequr shumë interes pasi shihej si përgatitje e sfidës mes kampionit në fuqi të WBC dhe Oleksandr Usyk, për unifikimin e të gjithë brezave botërorë të peshave të rënda. Por Nganu, i cili më parë kishte qenë luftëtar i MMA, i çuditi të gjithë në startin e sfidës.
Ai ishte aktiv në fillimet e duelit dhe në raundin e tretë, i dha një goditje të fortë Fjurit duke e shtrirë në tapet. Një raund më parë, ai kishte arritur të çante në fytyrë Fjurin dhe kjo bëri që fati i ndeshjes tashmë të mos dukej aq i sigurt.
NGANNOU JUST DROPPED TYSON FURY
— ?ᴛʜᴇᴀʀᴛᴏꜰᴡᴀʀ? (@TheArtOfWar6) October 28, 2023
Fjuri u duk se ishte superior vetëm në raundet e fundit, kur Nganu ngadalësoi gjuajtjet e tij dhe mori goditje, por në asnjë moment kampioni nuk arriti t’i jepte një gjuajtje të fortë për ta shtrirë në tapet, ashtu siç kishte bërë kundërshtari i tij.
Në fund, vendimi i gjyqtarëve i dha fitoren me pikë Fjurit duke bërë që të shpërthenin protestat në rrjetet sociale kryesisht, pasi të gjithë mendonin se kamerunasi kishte bërë mëse mjaftueshëm për të qenë ai kampioni i ri i botës i peshave të rënda në WBC edhe pse kjo ishte ndeshja e tij e parë në ringun profesionist.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"